Në moshën 18-vjeçare, çdo individ mëson të marrë përgjegjësi dhe të kuptojë pasojat e vendimeve të tij. Po kështu, Kosova, 18 vite pas shpalljes së pavarësisë, ndodhet mes sfidave dhe mundësive, me arritje për t’u mburrur, por edhe me sfida që kërkojnë përkujdesje dhe vendimmarrje të matur.
Hija e pasigurisë që e kishte ndjekur për një vit u largua më 11 shkurt, kur u konstituua qeveria e re e Kosovës. Periudha e bllokadës nuk ishte thjesht një vonesë procedurale, por një boshllëk që paralizoi vendimmarrjen dhe ngushtoi hapësirën për veprim.
Gjatë 18 viteve të fundit, konflikte të brendshme dhe interpretime selektive të rregullave shpesh e kthyen procesin politik në mundësi të humbura. Nga dështimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës deri te pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA-në, Kosova ka paguar çmimin e konfliktit të brendshëm më shumë sesa të kundërshtimit të jashtëm.
Megjithatë, Kosova ka treguar aftësi të dukshme për të ndërtuar institucione dhe për të arritur rezultate: rritje ekonomike, ulje të papunësisë, njohje ndërkombëtare nga mbi 120 shtete dhe pjesëmarrje në organizata ndërkombëtare, sport, kulturë dhe art. Ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, vlerëson përparimin e vendit në konsolidimin e shtetit të tij sovran dhe të pavarur, duke theksuar rëndësinë e integrimit euroatlantik, zhvillimit ekonomik dhe qeverisjes efektive.
Wolfgang Petritsch, ish-i dërguar special i Bashkimit Evropian për Kosovën, nënvizon se sfidë e vërtetë mbetet krijimi i kushteve që brezi i ri ta shohë të ardhmen në vend dhe jo jashtë tij. Një qeverisje funksionale dhe përfshirëse, veçanërisht për komunitetin serb, është thelbësore për stabilitetin afatgjatë.
Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i NATO-s, thekson nevojën për rifitimin e besimit të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, si dhe për strategji të qarta dhe diplomaci publike efektive që të sigurojnë njohje të plotë dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
18 vjet më pas, Kosova nuk është më një shtet në tranzicion, por një shtet i pavarur që përballet me përgjegjësi të reja. Sfida për të ardhmen kërkon stabilitet, qeverisje efektive, zhvillim ekonomik dhe angazhim të sinqertë në marrëdhëniet ndërkombëtare, për të shndërruar Kosovën në një shtet evropian “të rritur”
