Mijëra hektarë tokë, kafshë dhe dhjetëra banesa të djegura nga zjarret. Një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa mijëra zjarrëfikës e punonjës të emergjencave civile janë në aksion. Pamjet e dhimbshme na raportohen, ndërsa ka nisur diskutimi për mungesën e duhur të investimeve për rritjen e mbrojtjes në raste emergjencash.
Ndonëse zjarret, janë një rrezik i pa parashikuar (zjarrëvënia e qëllimshme dënohet me 5-20 vjet burg), Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit janë paralajmëruar prej vitesh nga Banka Botërore për rreziqet e larta që i kanosen rajonit nga ndryshimet klimatike. Në raportet e saj të përvitshme ekonomike, ka vënë theksin tek nevoja për investime serioze në këtë drejtim, për të shmangur dëmët në njerëz si dhe dëmet e mëdha ekonomike.
Vitin e kaluar, Banka Botërore theksoi në Raportin Rajonal për Klimën se, “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim për mbrojtjen e popullatës nga ndryshimet klimatike”. Sipas raportit, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë të prekura seriozisht nga rreziqet natyrore.
“Gjatë dekadës së fundit, përmbytjet kanë prekur 2 milionë njerëz, zjarret janë shtuar me 21%, ndërsa thatësirat e zgjatura dhe valët e të nxehtit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thekson BB.
Sipas ekonomistëve të Bankës Botërore, “Përmbytjet pritet të shkaktojnë dëmin më të madh i PBB-së në të gjitha vendet, duke filluar nga rreth 15% humbje në vitin 2050 PBB për Serbinë dhe rreth 3% të humbjes së PBB-së për Maqedoninë e Veriut nën trendin e rritjes. Ndikimi i thatësirës, i modeluar nëpërmjet ndikimit të saj në prodhimin e misrit dhe grurit, do të jetë më i vogël, duke qenë se këto kultura përbëjnë një pjesë të vogël të prodhimit bujqësor.”
Banka vlerëson se dëmet nga rreziqet klimatike mund të lehtësohen nëpërmjet investimeve të përshtatjes dhe ndërhyrjeve të hershme, ku sipas saj çdo dollar i shpenzuar do të sjellë 4 dollarë në përfitime të ardhshme.
Krahasuar me dhjetë vite më parë, numri i zjarreve është shtuar mbi 21%, sipas Bankës Botërore, e cika ka theksuar shprehimisht, se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të përforcojnë aftësinë ripërtëritëse lidhur me klimën në mbrojtje të popullsisë dhe përshpejtimin e rritjes
Së bashku, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim me për një mbrojtje eficente të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike, thotë Raporti rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor (CCDR) i Grupit të Bankës Botërore.
Përfitimet nga veprimet në kuadër të klimës do të ishin tejet të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Investimet në këtë kuadër do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetëve njerëzore, pasurive dhe rënies së prodhimtarisë, si dhe do të kontribuonin në rritje më të shpejtë ekonomike.
Për këtë rajon, që aktualisht është i ndikuar seriozisht nga ndryshimet klimatike, mosveprimi nuk është alternativë e mundshme. Për shembull, përmbytjet kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi dy milion njerëz gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që ndikimet priten të përkeqësohen në kuadër të reshjeve më ekstreme që priten. Zjarret janë një tjetër kërcënim gjithnjë e më i madh. Në vitin 2021 janë regjistruar 1.500 syresh, me rritje prej 21% krahasuar me dhjetëvjeçarin e fundit. Thatësirat po ndikojnë negativisht prodhimin bujqësor, ndërsa valët e të nxehtit po rrisin ndotjen e ajrit, duke shkaktuar mijëra vdekje të parakohshme në Ballkanin Perëndimor çdo vit.
“Ndryshimet klimatike janë kërcënim i qartë ndaj zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, tha Xiaoqing Yu, Drejtor Vendi i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Kostot e investimeve për përshtatje janë të konsiderueshme. Por, lajmi i mirë është që përfitimet e tyre janë edhe më të mëdha. Përgatitja për rreziqet klimatike na mundëson të shpëtojmë jetë, të mbrojmë komunitetet vendore, dhe të nxisim rritjen ekonomike”.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, investimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sjellin përfitime të konsiderueshme, ku çdo 1$ i investuar përkthehet në rreth 4$ përfitime.
Vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu duhet të pakësojnë shkarkimet e tyre të gazrave serrë, me qëllim që të vijojnë të konkurrojnë, të përforcojnë sigurinë e energjisë dhe të tërheqin investime ndërkombëtare. Megjithatë, arritja e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 në përmbushje të objektivave evropianë, do të kërkonte investime shtesë me vlerë prej 32 miliard Dollarë.
Shkarkimet e gazrave serrë në nivelin zero neto në mbarë ekonominë deri në vitin 2050 janë të arritshme nëse energjia diellore, e erës dhe ajo hidrike arrijnë të prodhojnë 95% të të gjithë energjisë, çka do të përbënte rritje të konsiderueshme krahasuar me nivelin aktual të një të tretës të të gjithë prodhimit energjetik.
Për më tepër, shkarbonizimi i sektorit të ndërtimit përmes investimeve për eficiencën e energjisë është element thelbësor. Edhe sektori i transportit duhet të transformohet thellësisht përmes uljes së kërkesës për mjete dhe kalimit drejt mënyrave më të qëndrueshme të transportit dhe tranzicionit drejt mjeteve elektrike.
Raporti thekson se një pjesë e konsiderueshme e financimit mund të vijë nga sektori privat. Megjithatë, me qëllim vënien në lëvizje të investimeve private, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të garantojnë kuadro ligjore të qëndrueshme dhe tregje financiare tërheqëse për të nxitur shoqëritë të angazhohen në mundësitë që krijohen nga tranzicioni.
“Përshtatja me ndryshimet klimatike është element kyç për vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim rritjen e potencialit dhe nxitjen e rritjes së fuqishme dhe të qëndrueshme”, tha Nicolas Marquier, Menaxher Rajonal i IFC- për Ballkanin Perëndimor. “Në këtë kuadër, pjesëmarrja e sektorit privat është thelbësore. Raporti paraqet një shteg të qartë me afatet përkatëse për arritjen e këtij ndryshimi drejt zeros neto dhe për të garantuar mbrojtjen dhe përfitimet e komuniteteve vendore nga ky tranzicion i gjelbër”.
CCDR-ja për Ballkanin Perëndimor rekomandon një sërë politikash me qëllim udhëzimin e tranzicionit të rajonit drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Këto rekomandime janë të organizuara në tre kategoritë e mëposhtme të politikave:
- Të ndërthurura: Është e nevojshme që përpjekjet për përshtatje dhe zbutje të integrohen në të gjitha institucionet, me qëllim zbatimin e veprimeve të efektshme për ndryshimet klimatike. Për shembull, duhet të ngrihen agjenci ose komisione të specializuar dhe të përqendruara tek klima, dhe angazhimet kombëtare për ndryshimet klimatike duhet të shërbejnë si kapacitet këshillimor për të gjitha çështjet që lidhen me klimën:
- Ndërkufitare: Bashkëpunimi ndërkufitar është thelbësor për trajtimin e risqeve klimatike që shkojnë përtej kufijve gjeografikë. Forcimi i institucioneve rajonale është veprim kyç për mundësimin e bashkërendimit në fusha si sistemet e paralajmërimit të hershëm, menaxhimin e burimeve të përbashkëta, ose sistemet e harmonizuara të energjisë.
- Të synuara: Trajtimi i nevojave të veçanta të komuniteteve të cenueshme është element thelbësor për zgjidhjet e efektshme dhe zbatimin e politikave. Politikat e synuara përfshijnë reformat në arsim dhe formim me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore, si dhe përpjekjet për zbatimin e praktikave inteligjente në lidhje me klimën.