220 studentë që aplikuan për programin e Mjekësisë të Universitetit Tor Vergata në Itali janë pranuar në studime, por jo në kampuset në Itali. Ata do të ndjekin studimet në Tiranë, në një program të përbashkët midis Tor Vergata dhe Universitetit Katolik Shqiptar “Nostra Signora del Buon Consiglio”.
Programi zhvillohet fizikisht në Shqipëri dhe kushton mbi 9.000 euro në vit, ndërkohë që në përfundim studentët marrin një diplomë të lëshuar nga universiteti italian.
Sipas La Repubblica, këta janë studentët që janë renditur në listën e pranimeve pas testit kombëtar të përzgjedhjes për Mjekësi në Itali. Në shumicën e rasteve ata kanë marrë vetëm një ose dy nota kaluese në tre seksione të testimit dhe nuk kanë siguruar një vend në universitetet publike italiane.
Për këtë arsye, atyre u është ofruar vendi në programin ndërkombëtar në Tiranë.
Gaia Volpe, 20 vjeçe nga Montella (Avellino), i tha gazetës italiane:
“Kur po zgjidhja preferencat, nuk e kuptova që vendndodhja ishte në Shqipëri. Mendova se ishte kampusi i Tor Vergata-s në Romë.”
Nga ana formale, po. Universiteti Tor Vergata kishte publikuar që në gusht në faqen e tij zyrtare se 220 nga vendet e shpallura për Mjekësi ishin në Tiranë, si pjesë e një diplome të përbashkët me Universitetin Katolik Shqiptar.
Megjithatë, sipas studios ligjore Delia:“Jo të gjithë e kuptuan se tarifat dhe kushtet financiare nuk janë të njëjta me ato të universiteteve publike italiane.”
Nga 17.278 vendet totale për Mjekësi të shpallura këtë vit nga Ministria italiane e Arsimit, 220 janë në Tiranë. Në momentin e shpalljes, programi ishte ende në proces akreditimi.
