Të dhënat e fundit të Komisionit Europian dhe Eurostat tregojnë se niveli i arsimit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat personale në të gjithë Evropën.
Sipas raportit “Investing in Education 2025” të Komisionit Europian, vetëm një vit shtesë shkollimi mund të rrisë të ardhurat e një individi me rreth 7% në Evropë. Jo rastësisht, të diplomuarit në universitet fitojnë dukshëm më shumë krahasuar me ata që kanë arsim të mesëm ose të ulët.
Sa është diferenca e të ardhurave sipas nivelit të arsimit?
Eurostat raporton se të ardhurat mesatare neto të disponueshme në BE – të rregulluara sipas madhësisë së familjes ishin 21,644 euro në vitin 2024. Por kjo shifër ndryshon ndjeshëm në varësi të nivelit arsimor:
-
17,517 euro për individë me arsim të ulët (niveli ISCED 0–2: parashkollor, fillor dhe 9-vjeçar),
-
21,401 euro për arsim të mesëm (niveli 3–4: gjimnaz dhe pasgjimnaz jo-universitar),
-
29,490 euro për arsim të lartë (niveli 5–8: universitet dhe më tej).
Kjo do të thotë se të diplomuarit në universitet në BE fitojnë mesatarisht 38% më shumë se ata me arsim të mesëm dhe 68% më shumë se ata me arsim të ulët.
Diferenca nga vendi në vend
Hendeku i të ardhurave mes atyre me arsim të lartë dhe atyre me arsim të mesëm ndryshon ndjeshëm në Evropë:
-
Nga 6% në Islandë në ekstrem të ulët,
-
Deri në 62% në Turqi në ekstrem të lartë.
Në BE, diferencat më të mëdha regjistrohen në Lituani (+57%), Rumani (+51%), Bullgari dhe Mal të Zi (+48%), si dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku një diplomë universitare jep një përfitim të madh në paga.
Në vendet nordike, diferenca është më e vogël: 6% në Islandë, 9% në Norvegji, 16% në Suedi, 19% në Danimarkë dhe 15% në Austri.
Në pesë ekonomitë më të mëdha të Evropës, hendeku është mesatar: 30% në Itali dhe Gjermani, 33% në Britaninë e Madhe, 34% në Francë dhe Spanjë.
Krahasimi mes arsimit të ulët dhe të lartë
Në nivelin e BE-së, të diplomuarit në universitet fitojnë mesatarisht 68% më shumë se ata me arsim të ulët, ndërsa në disa vende ky raport është edhe më i madh:
-
Në Bullgari (+178%), Rumani (+148%), Serbi (+114%), Turqi (+111%), Shqipëri (+108%), Maqedoninë e Veriut (+106%) dhe Mal të Zi (+100%), një diplomë universitare dyfishon ose më shumë të ardhurat krahasuar me arsim fillor ose të ulët.
Ndërkohë, diferencat më të vogla gjenden në vendet nordike dhe të Evropës Qendrore: 14% në Islandë, 24% në Norvegji, 29% në Danimarkë dhe 36% në Finlandë.
Pse disa vende kanë hendek më të madh?
Ekspertët theksojnë se ndryshimet lidhen jo vetëm me tregun e punës, por edhe me politikat fiskale dhe sociale.
-
Në vendet nordike dhe në Austri, sistemi i taksave dhe përfitimeve sociale, bashkë me sindikatat e forta dhe standardet e larta të tregut të punës, bëjnë që hendeku mes arsimit të mesëm dhe të lartë të jetë i vogël.
-
Në vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit, ku rrjetet sociale janë më të dobëta, tregu i punës është më informal dhe dominon sektori i vogël privat, diferencat janë shumë më të mëdha.
Sipas Dr. Gabriel Zajur, ekspert social pranë Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore, “hendeku i vogël nuk është dështim i arsimit të lartë, por sukses i modelit social”, duke theksuar se në Gjermani, Austri dhe Zvicër, sistemi dual i arsimit profesional (VET) u siguron individëve me arsim të mesëm paga të mira dhe role produktive.
Në të kundërt, në vendet ku diplomimi sjell rritje të madhe të pagave, shpesh bëhet fjalë për ekonomi me paga të ulëta, me siguri më të vogël sociale dhe më pak barazi.
Euronews