stoicizmi

5 rregulla stoike për një jetë të lumtur

Nga Steve Burns

Filozofët e lashtë stoikë zbuluan diçka që psikologjia moderne sapo ka filluar ta konfirmojë: lumturia nuk varet nga ndryshimi i rrethanave të tua, por nga ndryshimi i mënyrës si mendon.

Ndërsa ne kërkojmë zgjidhje të jashtme për probleme që lindin brenda nesh blejmë më shumë, synojmë më shumë, por përfundojmë duke u stresuar edhe më shumë, stoikët krijuan një mënyrë të të menduarit që e trajton vuajtjen në rrënjë.

Idetë e tyre mbeten jashtëzakonisht aktuale sepse natyra njerëzore nuk ka ndryshuar në 2,000 vjet. Ankthi që ndien për karrierën, marrëdhëniet apo të ardhmen është i njëjti ankth që ndiente Mark Aureli ndërsa sundonte një perandori.
Dallimi është se ai kishte një grup parimesh që funksiononin vërtet. Këto pesë rregulla stoike ofrojnë mençuri praktike për të përballuar jetën moderne me më pak stres dhe më shumë kënaqësi.

1. Kontrollo aq sa mundesh, prano atë që nuk mundesh

Pjesa më e madhe e vuajtjes vjen nga përpjekja për të ndryshuar gjëra që nuk varen nga ne. Motin, mendimet e të tjerëve, rënien e tregjeve apo trafikun, të gjitha këto konsumojnë energjinë tonë mendore, por nuk ndikohen aspak nga shqetësimi ynë.
Stoicizmi ofron një zgjidhje çliruese: përqendrohu vetëm tek ajo që mund të ndikosh.

Marcus Aurelius e shprehu këtë mençuri në mënyrë të përsosur:
“Ti ke fuqi mbi mendjen tënde, jo mbi ngjarjet e jashtme. Kuptoje këtë dhe do të gjesh forcën.”

Fuqia e vërtetë nuk qëndron në kontrollin e rrethanave, por në zotërimin e reagimit ndaj tyre.
Nuk mund të kontrollosh nëse punëdhënësi yt bën shkurtim stafi, por ke në dorë mënyrën se si e menaxhon situatën kur kjo ndodh.

Nuk mund të kontrollosh performancën e investimeve çdo tremujor, por mund të kontrollosh kërkimin dhe menaxhimin e rrezikut.

Ky parim e kthen ankthin në veprim. Kur ndalon së luftuari me realitetin dhe fillon të bashkëpunosh me të, stresi natyrshëm ulet. Në vend që të rrotullohesh në mendime për të kaluarën apo të ardhmen, përqendrohesh tek zgjedhja e tanishme.
Ky ndryshim i vetëm i perspektivës i ka ndihmuar shumë njerëz të përballojnë pasiguritë me më shumë qetësi dhe efektshmëri.

2. Jeto të tashmen

Mendja jonë rrallë ndodhet aty ku jemi ne. E tashmja po të kalon pa e vënë re ndërkohë që po përsërit gabimet e djeshme ose mendja po stërvitet për problemet e nesërme. Ky “udhëtim në kohë” i mendjes krijon një lloj vuajtjeje të çuditshme, ne stresohemi për ngjarje që kanë përfunduar ose nuk kanë ndodhur ende.

Marcus Aurelius këshillonte:
“Mos lejo që e ardhmja të të shqetësojë. Kur të vijë, do ta përballosh me të njëjtat mjete të arsyes që ke sot.”

Kjo nuk do të thotë të mos planifikosh. Stoikët ishin njerëz praktikë. Por ata nuk lejonin që frikërat e së ardhmes t’u vjedhin paqen e së tashmes.
Kur e sjell vëmendjen në të tashmen, kupton se shumica e problemeve ekzistojnë vetëm në mendje, jo në realitet. Mund të jesh ulur rehat tani, por të ndihesh i mërzitur për diçka që ndodhi javën e kaluar ose për diçka që mund të ndodhë muajin tjetër.

Stoikët e kuptuan se ky zakon i projektimit mendor krijon vuajtje të panevojshme dhe e zvogëlon aftësinë tonë për të përballuar sfidat reale.
Duke ushtruar veten të kthehesh vazhdimisht tek momenti i tanishëm, rifiton kontrollin mbi të vetmen kohë ku mund të veprosh dhe të përjetosh jetën me të vërtetë.

3. Vlerëso ato që ke

Kultura moderne promovon një ekuacion të rrezikshëm: ‘Se lumturia barazohet ateher kur arrijmë atë që duam’. Kjo formulë garanton pakënaqësi të vazhdueshme, sepse dëshira zgjerohet më shpejt sesa arritjet që realizon. Merr një ngritje në detyrë dhe menjëherë dëshiron një tjetër. Një pistë vrapi nuk të çon kurrë në destinacioni.

Stoicizmi e përmbys këtë ekuacion duke sugjeruar se lumturia vjen atëherë kur i gëzohesh atyre gjërave që ke. Ndjesia e pasurisë nuk përcaktohet nga bilanci bankar, por nga hendeku mes asaj që posedon dhe asaj që mendon se të nevojitet. Dikush që fiton shuma gjashtëshifrore mund të ndihet i varfër, ndërsa dikush me të ardhura shumë më të ulëta mund të ndihet i begatë, ndryshimi qëndron te perspektiva dhe pritjet.

Praktikimi i mirënjohjes nuk do të thotë të heqësh dorë nga ambicia. Do të thotë të pranosh se kërkimi i kënaqësisë përmes blerjes është një strategji e gabuar. Stoikët sugjeronin të reflektosh rregullisht mbi mundësinë e humbjes, që të vlerësosh më shumë atë që ke sot. Ky reflektim nuk është pesimizëm i zymtë, por është një ushtrim për të mprehur perspektivën. Kur vlerëson atë që ke, lakmia për më shumë zbutet natyrshëm. Mund t’i ndjekësh ende qëllimet e tua, por nga një gjendje të qetësie e jo nga një mungesë e dëshpëruar. Kjo e bën vetë rrugën më të këndshme dhe pengesat më të lehta.

4. Merri sfidat si trajnim

Çdo sfidë me të cilën përballesh është ose një pengesë që të ndalon, ose një ushtrim që të forcon ndryshimi varet tërësisht nga interpretimi yt. Stoicizmi e shikon vështirësinë si një palestër ku ndërtohet karakteri dhe mprehen aftësitë.

Mark Aureli e shprehu qartë këtë: “Pengesa për veprim e shtyn veprimin përpara. Ajo që të del përballë, bëhet vetë rruga.” Pengesat nuk e bllokojnë rrugën tënde ato janë  rruga jote.

Biseda e vështirë që po shmang, zhvillon aftësinë tënde për të komunikuar. Pengesa financiare që të tremb, të mëson qëndrueshmërinë dhe zgjuarsinë. Kritika që të dhemb, të rafinon gjykimin.

Kjo mënyrë të menduari e transformon krejt marrëdhënien me vështirësitë. Në vend që të pyesësh “Pse po më ndodh kjo?”, fillon të pyesësh “Çfarë po më mëson kjo?” Sfidat kthehen në mundësi, jo në prova të padrejtësisë. Dështimi bëhet informacion, jo identitet. Vështirësia kthehet në mësim, jo në ndëshkim.

Stoikët nuk e kërkonin vuajtjen, por e njihnin se vështirësitë e pashmangshme janë trajnimi më i rëndësishëm për mençurinë, guximin dhe forcën.

5. Vepro me virtyt, jo me emocione

Emocionet janë lajmëtarë të vlefshëm, por udhëheqës të këqij. Zemërimi mund të duket i justifikuar, por shpesh sjell pasoja të padëshiruara. Frika të mbron nga rreziqet, por edhe të pengon të rritesh.

Stoicizmi nuk kërkon shtypjen e emocioneve, kjo është e pamundur dhe e pashëndetshme. Ai të mëson t’i vëzhgosh ato pa u sunduar prej tyre dhe më pas të veprosh duke u mbështetur në arsyen dhe virtytin.

Epikteti e shpjegoi mrekullisht: “Po të ja jepje trupin tënd dikujt rastësor në rrugë, do të zemërohesh. Por mendjen ia dorëzoni kujtdo që të fyen.”

Kur dikush të ndërpret në trafik dhe ti rri i zemëruar për një orë, ata po e kontrollojnë gjendjen tënde emocionale nga larg.

Të veprosh me virtyt do të thotë të zgjedhësh reagime që burojnë nga parimet, jo nga impulset. Reagimet emocionale janë të parashikueshme dhe lehtësisht të manipulueshme. Reagimet parimore janë të fuqishme dhe të lira.

Kur e stërvit veten të bëjë një pauzë mes stimulit dhe reagimit, rimerr kontrollin mbi të vetmen gjë që të përket realisht: mbi zgjedhjet e tua.

Këto pesë rregulla stoike ndajnë një ide të përbashkët. Ato e zhvendosin fokusin nga rrethanat e jashtme tek reagimet e brendshme. Lumturia nuk gjendet në kontrollin e botës përreth, por në zotërimin e mendjes tënde.

Këto nuk janë parime abstrakte filozofike, janë mjete praktike të provuara ndër shekuj. Fillon me një rregull dhe praktikojeni çdo ditë. Vërej si stresi zvogëlohet dhe efektiviteti rritet.

Jeta e lumtur nuk është e ndërlikuar, por kërkon ushtrim të vetëdijshëm dhe ndershmëri me veten.

newtraderu

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top