Investitorët që po hedhin para në inteligjencën artificiale përballen me një rrezik të madh: OpenAI. Është e vërtetë që rritja e shpejtë e kompanisë që krijoi ChatGPT është mbresëlënëse, dhe të ardhurat vjetore pritet të trefishohen këtë vit. Por një rritje e papritur e vlerës nga 300 miliardë dollarë në 500 miliardë dollarë, sipas raportimeve tregon një besim shumë të madh tek një model biznesi ende i papjekur. Nëse ky besim tronditet, edhe kompanitë e tjera që ndjekin hapat e saj do të preken.
OpenAI, e drejtuar nga Sam Altman, ndezi “ethet” e AI kur lansoi ChatGPT në vitin 2022. Kompania pritet të arrijë 700 milionë përdorues aktivë në javë gjatë gushtit. Më pak se 10% e tyre paguajnë për planet mujore që kushtojnë 20 ose 200 dollarë. Shpresa është që numri i përdoruesve të rritet aq shpejt, sa kjo pjesë e vogël e abonentëve të mbulojë kostot e mëdha të përdorimit të teknologjisë, e cila kërkon kompjutera shumë të fuqishëm.
OpenAI është edhe lider në përdorimin nga bizneset, duke zënë 34% të tregut amerikan të kompanive që paguajnë për AI (deri në qershor). Rivali Anthropic ka 10% dhe po kërkon financim të ri që mund ta vlerësojë në 170 miliardë dollarë, gati trefishi i vlerës që kishte në mars. Të dyja po rriten me shpejtësi. OpenAI pritet të arrijë 20 miliardë dollarë të ardhura vjetore deri në fund të vitit, nga 5.5 miliardë vitin e kaluar. Anthropic mund të arrijë 4 miliardë dollarë nga 1 miliard në fund të vitit 2024.
Por a e justifikon kjo ethe investimesh? Edhe në një skenar shumë optimist, ku këto kompani arrijnë marzhe fitimi si Google ose Microsoft deri në vitin 2030, vlerësimet e tyre sot nënkuptojnë që OpenAI duhet të gjenerojë mbi 225 miliardë dollarë të ardhura në pesë vjet dhe Anthropic mbi 75 miliardë. Për krahasim, Nvidia pritet të arrijë rreth 350 miliardë dollarë deri atëherë.
Tregu i AI është i ri dhe me mundësi të shumta, por ka edhe probleme. Sipas S&P Global, 42% e kompanive kanë ndërprerë këtë vit projektet e AI për shkak të vështirësive, nga vetëm 17% vitin e kaluar. AI kërkon shkallë të madhe përdorimi dhe investime të kushtueshme në trajnim dhe serverë. OpenAI po planifikon të ndërtojë qendra të dhënash për të ulur kostot, por kjo merr kohë. Ndërkohë, publikimi falas i modeleve të hapura mund të ulë numrin e abonentëve.
Investitorët duket se besojnë se OpenAI mund të kapërcejë këto pengesa. Por nëse Altman dështon, ky besim do të shembet. Për momentin, tregu mbahet gjallë nga pritshmëritë për rritje të pafundme dhe pretendime gjithnjë e më të mëdha për fuqinë e teknologjisë. Pa këto, llogaritë nuk dalin.
Reuters raportoi se OpenAI po diskuton për një shitje aksionesh për punonjësit që mund ta vlerësojë kompaninë në rreth 500 miliardë dollarë. Në mars, kompania kishte përfunduar një raund financimi me vlerë 300 miliardë dollarë.
Bloomberg raportoi se Anthropic është pranë një marrëveshjeje për të mbledhur deri në 5 miliardë dollarë, që do ta vlerësonte në 170 miliardë, shumë më lart se vlerësimi 61.5 miliardë dollarë në mars.