Shqipëria sot shënon 113 vjet nga shpallja e Pavarësisë, një moment historik kur më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi dhe shpalli pavarësinë e Vilajeteve shqiptare nga Perandoria Osmane. Ky akt u krye në praninë e 83 delegatëve të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, duke e bërë Vlorën qendrën e bashkimit kombëtar. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë u krijua qeveria e parë e shtetit të pavarur, e drejtuar po nga Ismail Qemali, si dhe ngritja e Pleqësisë, duke vendosur themelet e institucioneve të para shtetërore shqiptare.
Shpallja e Pavarësisë ishte jo vetëm kurorëzimi i përpjekjeve shekullore për liri dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, por edhe një përgjigje e qartë ndaj planeve të monarkive ballkanike që synonin copëtimin e trojeve shqiptare. Me këtë vendim historik, Shqipëria iu bashkua kombeve të Evropës si një shtet më vete, duke hapur rrugën për zhvillim politik, shoqëror dhe kulturor.
Për të sjellë atmosferën e atyre ditëve, kemi përzgjedhur disa foto nga Albanian Vintage Photography, një faqe në Instagram, Facebook dhe LinkedIn e njohur për arkivin e saj të pasur me mijëra fotografi dhe materiale historiko–kulturore që dokumentojnë trashëgiminë shqiptare ndër shekuj. Fotot i përkasin festimit të përvjetorit të parë të Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1913. Ato pasqyrojnë emocionin, solemnitetin dhe krenarinë e një kombi që sapo kishte fituar lirinë dhe po hidhte hapat e parë drejt shtetformimit. Këto pamje ju kthejnë pas në kohë, duke i rikujtuar këtij 28 Nëntori historinë dhe emocionet e epokës që vulosi identitetin tonë kombëtar.




