Ditmir Bushati

Analizë, Ditmir Bushati: “Njeriu apo inteligjenca artificiale? Të rinjtë duhen motivuar për të ruajtur nivelin e përsosmërisë njerëzore të ndërtuar ndër breza”

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili i është bashkuar së fundmi Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit të Harvardit për këtë vit akademik, ka ndarë në rrjetet e tij sociale një reflektim mbi kontrastin mes njeriut dhe Inteligjencës Artificiale, duke theksuar se pavarësisht zhvillimeve të mëdha teknologjike, gjykimi dhe përpjekja njerëzore mbeten të pazëvendësueshme.

“Puna krijuese vjen gjithnjë përmes përpjekjesh të mundimshme…”, shkruan Bushati, duke kujtuar se çdo projekt kërkon kohë dhe përkushtim. Ai ngre pyetjen nëse Inteligjenca Artificiale mund ta ndryshojë këtë proces apo madje ta zëvendësojë njeriun, për të theksuar më pas se studimet, përfshirë një të fundit nga Universiteti i Harvardit, arrijnë në përfundimin se teknologjia nuk mund të marrë përgjegjësitë ligjore, intelektuale dhe morale që i takojnë individit.

Sipas Bushatit, elementë të caktuar të punës njerëzore mund t’i besohen Inteligjencës Artificiale, por “në asnjë rast nuk mund të kontraktohet përgjegjësia njerëzore”. Ai thekson se përdorimi i saj, pa krijuar një kulturë institucionale të bazuar mbi dijen dhe meritën, nuk mund të ofrojë zgjidhje ndaj fenomeneve si korrupsioni apo keqqeverisja.

Bushati sjell edhe shembuj personalë, duke e konsideruar Inteligjencën Artificiale si një “bashkëautor” që ndihmon në përmirësimin e punës në pak sekonda, por nënvizon se gjithçka nis nga të menduarit dhe se gjykimi njerëzor është i pazëvendësueshëm për shoqërinë.

Në përfundim, ai apelon për edukim dhe motivim të brezave të rinj që të ruajnë dhe zhvillojnë kapacitetin njerëzor, duke u përqendruar tek leximi, përpjekja dhe përsosmëria, e jo tek “eksperimentet e dëmshme” që rrezikojnë ta zbehin rolin e njeriut.

Nga Ditmir Bushati: “Njeriu apo inteligjenca artificiale”

Nuk është një temë debati apo çështje titujsh sensacional vetëm në Shqipëri. Tema është aktuale por përgjigjja në shoqëritë demokratike vjen përmes politikave që bazohen në studime të mirë-vërtetuara.

Puna krijuese vjen gjithnjë përmes përpjekjesh të mundimshme. Orë të tëra të kaluara duke parë faqen bosh, projekte të hedhura tutje e të rinisura nga fillimi. Shkurt, çdo punë krijuese e çdo projekt kërkon kohë e përkushtim.
– A mund ta ndryshojë Inteligjenca Aritificale këtë gjë?
– A mund të kemi produkt pa punë dhe pa përpjekje?
– A mund ta zëvendësojë Inteligjenca Artificiale njeriun?
Një studim i fundit i Universitetit të Harvardit arrin në përfundimin se, Inteligjenca Artificiale, edhe pse ka lehtësuar ndjeshëm jetën tonë, nuk mund ta zëvendësojë njeriun, dhe as nuk mund të shërbejë si ilaç ndaj vesit njerëzor.
Elementë të caktuar të procesit të punës së njeriut mund t’i besohen Inteligjencës Artificale. Por në ato raste ku puna ka lidhje të drejtpërdrejtë me përgjegjësinë individuale, ligjore apo pronësinë intelektuale, Inteligjenca Artificiale nuk e zëvendëson dot njeriun.
Inteligjenca Artificiale kërkon pregatitjen e burimeve njerëzore dhe një kulturë të lartë institucionale, çka shpesh na mungon. Përdorimi i saj, pa krijuar një sistem që bazohet mbi dijen dhe meritën, nuk na i lan hesapet as me korrupsionin dhe as me keqqeverisjen. Është mirë të fokusohemi se si Inteligjenca Artificiale mund të përmirësojë punën tonë në një aspekt apo fushë specifike. Bota njeh plot të tilla si: zbulimet në fushën e ilaçeve, proteinave apo mjekësisë.
Falë zhvillimeve teknologjike, kushdo që përgatit një ligj, dokumentacion specifik për një garë, shkruan një artikull apo një libër mund ta bëjë atë më shpejt me një bashkëautor të inteligjencës artificiale. Për shembull, më ka ndodhur që ta thërras në ndihmë Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar një punë që mund të më ketë marrë ditë apo javë të tëra. Ndërkohë që Inteligjenca Artificiale e ka përmirësuar në vetëm pak sekonda. Qëllimisht e konsiderova “bashkëautor” pasi nuk është vetëm shkrimi. Gjithçka fillon prej të menduarit. Pra, në asnjë rast nuk mund të kontraktohet përgjegjësia njerëzore, sepse gjykimi njerëzor mbetet i pazëvendësueshëm për shoqërinë.
Ndaj, duhet të nxisim edukimin që zhvillon kapacitetin njerëzor duke lexuar vetë, bie fjala një tekst të caktuar, dhe jo ta marrim të gatshëm nga Inteligjenca Artificiale. Duhet ta luftojmë dembelizmin dhe politikat që ofrohen si përftuese të aftësive për hir të aftësive.
Të rinjtë duhen motivuar për të ruajtur nivelin e përsosmërisë njerëzore që brezat e mëparshëm e kanë bërë të mundur, edhe pse është tunduese ta kontraktojnë atë. Duhet të gjejmë mënyra për t’u përqendruar në të jetuarit e një jete njerëzore, pa e cënuar atë, duke përmirësuar standardet përmes vlerësimit të dijes dhe përpjekeve njerëzore, dhe jo duke rendur pas eksperimenteve të dëmshme.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top