Ekspertizë nga Marcel Schwantes
Pa përputhje, rrezikoni lodhje, vetësabotim dhe shkëputje nga puna.
Në botën e biznesit po ndodh një ndryshim interesant. Një numër gjithnjë e më i madh drejtuesish të lartë, madje CEO shumë të suksesshëm po kërkojnë këshillim për të rritur vetëdijen mbi besimet kufizuese dhe mënyrën e të menduarit. Sipas Schwantes, shumë prej tyre po kuptojnë se bota e tyre e brendshme dhe ajo e jashtme nuk janë më në harmoni.
Mund të jesh jashtëzakonisht i suksesshëm dhe me titull të rëndësishëm, biznes që lulëzon, ekip me performancë të lartë dhe sërish të ndjesh se diçka nuk shkon. Ndoshta kjo shfaqet si mendim i tepërt, një ndjenjë shkëputjeje mes maskës që vesh në punë dhe vetes tënde të vërtetë, ose kur fjalët dhe veprimet nuk përputhen. Vlerat dhe sjelljet nuk janë në harmoni. Mund të ndihesh i lodhur nga vendimet që duken të sakta, por nuk ndihen të tilla.
Schwantes shpjegon se kjo ndjesi është një sinjal: mungesa e përputhjes, kur suksesi i jashtëm nuk reflekton më vlerat, qëllimin apo të vërtetën tënde të brendshme.
Çfarë është përputhja?
Përputhja është gjendja kur bota jote e brendshme (vlerat, besimet, emocionet dhe qëllimi) është në sinkron me botën tënde të jashtme (veprimet, vendimet dhe prania si lider).
Të jetosh dhe të udhëheqësh në përputhje do të thotë të paraqitesh i njëjtë në çdo rrethanë, pa pasur nevojë të ndërrrosh maska. Do të thotë të marrësh vendime nga një vend i qëndrueshëm, jo nën presion, nga egoja ose ankthi për performancën. Përputhja nuk nënkupton perfeksion; është të jesh i plotë dhe autentik, edhe kur nuk ke të gjitha përgjigjet. Kur udhëheq nga kjo gjendje, të tjerët e ndiejnë është e dukshme.
Tre hapa drejt përputhjes
1. Rikthehu tek vetja jote e vërtetë
Schwantes thekson se gjithçka nis me vetëdijen. Shumica udhëheqin nga jashtë–brenda, duke u fokusuar te perceptimet, pritshmëritë dhe rezultatet. Por rrallë ndalojnë për të pyetur: “A jam ende në përputhje me atë që jam në të vërtetë?”
Hapat e rekomanduar për këtë janë:
-
Kontrollo vlerat thelbësore: çfarë ka më shumë rëndësi për ty tani?
-
Vëzhgo sinjalet e brendshme: kur diçka ndihet e rëndë ose e sforcuar, ndalo dhe pyet pse.
-
Analizo historinë që i tregon vetes: po thuash “po” vetëm për t’u pëlqyer të tjerëve? Po luan një rol që nuk të përshtatet më?
Kjo është punë guximtare dhe kërkon të ngadalësohesh për të dëgjuar veten.
2. Ki guximin të jesh autentik
Pasi të jesh më në kontakt me të vërtetën tënde, udhëheqja në përputhje kërkon të veprosh mbi atë të vërtetë. Autenticiteti nënkupton:
-
Të thuash atë që duhet thënë, me qartësi dhe kujdes.
-
Të marrësh vendime që reflektojnë vlerat e tua, jo frikërat.
-
Të lejosh të tjerët të shohin versionin e vërtetë tënd, jo imazhin e kuruar.
Autenticiteti nuk është oversharing; është integritet. Kur fjalët dhe veprimet përputhen me qëllimin, krijohet besim – fillimisht me veten dhe më pas me të tjerët.
3. Bëj që bota jote e brendshme dhe e jashtme të jenë në një linjë
Këtu ndodh transformimi i vërtetë. Kur liderët përjetojnë përputhje, zhduket hendeku mes asaj që ndiejnë dhe asaj që bëjnë. Maskat bien, nuk ka më hamendësime apo mbivendosje rolish. Udhëheqja buron nga qendra jote.
Disa pyetje që Schwantes sugjeron për të mbështetur këtë proces:
-
A po respektoj kufijtë e mi?
-
A është kalendari im në përputhje me prioritetet e mia?
-
A po më çojnë zgjedhjet e mia drejt apo larg qëllimit tim?
Përgjigjet që ndien më thellë janë udhërrëfyesi yt për të riorganizuar jetën dhe udhëheqjen.
Pse ka rëndësi përputhja?
Pa të, rrezikon lodhje, vetësabotim dhe shkëputje nga puna. Me të, udhëheq me qartësi, besim dhe qetësi; ekipet ndihen më të sigurta; vendimet janë më të pastra; dhe ndihesh më i përmbushur.
Schwantes thekson: liderët më të fuqishëm punojnë vazhdimisht për përputhjen e tyre. Kur janë në harmoni me veten, udhëheqja e tyre nuk është vetëm efektive është magnetike.
Ftesa e Schwantes: Ngadalëso, dëgjo, përputhu dhe udhëhiq nga brenda–jashtë.