Amazon rendit mbi 60,000 tituj librash për udhëheqjen. Por, me gjithë këtë përmbajtje dhe ekspertizë që ekziston, ne vazhdojmë të përballemi me të njëjtën pyetje:
Si paraqitet në të vërtetë një udhëheqje e shkëlqyer?
Pas viteve duke trajnuar udhëheqës dhe duke parë kompani që lulëzojnë (dhe disa që shpërbëhen), kam arritur në një përfundim të thjeshtë dhe të fuqishëm:
Udhëheqja e shkëlqyer ka të bëjë me shërbimin ndaj të tjerëve.
Jo në një mënyrë të butë apo pasive. E kam fjalën për shërbim të vërtetë. Strategjik, i qëllimshëm dhe thellësisht njerëzor. Ai lloj shërbimi që vendos punonjësit në të njëjtin nivel me klientët. E ndonjëherë, edhe përpara tyre.
Nuk do të thotë t’u dorëzosh timonin punonjësve, por t’i fuqizosh ata të bëjnë punën e tyre më të mirë dhe të krijosh një ambient ku duan të prezantohen dhe të kontribuojnë. Këtë bëjnë kompanitë më të mira në botë.
Mënyra e të Menduarit e Udhëheqësve të Mëdhenj
Kjo formë mendimi ka një emër: Udhëheqje në shërbim të të tjerëve (Servant Leadership).
Jo të gjithë besojnë në këtë praktikë, por, për ata që besojnë kanë një qasje e guximshme për të frymëzuar njerëzit të bëjnë gjëra të mëdha. Dhe funksionon.
Këtu janë pesë shenja që tregojnë se je në rrugën e duhur të udhëheqjes në shërbim, ose që ke gjetur dikë që mund të udhëheqë një ekip drejt madhështisë:
- Lidhesh lehtësisht dhe sinqerisht me njerëzit
Udhëheqësit e mëdhenj nuk fshihen pas titujve. Ata shfaqen si qenie njerëzore të vërteta dhe janë aq të përulur sa nuk kanë frikë të pranojnë gabimet apo të thonë: “Gabova.”
Aty është pika ku shumica e shefave ndalen dhe largohen nga ideja e udhëheqjes në shërbim. Ata mendojnë se duke pranuar dobësitë, humbasin pushtetin. Gabim. Të tregoni se jeni i cënueshmëm krijon një efekt zinxhir: kur udhëheqësit pranojnë njerëzoren e tyre, kjo u jep leje edhe të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. Papritur bëhet e sigurt të flasësh, të rrezikosh dhe të thuash: “Gabova—por ja çfarë mësova.”
Kjo është mënyra se si ndërtohet një kulturë e shëndetshme.
- Krijon siguri psikologjike për të gjithë, jo vetëm për disa të zgjedhur
Nuk ke nevojë të jesh më i zëshmi në dhomë për të udhëhequr. Mjafton të jesh ai që i bën të tjerët të ndihen të përfshirë.
Ti përfshin qëllimisht njerëz me prejardhje, këndvështrime dhe aftësi të ndryshme. Nuk shmang bisedat e vështira, por heq frikën nga ekuacioni që njerëzit të ndihen të sigurt të kontribuojnë, të sfidojnë, të debatojnë dhe të krijojnë.
Me pak fjalë, ti ndërton besim dhe me besim, ekipet lulëzojnë.
- Udhëheq me dhembshuri, jo vetëm me empati
Empati është të ndjesh me dikë. Dhembshuria është të ndjesh me dikë dhe të ndihesh i shtyrë të veprosh.
Nuk është vetëm “Të dëgjoj.” Është “Të dëgjoj dhe jam me ty.” Udhëheqje me dhembshuri do të thotë që kërkon në mënyrë aktive forma për të hequr pengesat, për të zvogëluar vuajtjet dhe për të ndihmuar njerëzit të rriten. Shumë kërkime e mbështesin këtë: mjediset e punës të ndërtuara mbi dhembshuri kanë më shumë inovacion, performancë më të lartë dhe mbajtje më të mirë të stafit.
Në fund të fundit, mirësia është një përparësi strategjike.
- Je transparent, jo misterioz
Njerëzit nuk kanë pse të hamendësojnë çfarë po ndodh “pas perdes” kur ti je aty. Ti ndan informacionin, shpjegon vendimet dhe siguron që njerëzit të kuptojnë “pse-në” pas punës.
Kjo lloj hapjeje ul ankthin, rrit besimin dhe bashkon njerëzit rreth një misioni të përbashkët. Qasja e vjetër “vetëm kush ka nevojë ta dijë” është një relike. Udhëheqësit më të mirë të sotëm funksionojnë me qartësi dhe janë të hapur dhe ekipet e tyre reagojnë me besnikëri dhe performancë.
- Fuqizon njerëzit të udhëheqin, jo vetëm të ndjekin
Kjo është ajo që i ndan shefat nga udhëheqësit e vërtetë. Ti nuk mikromenaxhon dhe nuk mban pushtetin për vete. Ti fuqizon njerëzit. Je trajner, mentor dhe krijon hapësirë që të tjerët të shkëlqejnë. Feston fitoret dhe ndan meritat bujarisht. Dhe mbi të gjitha, udhëheq në një mënyrë që ndihmon të tjerët të bëhen udhëheqës gjithashtu.
Dhe për të përfunduar: Nëse dikush të ka thënë ndonjëherë: “Ti ke potencial udhëheqës,” ndoshta është sepse tashmë po jeton disa nga këto parime.
Mos harro: sot, udhëheqja e vërtetë nuk ka të bëjë me karizmën, me prezencën ekzekutive apo me pushtetin.
Ka të bëjë me shërbimin, përulësinë dhe guximin.
Ajo lloj udhëheqjeje që krijon ekipe që njerëzit nuk duan të braktisin.