Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri organizoi një tryezë të rrumbullakët mbi çështjet mjedisore, ku u mblodhën gazetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Diskutimi, ku morën pjesë 22 gazetarë dhe aktivistë, u moderua nga Besjana Guri, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës LUMI dhe fituese e Çmimit Mjedisor Goldman 2025 për Evropën.
Duke drejtuar debatin, Guri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes gazetarëve dhe shoqërisë civile për të ekspozuar korrupsionin dhe abuzimet që dëmtojnë mjedisin në Shqipëri. Ajo nënvizoi se vetëm përmes një pune të përbashkët mund të forcohet llogaridhënia dhe të mbrohet interesi publik përballë presioneve të projekteve të mëdha energjetike dhe zhvillimore.
Në qendër të diskutimeve ishin: ndikimi mjedisor i projekteve të energjisë (fotovoltaike dhe turbina me erë), menaxhimi i burimeve ujore dhe lumenjve, vlerësimi kumulativ i zhvillimeve në zonat e mbrojtura, menaxhimi i mbetjeve, përgjegjësitë e mbivendosura mes institucioneve vendore dhe qendrore, si edhe pasojat e ndryshimeve klimatike në bujqësi dhe shëndetin publik.
Tryeza u zhvillua në kuadër të projektit “Nxitja e Llogaridhënies përmes Gazetarisë Investigative”, të mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Përfundimet e saj do të shërbejnë si bazë për një thirrje të ardhshme për grante investigative që do të mbështesin gazetarët në hetimin e korrupsionit dhe abuzimeve në sektorin mjedisor.
Me rolin e saj udhëheqës, Besjana Guri po shndërrohet në një nga zërat më të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe llogaridhënien publike në Shqipëri, duke i dhënë jehonë çështjeve jetike që prekin shëndetin dhe të ardhmen e komuniteteve.