Në 2024-ën, të ardhurat e kompanive më të mëdha në Europën Juglindore(Southeast Europe – SEE) u pakësuan për të dytin vit radhazi, sipas klasifikimit SEE TOP 100, publikuar nga agjensia e lajmeve të biznesit SeeNews. SEE TOP 100 është një klasifikim vjetor i kompanive më të mëdha në Europën Juglindore mbi bazën e të ardhurave totale. Botimi, i dalë sot, gjithashtu përfshin klasifikimet e bankave dhe kompanive më të mëdha të sigurimit në rajon. Shqipëria nuk përfaqësohet prej ndonjë kompanie në SEE TOP 100. Megjithatë, përfaqësohet nga tetë banka dhe pesë kompani sigurimi në klasifikimet e dedikuara sektorëve respektivë. Më lart në klasifikimin e bankave qëndron Banka Kombëtare Tregtare, e cila këtë vit është ngjitur një pozicion në të 27-in. Kompania shqiptare që qëndron më lart mes kompanive të sigurimit është Sigal UNIQA Group Austria, në vendin e 51-të.
Shuma e të ardhurave të njëqind kompanive më të mëdha në Europën Juglindore në 2024-ën shënon 198.4 miliardë euro, 3.2% më pak krahasuar me të ardhurat e kompanive më të mëdha të vitit pararendës. Kjo kthesë në performancën e kompanive bëhet më e dukshme në fitimin total, që ra 16% në 8.8 miliardë euro. Nga ana tjetër, tregtia me pakicë dhe ajo me shumicë mbyllën një tjetër vit të mirë. Rritja e të ardhurave të disponueshme shtoi shitjet, kësisoj sektori gjeneroi më shumë se çerekun e të ardhurave totale të kompanive në SEE TOP 100 gjatë vitit që shkoi. Prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit në Rumani, OMV Petrom, në pronësi kryesisht të OMV-së austriake, ruan vendin e parë në rajon për të katërtin vit radhazi, pavarësisht një rënieje 13% në të ardhura, në 6.7 miliardë euro.
Megjithatë, fitimi neto i kompanisë u rrit me 5% në 833 milionë euro, e para edhe në klasifikimin sipas këtij treguesi.
Rreth metodologjisë së SEE TOP 100
SEE TOP 100 është një klasifikim vjetor i kompanive më të mëdha në Europën Juglindore mbi bazën e të ardhurave totale. Si shifrat e 2024-ës, ashtu edhe të 2023-shit janë siguruar prej raporteve të pakonsoliduara të kompanive për 2024-ën. Klasifikimi SEE TOP 100 mbulon kompanitë jofinanciare të regjistruara në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Maqedoni të Veriut, Moldavi,Mal të Zi, Rumani, Serbi dhe Slloveni. Bankat, ndërmjetësit e investimeve,kompanitë e sigurimit dhe trustet e investimit në pasuri të paluajtshme janë përjashtuar prej këtij klasifikimi, duke qenë se të ardhurat nuk janë tregues i saktë i performancës së tyre. Kompanitë holding përfaqësohen në këtë klasifikim nga filialet e tyre. Të gjitha të dhënat janë marrë nga regjistrat tregtarë kombëtarë, bursat, faqet e internetit të qeverisë dhe të koorporatave,rregullatorët e industrisë, ofruesit lokalë të informacioneve mbi bizneset dhe vetë kompanitë.
