INSTAT, Banka Botërore, IOM dhe GIZ prezantuan gjetjet e Anketës së dytë të Migracionit pranë Familjeve.
Anketa tregon se, rreth 37 për qind e familjeve shqiptare kanë të paktën një anëtar që ka migruar, qoftë aktualisht jashtë vendit, apo i kthyer nga emigracioni. Rreth 22 për qind e familjeve kanë anëtarë aktualisht jashtë Shqipërisë, ndërsa 20 për qind kanë të paktën një migrant të kthyer. Në plotësim të Anketës, Studimi Cilësor i udhëhequr nga IOM në bashkëpunim me GIZ, analizon se si migracioni, kthimi dhe angazhimi i diasporës përjetohen dhe menaxhohen nga individët, familjet, autoritetet vendore dhe institucionet në mbarë vendin. Studimi konfirmon se diaspora shqiptare mbetet shumë e motivuar për të kontribuar, me shumë persona të angazhuar aktivisht në ruajtjen e kulturës, mentorimin profesional, investim dhe dialogun politik. Megjithatë, ky angazhim shpesh kufizohet nga mangësi institucionale, përfshirë mungesën e mekanizmave të strukturuar për angazhim afatshkurtër ose në distancë, dukshmëri dhe komunikim të kufizuar, sfida organizative dhe mungesë të financimit të qëndrueshëm.
Sa i përket investimeve, anëtarët e diasporës përballen me pengesa të shumta, si akses i kufizuar në informacion mbi tregun, kuadër rregullator jo të qartë, mbështetje institucionale të dobët dhe mungesë stimujsh konkret. Për të kthyerit, gjetjet cilësore nxjerrin në pah fragmentimin e mbështetjes për riintegrim, boshllëqe koordinimi në nivel vendor, barriera specifike gjinore në punësim dhe trajnim, si dhe rrezikun e vazhdueshëm të rimigrimit të parregullt në rastet kur përpjekjet për riintegrim dështojnë. Sfida të veçanta vazhdojnë për grupet vulnerabël, përfshirë gratë, pakicat dhe të kthyerit jo vullnetarë.
Së bashku, dy studimet ofrojnë një pamje gjithëpërfshirëse të migracionit në Shqipëri. Gjetjet evidentojnë njëkohësisht sfida strukturore dhe mundësi të qarta, përfshirë rëndësinë e koordinimit ndërmjet nivelit kombëtar dhe atij vendor, aksesin në informacion dhe shërbime për të kthyerit, si dhe potencialin e aftësive, përvojës dhe lidhjeve ndërkombëtare për të kontribuar në zhvillimin lokal, kur ekzistojnë korniza mbështetëse të përshtatshme.
Elsa Dhuli, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT, tha se “Migracioni është një realitet strukturor për shoqërinë shqiptare dhe kjo pasqyrohet qartë edhe në shifrat e anketës. Mesazhi kryesor është i qartë: migracioni sjell njëkohësisht përfitime dhe kosto, dhe balanca mes tyre varet nga politikat që ndërmerren. Statistikat nuk janë thjesht një pasqyrim i realitetit, por një mjet konkret për vendimmarrësit. Ato duhet të shërbejnë për të identifikuar problematikat, për të orientuar ndërhyrjet publike dhe për të vlerësuar efektin e politikave, me qëllim që migracioni të kontribuojë më shumë në mirëqenien sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.”
Ingrid Macdonald, Koordinatore Rezidente e OKB-së në Shqipëri, u shpreh se, “Të kuptuarit se pse njerëzit lëvizin, ku lëvizin dhe si kontribuojnë është thelbësor, veçanërisht për një vend si Shqipëria, ku migracioni ka formësuar prej kohësh shoqërinë. Të dhënat e besueshme janë një domosdoshmëri që u mundësojnë politikëbërësve të kuptojnë ndryshimet në kohë reale, të parashikojnë nevojat e ardhshme dhe të hartojnë përgjigje gjithëpërfshirëse, të përqendruara te njerëzit dhe sa më efektive.”
Evis Sulko, Zëvendës Drejtuese e Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, u shpreh: Anketa e Migracionit pranë Familjes përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e ekosistemit të të dhënave mbi migracionin në Shqipëri. Përmirësimi i mënyrës se si migracioni matet dhe kuptohet mbështet vendimmarrje më të mira politike dhe ndihmon që migracioni të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.”
Sonja Kurz, Drejtore e GIZ Albania, tha: “Migracioni ka formësuar prej kohësh zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe, ndonëse ofron mundësi të mëdha, ai paraqet edhe sfida komplekse. Pikërisht për këtë arsye, institucione të forta, politika të koordinuara dhe të dhëna të besueshme janë themelore. Për ne si partner zbatues, të dhënat solide janë thelbësore për të dizajnuar programe efektive dhe për të arritur ndikim real.”
Sipas Alma Jani, Drejtuese e Zyrës së IOM në Shqipëri, u shpreh: “Për herë të parë, Shqipëria përfiton nga një analizë e kombinuar sasiore dhe cilësore e migracionit. Kjo qasje na lejon të kuptojmë rrugët e migracionit në mënyrë më gjithëpërfshirëse, duke lidhur të dhënat me perspektivat e institucioneve, komuniteteve dhe diasporës, dhe duke mbështetur politika të orientuara drej sw ardhmes.
