Lajmet sot janë më të aksesueshme se kurrë, por pikërisht kjo po bëhet problem. Përballë një lumi të pafund informacioni dhe lajmesh negative, shumë njerëz në mbarë botën po zgjedhin të mos i ndjekin më.
Pse ndodh kjo?
Arsyet ndryshojnë: disa ndihen të lodhur nga sasia e madhe e lajmeve, të tjerë nga ndikimi negativ emocional i titujve, dhe disa kanë humbur besimin tek mediat. Në forume online mbi mirëqenien mendore, njerëzit diskutojnë për mënyra se si të vendosin kufij ose edhe të heqin krejt lajmet nga jeta e tyre.
“Që kur nuk i ndjek më lajmet, nuk ndjej më ankth apo frikë,” thotë Mardette Burr, një pensioniste nga Arizona që i ka lënë mënjanë lajmet prej 8 vitesh. “Ka pasur raste që zgjohesha natën i mërzitur për gjëra që nuk kisha asnjë mundësi t’i ndryshoja.”
Një fenomen global
Sipas një sondazhi vjetor të Reuters Institute for the Study of Journalism, shmangia e lajmeve është në nivel rekord. Në gati 50 vende, 40% e të anketuarve thanë se shpesh ose ndonjëherë shmangin lajmet në rritje nga 29% në vitin 2017. Në SHBA shifra është 42%, ndërsa në Britani 46%. Arsyeja kryesore? Lajmet ndikojnë negativisht në humor.
Njerëzit gjithashtu ankohen se ka tepër mbulim për luftëra dhe konflikte, ose se informacioni nuk u sjell ndonjë dobi praktike.
Julian Burrett, një profesionist marketingu nga Britania, thotë se u shkëput nga lajmet gjatë pandemisë pasi ndiente sikur ishte bërë i varur nga ato. Ai fshiu aplikacionet e mediave nga telefoni dhe nuk sheh më edicione lajmesh. Madje krijoi edhe një grup në Reddit për të ndarë këshilla mbi shmangien e lajmeve.
Disa njerëz zgjedhin mënyra të ndryshme: njëri lexon lajmet vetëm një herë në javë, një tjetër i shmang krejt për shkak të mosbesimit tek mediat, ndërsa një amerikan nga Maryland thotë se përpiqet të shohë vetëm titujt për të ruajtur qetësinë.
Ndikimi tek shëndeti mendor
Studimet tregojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj lajmeve, sidomos në TV dhe rrjete sociale, dhe veçanërisht lajmeve tragjike, mund të dëmtojë shëndetin mendor. Profesorja Roxane Cohen Silver nga Universiteti i Kalifornisë ka studiuar për vite efektet e konsumimit të lajmeve gjatë krizave si 11 Shtatori, pandemia Covid-19, fatkeqësitë klimatike apo të shtënat masive.
Sipas saj, sa më shumë njerëzit ekspozohen, aq më të mëdha janë simptomat e ankthit, depresionit dhe stresit. Polarizimi politik në SHBA është një burim tjetër i madh stresi, i renditur nga sondazhet bashkë me ekonominë dhe lajmet e rreme.
Smartfonët dhe rrjetet sociale e kanë shtuar edhe më tej ekspozimin, duke e bërë pothuajse të pamundur të shmangësh njoftimet apo imazhet tronditëse që shpërndahen lirshëm online.
Si mund të mbrohemi?
Këshillat e specialistëve përfshijnë:
-
vendosjen e kufijve kohorë për ndjekjen e lajmeve,
-
fikjen e njoftimeve “push”,
-
leximin e përmbledhjeve nga burime të besueshme,
-
shmangien e videove dhe imazheve grafike.
“Një person mund të jetë i informuar pa qenë i zhytur në ‘doomscrolling’,” thotë Silver. Ajo vetë lexon lajmet, por nuk klikon kurrë mbi videot.
Kufizim apo shmangie totale?
Studiuesi Benjamin Toff nga Universiteti i Minesotës bën dallimin mes atyre që thjesht kufizojnë konsumin e lajmeve – gjë që ai e quan të shëndetshme – dhe atyre që shmangin lajmet plotësisht, çka sipas tij mund të thellojë ndarjet shoqërore dhe të dobësojë pjesëmarrjen politike.
Studimet tregojnë se shmangia e vazhdueshme e lajmeve është më e zakonshme tek të rinjtë, gratë dhe shtresat me të ardhura më të ulëta.
“Toff thekson se nëse duam një shoqëri ku të gjithë kanë mundësi të barabarta për t’u përfshirë politikisht, atëherë shmangia totale e lajmeve është problem.”
theguardian