Arkeologët

Arkeologët zbulojnë në Bulqizë një varr monumental të periudhës romake

Nëntoka shqiptare vijon të ruajë pasuri të mëdha arkeologjike. Një varr monumental me 3 dhoma, që vlerësohet se i përket shekullit III -IV es, është zbuluar nga arkeologët në Bulqizë. 
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka bërë të ditur se gjatë punimeve të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë, është zbuluar varri i parë monumental i periudhës romake në Shqipëri, me përmasa mbresëlënëse dhe elementë të rrallë arkitektonikë e epigrafikë.

Monumenti (rreth 9 m x 6 m, me dhomë funerare 2.40 m të lartë) ka dalë në dritë me një mbishkrim bilingual romak, kushtuar individit të varrosur – Gelliano-s – dhe perëndisë Jupiter. Ky është mbishkrimi i parë i këtij lloji i zbuluar ndonjëherë në zonën e Dibrës, theksohet në njoftimin e Ministrisë.

Varri, i konceptuar me tre ambiente (dhomë varrimi, paradhomë dhe shkallare monumentale), ka ruajtur pjesë të inventarit arkeologjik: enë qelqi, objekte kocke, armë, si dhe fragmente tekstili të thurura me fije ari, dëshmi e statusit të lartë të të ndjerit.
Strukturat e sipërme sugjerojnë se monumenti ka pasur tipologjinë e një mausoleumi, duke e bërë këtë zbulim të pazëvendësueshëm për studimin e kohës romake në Shqipëri.

Për shkak të rëndësisë së veçantë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Ruajtjes së Trashëgimisë Kluturore Tiranë dhe në koordinim me Institutin e Arkeologjisë, do të ndjekin procedurat për vendosjen në mbrojtje paraprake të këtij siti arkeologjik.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top