Ndryshimet i klimës po e shndërrojnë verën në një sfidë të re për njerëzit në shumë vende, duke e bërë çështjen e mbinxehjes së banesave një problem gjithnjë e më të dukshëm.
Në Angli, një raport i Resolution Foundation tregon se gati gjysma e familjeve më të varfra jetojnë në banesa me rrezik të lartë mbinxehjeje, tre herë më shumë se familjet më të pasura. Këto janë kryesisht banesa të vogla, apartamente të mbipopulluara ose shtëpi në zona urbane të dendura, si Londra, ku efekti “ishull i nxehtësisë” e rrit ndjeshëm temperaturën.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është vetëm një çështje rehatie: temperaturat e larta brenda banesave lidhen me probleme serioze shëndetësore, si çrregullime të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, pagjumësi dhe rritje të rrezikut të vdekjes, veçanërisht te të moshuarit. Për këtë arsye, ata kërkojnë që standardet e ndërtimit të përshtaten jo vetëm për dimrat e ftohtë, por edhe për verërat gjithnjë e më të nxehta që po bëhen pjesë e realitetit.
Ndërkohë, edhe në Shqipëri po shfaqen shqetësime të ngjashme, nuk janë bërë studime për banesat e vendit tonë, por një studim i vitit 2024 nga Polis University dhe Technical University of Turin ka analizuar fenomenin e “ishullit të nxehtësisë urbane” në Tiranë, duke evidentuar se mungesa e hapësirave të gjelbra, përdorimi i materialeve që thithin nxehtësinë dhe ndërtimet e dendura po rrisin temperaturat në qytet dhe po ndikuar në cilësinë e jetesës. Kjo situatë rëndohet edhe nga fakti se Tirana po përjeton një mbi-ngarkesë ndërtimesh të reja, me kulla dhe komplekse që shtohen dita-ditës. Çmimet e banesave kanë arritur nivele të larta, por mbetet e paqartë se sa është marrë në konsideratë rezistenca e tyre ndaj sfidave klimatike të së ardhmes. Studiuesit sugjerojnë ndërhyrje si shtimi i pemëve dhe hapësirave të gjelbra, përdorimi i materialeve reflektuese në fasada dhe çati, si dhe një planifikim urban që lejon qarkullimin e ajrit. Nëse Anglia po diskuton ndryshimin e rregulloreve për të mbrojtur banesat nga mbinxehja, pyetja që lind është: Po Shqipëria si do gjendet përballë këtij realiti dhe a do të merren masa për t’u përshtatur me verërat që çdo vit po bëhen më të nxehta?