Fenomeni natyror i motit La Niña, i cili ftoh sipërfaqen e Paqësorit, pritet të rikthehet mes shtatorit dhe nëntorit, por kjo nuk do të ndalojë rritjen e temperaturave për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, paralajmëroi Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).
Çfarë është La Niña?
La Niña është një dukuri natyrore që ndodh herë pas here dhe sjell ftohjen e ujërave në Paqësorin qendror dhe lindor. Kjo shkakton ndryshime në erëra, reshje shiu dhe presion atmosferik. Ajo alternohet me fenomenin e kundërt, El Niño, që ngroh oqeanet dhe shpesh sjell thatësira në disa zona dhe përmbytje të forta në të tjera.
Sipas WMO, që nga muaji mars kanë mbizotëruar kushte neutrale, por tani ka rreth 55% gjasa që temperaturat e Paqësorit të bien në nivele të La Niña-s mes shtatorit dhe nëntorit. Për periudhën tetor–dhjetor, probabiliteti rritet deri në 60%. Ndërkohë, shanset për zhvillimin e El Niño në këtë periudhë janë shumë të vogla.
Çfarë efektesh sjell La Niña?
La Niña shpesh ka pasoja të kundërta me ato të El Niño-s, sidomos në zonat tropikale. Nga viti 2020 deri në 2023 pati një La Niña të pazakontë dhe të zgjatur, e cila shkaktoi si thatësira ashtu edhe përmbytje në shumë vende. Ishte hera e parë në shekullin XXI që ndodhi një “triple-dip” La Niña (tre vite radhazi).
Temperaturat mbeten të larta pavarësisht ftohjes
Megjithatë, edhe pse La Niña ka efekt ftohës, ajo nuk ka arritur të ndalojë rritjen e temperaturave globale. Dhjetë vitet e fundit janë regjistruar si dhjetë vitet më të nxehta ndonjëherë, dhe 2024 është shpallur viti më i nxehtë në histori.
WMO thekson se fenomenet natyrore si La Niña apo El Niño zhvillohen mbi një sfond të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, të cilat po e çojnë temperaturën globale gjithnjë e më lart, duke shtuar motin ekstrem dhe duke ndikuar tek reshjet dhe modelet e temperaturave sezonale.
Në përditësimin e fundit, agjencia tha se për periudhën shtator–nëntor temperaturat pritet të jenë mbi normalen në pjesën më të madhe të hemisferës veriore dhe në zona të gjera të hemisferës jugore.