gjuhë misterioze

7 gjuhë misterioze që ende nuk janë deshifruar

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

A ju pëlqen të zgjidhni enigma? Po sikur t’ju jepej një kod i huaj për ta deshifruar, pa asnjë udhëzues gramatikor dhe pa fjalor?
Kjo është pikërisht sfida me të cilën përballen arkeologët dhe gjuhëtarët përballë disa sistemeve të lashta të shkrimit, që edhe sot mbeten të padëshifruara, pavarësisht përparimeve teknologjike.

Këto shkrime i përkasin qytetërimeve të zhvilluara, por kuptimi i tyre na shpëton ende. Ato janë dëshmi të kulturave që kanë ekzistuar, por zëri i të cilave nuk mund të lexohet.

Svenja Bonmann, specialiste e gjuhësisë historike-krahasuese në Universitetin e Këlnit në Gjermani, merret pikërisht me këtë sfidë, dëshifrimin e gjuhëve të lashta dhe rindërtimin e strukturave të tyre.

“Më tërheq shumë ideja për t’u përballur me një enigmë intelektuale kaq të vështirë, saqë edhe mendjet më të ndritura nuk kanë arritur ta zgjidhin,” thotë ajo.

“Këto shkrime na japin qasje në një kulturë që ka humbur prej kohësh si një makinë kohe që na lejon të ndërveprojmë, qoftë edhe pasivisht, me një botë të huaj.”

Fokusi aktual i kërkimit të Bonmann është sistemi i shkrimit Epi-Olmek, i përdorur dikur në bregdetin jugor të Meksikës. Edhe pse disa mbishkrime dhe simbole tregojnë se bëhet fjalë për një formë të hershme shkrimi, numri i teksteve është shumë i vogël dhe konteksti historik i pasigurt, gjë që e bën deshifrimin jashtëzakonisht të vështirë.

Po aq misterioz është edhe shkrimi i Luginës së Indusit, i njohur si qytetërimi Harapan, në territorin e sotëm të Indisë veriperëndimore dhe Pakistanit. Ai shfaqet në qindra vula dhe copëza qeramike, por pothuajse gjithmonë në sekuenca shumë të shkurtra. Ende debatohet nëse përfaqëson një gjuhë të plotë apo thjesht një sistem simbolesh.

Edhe Rongorongo, shkrimi i zbuluar në Ishullin e Pashkëve (Rapa Nui, Kili), është shumë abstrakt. Ai përbëhet nga glife që paraqesin zogj, njerëz apo forma zbukuruese. Janë ruajtur vetëm disa pllaka druri, shumë prej të cilave janë dëmtuar.

Më shumë dihet për qytetërimin minoik në ishullin grek të Kretës. Por nga tre sistemet e tij të shkrimit, vetëm Linear B një formë e hershme e greqishtes është deshifruar. Hieroglifet kretase dhe Linear A mbeten ende një mister.

Një tjetër enigmë është Disku i Famshëm i Festosit, një objekt balte me simbole spirale, që mendohet se janë stampuar para pjekjes. I zbuluar në fillim të shekullit XX dhe që daton rreth vitit 1700 p.e.s., ai është unik  dhe pikërisht kjo e bën thuajse të pamundur deshifrimin.

Edhe etruskishtja, gjuha e lashtë e Italisë qëndrore, mbetet pjesërisht e pakuptueshme. Alfabeti lexohet, pasi rrjedh nga greqishtja, por vetë gjuha nuk ka pothuajse asnjë të afërm të njohur.

Po kështu, Proto-Elamitishtja, tradita më e hershme e shkrimit dhe administrimit në territorin e Iranit të sotëm, nuk i përket asnjë familjeje të njohur gjuhësore. Shenjat janë të kataloguara, por tabletat janë shpesh fragmente dhe përmbajtja ngjan me shënime administrative.

Të gjitha këto sisteme kanë një problem të përbashkët, mungesën e një “Guri të Rozetës”, një tekst paralel në një gjuhë të njohur, që do të shërbente si çelës. Pikërisht një objekt i tillë mundësoi deshifrimin e hieroglifeve egjiptiane.

Megjithatë, Bonmann thekson se një tekst dygjuhësh nuk është gjithmonë i domosdoshëm.

“Shembulli i Linear B tregon se deshifrimi është i mundur edhe pa të, nëse ekziston një vazhdimësi me periudha historike përmes emrave të vendeve, sundimtarëve apo perëndive.”

Problemi bëhet pothuajse i pakapërcyeshëm kur tekstet janë shumë të shkurtra, të pakta dhe të gjetura në vende të shkatërruara ose të dokumentuara dobët.
“Ne gjithmonë punojmë me fragmente të së shkuarës,” thotë Bonmann, duke shtuar se në rajone si Amerika Qendrore, shumë dëshmi janë shkatërruar nga pushtimet koloniale.

A mund të ndihmojë inteligjenca artificiale?

Sot, gjithnjë e më shumë, inteligjenca artificiale (IA) po përdoret për të thyer kode të vështira. Ajo mund të analizojë modele, të numërojë frekuenca, të dallojë variante shenjash dhe madje të plotësojë pjesë të dëmtuara.

Por sipas Bonmann, IA ka ende kufizime serioze, sidomos kur bëhet fjalë për sasi shumë të vogla teksti.
“IA ka nevojë për shumë të dhëna për të njohur modele. Është pak e mundshme që në të ardhmen e afërt të zhvillohen programe që funksionojnë me kaq pak material.”

Ajo shton se inteligjenca artificiale më shumë kombinon informacione ekzistuese sesa krijon ide vërtet të reja. Kjo ndonjëherë çon në interpretime elegante, por shkencërisht të pasakta, duke reflektuar edhe paragjykimet e studiuesve që e trajnojnë sistemin.

Ndoshta pikërisht kjo i bën këto shkrime kaq tërheqëse, fakti që, edhe në epokën e teknologjisë së avancuar, disa zëra nga e kaluara mbeten të heshtur.

“Sa dimë ne, njerëzit janë e vetmja specie me ndjenjë historie. Ne mendojmë se nga vijmë dhe ku po shkojmë,” thotë Bonmann.

“Të reflektosh mbi shoqëritë e së shkuarës, mënyrën si funksionuan dhe pse u zhdukën, është në thelb të të qenit njeri.”

dw.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top