IA

The Harvard Crimson shkruan, “IA-le rrezikon qëllimin e shkencave humane”

Në një artikull të botuar në Harvard Crimson, autorët Adam N. Chiocco dhe Allison P. Farrell, shprehen se përdorimi i inteligjencës artificiale gjenerative nuk duhet të lejohet në kurset e shkencave humane.

Ata theksojnë se nuk janë kundër përdorimit të mjeteve digjitale në tërësi. Kontrolli i drejtshkrimit, për shembull, i shpëton profesorët dhe redaktorët nga humbja e kohës me tekste të mbushura me gabime, ndërsa fjalorët e sinonimeve ndihmojnë studentët të shprehen më saktë.

Por, sipas tyre, inteligjenca artificiale është thelbësisht e ndryshme, sepse “mendon” për përdoruesin. Ka një dallim të madh, shkruajnë autorët, mes korrigjimit të një gabimi drejtshkrimor dhe riformulimit të fjalive për qartësi, sugjerimit të kundërshembujve apo ristrukturimit të tërë një eseje.

Në artikull theksohet se detyrat në shkencat humane nuk janë menduar të jenë shkrime të përsosura, por mjete për të mësuar si të shprehesh dhe të angazhohesh në një proces thellësisht njerëzor. Sipas tyre, edhe eseja më e dobët e shkruar pa ndihmën e AI e përmbush këtë qëllim shumë më mirë sesa një tekst i riformuluar nga ChatGPT.

Autorët vërejnë gjithashtu se politikat mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në Harvard ndryshojnë shumë: disa profesorë e lejojnë në shumicën e rasteve me citim, të tjerë e ndalojnë plotësisht, ndërsa disa vendosin një mesatare duke dalluar mes përdorimeve të pranueshme dhe të papranueshme. Por, sipas tyre, edhe përdorimet që duken të padëmshme humbin thelbin e arsimit humanitar, sepse qëllimi është të mësosh si të shkruash, të lexosh dhe të mendosh, edhe në mënyrë të papërsosur.

“Dikur, sugjerimet për të përmirësuar shkrimin vinin nga bisedat me bashkëmoshatarët, dhe studentët duhej të mësonin të kritikonin vetë punën e tyre pa ndihmën e një asistenti personal 24/7”, shkruajnë ata. Nëse përdorimi i IA lejohet, studentët humbasin mundësinë për të zhvilluar aftësinë për biseda intelektuale dhe mendim krijues.

Në artikull theksohet gjithashtu se shkencat humane humbasin elementin e tyre thelbsorë, njerëzor duke përdorur IA-le për çdo gjë. Një chatbot nuk ka përvojë subjektive për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh njeri, gjë që është në themel të filozofisë, letërsisë dhe fushave të tjera humanitare.

Duke iu përgjigjur argumentit se ndalimi i IA nuk do të ketë efekt, pasi disa studentë do ta përdorin gjithsesi, autorët thonë se ulja e standardeve për të gjithë nuk i shërben askujt. “Ne nuk e lejojmë kopjimin vetëm sepse e dimë që shumë do të kopjojnë; po kështu nuk duhet të inkurajojmë përdorimin e IA thjesht sepse disa do të tundohen ta përdorin”, shkruajnë ata.

Artikulli përfundon me thirrjen që Harvard të ndërhyjë për të forcuar cilësinë e arsimit humanitar: “Nëse universiteti shqetësohet se programet e tij po humbasin rigorozitetin nga inflacioni i notave dhe mungesat, mund të nisë ndryshimin duke e adresuar këtë problem: ndaloni përdorimin e IA dhe cilësia e arsimit humanitar në Harvard do të përmirësohet.”

Sipas autorëve, e ardhmja e shkencave humane mund të jetë e pasigurt, por një gjë është e qartë: ajo do të mbetet gjithmonë një përpjekje thellësisht njerëzore.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top