Një emër i vlerësuar i diplomacisë shqiptare, ish Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ftohet nga Universiteti i Harvardit për të kontribuar në fushën e kërkimit dhe edukimit mbi diplomacinë europiane, rolin e marrëdhënieve SHBA-BE në Prosperitetin e Europës Juglindore.
Z.Bushati e ka vlerësuar Harvard si fuqia e mendimit dhe zemra e ideve novatore.
Kam patur fatin të jem dy herë në Harvard. Si ministër, ku kam mbajtur një fjalë me studentët për sfidat me të cilat ndeshet Europa Juglindore, dhe më herët si pjesëmarrës i një programi ekzekutiv për negociatat”, theksoi ai përmes mediave sociale.
Z.Bushati i bashkohet Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit të Harvardit për këtë vit akademik, duke u angazhuar në projekte kërkimore dhe në një cikël leksionesh me studentë, pedagogë dhe studjues, mbi rolin e marrëdhënieve SHBA-BE në konsolidimin e paqes dhe prosperitetit në Europën Juglindore.
Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare, e themeluar në 1958 nga Henry Kissinger dhe Robert Bowie, është institucioni më i madh i kërkimit në Universitetin e Harvardit lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ai e cilëson qëndrën si pikë takimi të akademikëve dhe njerëzve të praktikës nga e gjithë bota, duke pasqyruar në këtë mënyrë një angazhim të hershëm për të lidhur në jetë studimet me praktikën. “Kësisoj, e konsideroj një eksperiencë të vyer, pasi jo vetëm do të kem mundësi të kontribuoj bazuar në përvojën time, por edhe të mësoj nga të tjerët”.
Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla ka pësuar goditje të fortë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë dhe konfliktit të ripërtërirë në Lindjen e Mesme, sipas tij, duke theksuar se, “për rajonin tonë, pasojat janë të qarta, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike dhe çështjet e pazgjidhura të shtetësisë”. Për z.Bushati, momenti aktual është tejet sfidues, pasi ekspozon një hendek: nevoja për bashkërendim SHBA-BE në rajonin tonë vijon të jetë e madhe, ndërkohë që hapësira për bashkëpunim mes tyre duket se po ngushtohet. “Ndaj është e rëndësishme të shqyrtohen politikat, instrumentet dhe modelet e bashkëpunimit SHBA-BE në Europën Juglindore, në funksion të një agjende transformuese dhe konsolidimit të projektit europian të rajonit”, thekson ai.
Universiteti i Harvardit është prej kohësh një vatër e personaliteteve shqiptare. Figura jonë e shquar Theofan Stilian Noli, është studenti i parë shqiptar i diplomuar në Harvard, i ndjekur nga shumë emra në rolin e studentit dhe më vonë edhe profesorit. Vitet e fundit, Gjuha Shqipe, është bërë pjesë e lëndëve në Katedren e Gjuhëve dhe Cilvilizimit të Lindjes së Afërt. Më herët është ngritur Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Harvard (HSASA), e cila ka ftuar ne takime dhe leksione të hapura emra të shquar shqiptarë në fushën e politikës, ekonomisë, drejtësisë, medias, artit dhe sportit.