aspirina

Një dozë e ulët ditore aspirine përgjysmon rrezikun e rikthimit të kancerit pas operacionit, thonë studiuesit suedezë

Një dozë e përditshme aspirine mund të ulë ndjeshëm rrezikun e rikthimit të disa llojeve të kancerit kolorektal pas operacionit, sipas një prove të madhe mbi efektet mbrojtëse të këtij ilaçi të përdorur gjerësisht.

Studiuesit suedezë zbuluan se pacientët që morën një dozë të ulët aspirine çdo ditë pasi u ishte hequr tumori, kishin gjysmën e mundësisë që kanceri të rikthehej gjatë tre viteve të ardhshme, krahasuar me ata që morën placebo.

Prova klinike përfshiu pacientë me tumore që mbanin mutacione gjenetike specifike, të cilat i bëjnë më të ndjeshëm ndaj efekteve anti-kancer të aspirines. Rreth 40% e pacientëve me kancer kolorektal kanë mutacione të tilla.

“Besoj se kjo do të ndryshojë praktikën klinike,” tha Prof. Anna Martling, që drejtoi provën Alascca në Institutin Karolinska në Stokholm. “Tek pacientët me këto mutacione, rreziku që kanceri të rikthehej u ul me më shumë se 50%. Është një efekt i madh.”

Çdo vit, afro 2 milionë njerëz diagnostikohen me kancer kolorektal në mbarë botën, me më shumë se 40 mijë raste vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Shumë prej tyre i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e tumoreve, por, pavarësisht përparimeve në kimioterapi, radioterapi dhe kirurgji, kanceri mund të rikthehet nëse qeliza të mbetura nuk eliminohen plotësisht.

Rastet e kancerit të zorrës së trashë po rriten në mbarë botën tek njerëzit nën 50 vjeç, dhe ndonëse arsyet mbeten të paqarta, shkencëtarët dyshojnë te ushqimet e shpejta, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe toksinat e prodhuara nga bakteret e zorrëve.

Studime të mëparshme kishin treguar se aspirina mund të ndihmojë në parandalimin e kancerit kolorektal tek personat me rrezik të lartë për shkak të kushteve trashëgimore si sindroma Lynch. Por deri tani nuk ishte e qartë nëse ilaçi zvogëlonte gjasat e rikthimit të kancerit pas operacionit.

Martling dhe kolegët e saj rekrutuan mbi 3,500 pacientë që kishin pasur tumore kolorektale të hequra në spitale të Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Finlandës. Testet gjenetike të kryera tek 2,980 pacientë zbuluan se 1,103 (37%) kishin mutacione në gjenet që përbëjnë rrugën biologjike të quajtur PI3K, e lidhur me zhvillimin e kancerit kolorektal.

Pacientët me këto mutacione u ndanë në mënyrë të rastësishme për të marrë 160 mg aspirinë në ditë ose placebo për tre vjet pas operacionit. Rezultatet treguan se ata që morën aspirinë kishin 55% më pak gjasa që kanceri të rikthehej. Ilaçi duket se mbron duke ulur inflamacionin, ndërhyrë në rrugën PI3K dhe duke zbehur aktivitetin e trombociteve të gjakut, të cilat mund të rrethojnë qelizat tumorale dhe t’i fshehin ato nga sistemi imunitar.

Martling theksoi se rezultatet nënvizojnë nevojën për testime gjenetike tek të gjithë pacientët me kancer kolorektal, në mënyrë që ata që mund të përfitojnë nga aspirina të trajtohen me këtë ilaç. “Është një medikament i disponueshëm gjerësisht dhe jashtëzakonisht i lirë,” tha ajo.

Megjithatë, përdorimi afatgjatë i aspirines mbart edhe rreziqe. Në provë, katër pacientë patën “ngjarje të rënda anësore” të mundshme të lidhura me aspirinën, përfshirë reaksione alergjike, gjakderdhje gastrointestinale dhe gjakderdhje në tru. Katër pacientë humbën jetën gjatë studimit në të dyja grupet, me një rast që mund të ketë qenë i shkaktuar nga aspirina. Detajet e plota janë publikuar në New England Journal of Medicine.

Dr. Catherine Elliott, drejtoreshë e kërkimit në Cancer Research UK, tha: “Parandalimi i rasteve të kancerit shpëton jetë, dhe gjetja e mënyrave të reja për ta arritur këtë është thelbësore në përpjekjet tona për të luftuar kancerin. Ka gjithnjë e më shumë prova se tek disa grupe njerëzish, aspirina në doza të ulëta mund të ofrojë mbrojtje nga kanceri i zorrës së trashë.

Studimi CaPP3, i financuar nga Cancer Research UK, tregoi një efekt të ngjashëm tek personat që jetojnë me sindromën Lynch, një gjendje trashëgimore që rrit rrezikun për kancer të zorrës së trashë dhe llojeve të tjera të kancerit.

Nevojiten studime më të mëdha dhe më cilësore, si CaPP3 dhe ky kërkim i fundit, për të konfirmuar se kush përfiton më shumë nga marrja e aspirines, në mënyrë që të jetojnë më gjatë e më mirë, pa frikën e rikthimit të kancerit.”

Theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top