Shumë të rinj e shohin teknologjinë si një burim të ardhurash, por jo domosdoshmërisht përmes sipërmarrjes. Firdeus Kasaj zgjodhi ta shihte ndryshe. Për të, programimi nuk ishte thjesht proces teknik, por mjeti për të krijuar produkte që lidhin talentin me mundësitë, filozofi mbi të cilën lindi UnyoCorp, sot në rrugën drejt një ekosistemi produktesh dhe komunitetesh digjitale me vizion ndërkombëtar.
Për VASPAS, ai ka treguar sfidat e ndërtimit të një kompanie softueri në Shqipëri, momentet kur iu desh të ndryshonte modelin e biznesit, ambicien për ta çuar UnyoCorp në nivele ndërkombëtare dhe besimin e palëkundur se teknologjia, kur vihet në shërbim të zgjidhjes së problemeve reale dhe njerëzve që i përjetojnë ato, krijon ndikim të vërtetë dhe afatgjatë.
Çfarë bën konkretisht UnyoCorp sot dhe cilat janë shërbimet dhe produktet kryesore që ofron?
UnyoCorp ka mbi 6 vite eksperiencë në treg, duke u specializuar në zhvillimin e softuerit dhe lojërave (Game Development). Ne ofrojmë shërbime të cilësis së lartë për klientë dhe kompani në mbi 10 vende të ndryshme në të gjithë Evropën.
Përveç zhvillimit si shitës i shërbimeve, që nga viti 2025 UnyoCorp është certifikuar si partner i Komisionit Europian dhe merr pjesë aktivisht në projekte të ndryshme të inicuara prej Komisionit.
Në bashkëpunim me organizata dhe partnerë kryesorë në Shqipëri, UnyoCorp ka zhvilluar workshope dhe trajnime në fushën e sipërmarrjes dhe zhvillimit profesional në teknologji. Misioni ynë është të sjellim në Shqipëri frymën dhe standardet evropiane, duke krijuar një komunitet të fuqishëm që promovon teknologjitë më të reja dhe inovacionin.
Po Yume? Çfarë është, për kë është ndërtuar dhe si funksionon në praktikë?
Yume është një business social media platform, një startup i lindur nga ekosistemi i UnyoCorp, me fokus të qartë në lidhjen reale mes individëve dhe kompanive. Platforma është ndërtuar për të rinjtë, profesionistët, studentët dhe krijuesit që kërkojnë mundësi pune, evente, bashkëpunime apo përfshirje në komunitete profesionale, si dhe për kompanitë që duan të komunikojnë dhe të rekrutojnë në mënyrë më njerëzore dhe më direkte.
Në praktikë, Yume funksionon si një urë midis talentit dhe mundësive. Përdoruesit krijojnë profile profesionale, ndërveprojnë me përmbajtje të orientuar drejt karrierës dhe komunitetit, aplikojnë për pozicione pune, zbulojnë evente dhe lidhen drejtpërdrejt me kompani dhe organizata. Nga ana tjetër, kompanitë përdorin Yume për të publikuar pozicione, për të ndërtuar komunitetin e tyre dhe për të identifikuar individë të përgjegjshëm dhe të motivuar, jo thjesht CV anonime.
Yume ka vetëm 4 muaj që është lançuar, dhe pavarësisht faktit që rritja ka qenë kryesisht përmes marketingut organik, pa investime agresive në reklama, platforma ka treguar një nivel shumë të mirë të angazhimit. Aktualisht numëron mbi 1,500 përdorues të regjistruar, si dhe kompani aktive nga Shqipëria, Belgjika dhe Gjermania. Për më tepër, mbi 50 kompani të tjera ndodhen në queue list për t’u bërë pjesë e Yume, çka tregon interes real dhe potencial të fortë për shkallëzim.
Në thelb, Yume nuk synon të jetë thjesht një platformë tjetër sociale, por një ekosistem profesional, ku mundësitë, komuniteti dhe përgjegjshmëria bashkohen për të krijuar vlerë reale si për individët ashtu edhe për bizneset.
Çfarë synoni nga bizneset që regjistrohen në Yume? A po ndërtoni një komunitet aktiv, partneritete strategjike apo marrëdhënie afatgjata me klientët?
Nga bizneset që regjistrohen në Yume, ne nuk synojmë thjesht klientë apo përdorues të platformës, synojmë të ndërtojmë një lëvizje, e cila ndryshon mënyrën se si bizneset, talentet dhe komuniteti lidhen mes tyre.
Yume po ndërton një komunitet me vlera të përbashkëta, ku kompanitë nuk janë thjesht punëdhënës që publikojnë njoftime, por aktorë aktivë në formësimin e kulturës profesionale. Bizneset që bëhen pjesë e Yume kontribuojnë në zhvillimin e talenteve, ndajnë eksperienca reale, mbështesin evente, krijojnë mundësi dhe ndërtojnë marrëdhënie njerëzore, jo vetëm kontrata pune.
Qëllimi ynë është krijimi i marrëdhënieve afatgjata dhe të qëndrueshme, ku bizneset ndërtojnë besim, reputacion dhe besnikëri përmes përfshirjes së vazhdueshme në komunitet. Kjo e kthen Yume nga një platformë rekrutimi në një ekosistem bashkëkrijimi, ku të gjitha palët rriten së bashku.
Po, ne po ndërtojmë një komunitet aktiv. Po, po zhvillojmë partneritete strategjike. Por mbi të gjitha, Yume po krijon një lëvizje që e vendos njeriun në qendër të punës, bashkëpunimit dhe zhvillimit profesional.
Në thelb, Yume nuk është vetëm një produkt digjital është një movement që synon të ripërcaktojë të ardhmen e punës dhe komunitetit.
Sa i vështirë është sot ndërtimi dhe krijimi i një kompanie softueri në Shqipëri?
Sot, ndërtimi i një kompanie softueri në Shqipëri është një sfidë reale, por jo e pamundur, sidomos për ekipe që mendojnë globalisht që në fillim, si UnyoCorp. Ekosistemi është në zhvillim, por ende ka boshllëqe strukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kompanive teknologjike.
Një nga pengesat kryesore është talenti. Ka të rinj shumë të aftë teknikisht, por shpesh mungon eksperienca praktike, kultura e punës në produkte afatgjata dhe ekspozimi ndërkombëtar. Kjo e bën të nevojshme që kompanitë si UnyoCorp të investojnë fort në trajnim dhe formim të brendshëm, duke ndërtuar talentin nga e para.
Financimi është një tjetër sfidë e madhe. Mundësitë për venture capital, angel investors apo fonde të strukturuara për startup-e teknologjike janë të kufizuara në tregun lokal. Si pasojë, shumica e kompanive softuerike shqiptare rriten në mënyrë organike, përmes shërbimeve dhe projekteve ndërkombëtare, para se të mund të investojnë seriozisht në produkte të tyre.
Sa i përket tregut, Shqipëria është e vogël dhe nuk ofron gjithmonë volum apo buxhete të mjaftueshme për produkte të avancuara teknologjike. Për këtë arsye, UnyoCorp që nga fillimi ka operuar me një mentalitet ndërkombëtar, duke bashkëpunuar dhe ofruar shërbime në disa vende, për të mos u kufizuar vetëm në tregun vendas.
Një pengesë më e heshtur, por shumë e pranishme, është mentaliteti. Shpesh ka mungesë besimi te produktet lokale, frikë nga dështimi dhe një qasje afatshkurtër ndaj teknologjisë. Ndërtimi i një kompanie softueri kërkon durim, vizion dhe konsistencë elemente që ende nuk mbështeten mjaftueshëm nga kultura e përgjithshme e biznesit.
Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, UnyoCorp e sheh Shqipërinë si një bazë të fortë talentesh dhe kreativiteti, ku me vizion të qartë, disiplinë dhe fokus global, është e mundur të ndërtosh kompani softueri konkurruese në nivel ndërkombëtar. Sfida ekzistojnë, por ato janë pjesë e procesit të ndërtimit të diçkaje të qëndrueshme dhe me ndikim real.
Cili është objektivi juaj kryesor për UnyoCorp në 2–3 vitet e ardhshme?
Objektivi ynë kryesor për UnyoCorp në 2–3 vitet e ardhshme është ta shndërrojmë atë në një powerhouse teknologjik dhe kreativ, i aftë të prodhojë produkte digjitale, platforma dhe eksperienca që ndikojnë realisht në tregje ndërkombëtare.
Përtej rritjes si kompani softueri, vizioni ynë është ndërtimi i një ekosistemi të fortë që bashkon talentin, produktin dhe komunitetin. UnyoCorp synon të jetë një vend ku krijohen jo vetëm zgjidhje teknologjike, por edhe liderë të rinj, kultura pune dhe iniciativa që shtyjnë përpara inovacionin.
Në këto 2–3 vite, fokusi do të jetë në shkallëzimin e produkteve tona, forcimin e prezencës ndërkombëtare dhe konsolidimin e një ekipi multidisiplinar që operon me standarde globale. Paralelisht, synojmë që përmes produkteve si Yume dhe iniciativave të tjera, të ndërtojmë një community-driven powerhouse, ku të rinjtë, profesionistët dhe bizneset bashkëkrijojnë dhe rriten së bashku.
Në thelb, UnyoCorp nuk synon vetëm sukses biznesi, por të kthehet në një pikë reference për teknologjinë, kreativitetin dhe frymën rinore, një powerhouse që lind ide, produkte dhe lëvizje me ndikim afatgjatë.
Çfarë nuk do ta bënit më sot, nëse do ta nisnit UnyoCorp nga e para?
Nëse do ta nisnim UnyoCorp nga e para sot, nuk do të përpiqeshim të bënim gjithçka njëkohësisht. Në fillim kemi shpërndarë fokusin duke marrë shumë drejtime paralelisht, gjë që na ka kushtuar në energji dhe qartësi.
Gjithashtu, nuk do të ndërtonim më ekip vetëm mbi aftësi teknike, por do të fokusoheshim më shumë te mentaliteti dhe përputhja me vizionin. Dhe mbi të gjitha, do të investonim më herët në produkte tona, jo vetëm në shërbime.
Sot e dimë që fokusi, njerëzit e duhur dhe vizioni afatgjatë janë kyçe.
Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që duan të futen në botën e IT-së dhe programimit?
Për të rinjtë që aspirojnë të hyjnë në botën e IT-së dhe programimit, u thosha të mos mblidhen vetëm rreth gjuhëve apo teknologjisë, por të fokusohen te thelbi i zgjidhjes së problemeve reale.
Është thelbësor të ndërtojnë projekte që japin rezultate, edhe nëse janë të vegjël, sepse vetëm praktika ka fuqinë të tejkalojë teorinë. Rruga përpara kërkon qëndrueshmëri, etje për të mësuar çdo ditë dhe mbi të gjitha guxim për të gabuar, duke parë dështimet si shkallët e nevojshme drejt suksesit.
Më e rëndësishmja: të mendojnë globalisht që në start, duke kuptuar se teknologjia nuk njeh kufij dhe mundësitë e tyre shtrihen shumë përtej horizontit lokal.
Kujtoheni që IT-ja nuk është thjesht një kod i shkruar, por është një mendësi që ndryshon botën.
