Merr jetë projekti i ndarjes së mbetjeve në burim
Në Qytetin Studenti, një nismë e re mjedisore po i jep frymë të ardhmes së qytetit tonë. Solar Energy Solutions Shpk, në bashkëpunim më Bashkinë e Tiranës ka vënë në zbatim projektin “Efiçenca Mjedisore në Qytetin Studenti” me vendosjen e koshave të rinj për ndarjen e mbetjeve në burim në godinat nr.11 dhe nr.12.

Nuk bëhët fjalë vetëm për një instalim të ri pajisjesh, por për fillimin e një nisme edukative dhe praktike për të gjithë banorët dhe ku studenti bëhet protagonist i ndryshimit pozitiv.
Nisma,e cila përfshiu një fushatë intensive të ndërgjegjësimit, synon të mobilizojë brezin e ri për të adaptuar praktika të qëndrueshme dhe për t’u bërë pjesë aktive në mbrojtjen e mjedisit.
Në fushatën informuese morën pjesë Drejtori i Rezidencës Studentore Universitare, Z.Olsi Shahini; Eksperti i Energjisë Z.Lorenc Gordani , Eksperti i Mjedisit Z.Dritan Gorica, përfaqësues të Bashkisë Tiranë, studentë, stafi i Qytetit Studenti dhe përfaqësues të kompanisë Solares.

Studentët përmes pjesëmarrjes aktive do të kontribuojnë në ruajtjen e burimeve natyrore, uljen e mbetjeve dhe për t’u angazhuar në transformimin e qytetit në një ambjent më të pastër dhe të shëndetshëm.
Si do të funksionojë sistemi i ri?
Në çdo kat të dy godinave, studentët kanë në dispozicion katër konteinerë të rinj me ngjyra të ndryshme, secili me një kapacitet prej 80 litrash, të ndarë sipas llojit të mbetjeve.
Koshat Blu për mbetjet plastike si shishe, kavanoza dhe qese;
Koshat Kafe për mbetjet prej alumini si kanaçe dhe tapa;
Koshat Jeshilë për mbetjet e letrës dhe kartonit si fletë, gazeta dhe kuti pakoje;
Koshat e Verdhë për mbetjet organike nga ushqimi si psh: mbetje frutash, perimesh, çaji etj.

Për mbledhjen përfundimtare, në ambjentet e jashtme të godinave janë vendosur tetë konteinerë më të mëdhenj, me kapacitet 120 litra, të etiketuar me të njëjtat kategori duke siguruar një zgjidhje të plotë dhe të organizuar.
Pse konsiderohet një hap i rëndësishëm?
Kjo praktikë ka impakte të drejtëpërdrejta në:
-
- Mbrojtjen e mjedisit: Ndihmon në uljen e ndotjes, ruajtjen e burimeve natyrore dhe kursimin e energjisë
-
- Promovimi i riciklimit: Kontribuon në një cikël ekonomik dhe ekologjik të qëndrueshëm, duke reduktuar nevojën për prodhimin e materialeve nga e para
-
- Përmirësimi i cilësisë së jetës: Redukton sasinë e gazrave toksikë dhe lëndëve të dëmshme duke përmirësuar cilësinë e ajrit dhe ujit
-
- Edukimi dhe punësimi: Krijon mundësi pune të reja në sektorin e riciklimit dhe edukon një brez të ri më të ndërgjegjshëm
Projekti “Efiçenca Mjedisore në Qytetin Studenti” shërben si model i suksesshëm dhe frymëzues për iniciativa të ngjashme në të gjithë qytetin.

Solar Energy Solutions Shpk operon si një lider në tregun shqiptar në fushën e projektimit dhe instalimit të sistemeve fotovoltatike. Kompania është vlerësuar me çmime për cilësinë e lartë të shërbimeve dhe pajisjeve që ofron dhe është çertifikuar zyrtarisht nga institucione të akredituara ndërkombëtare.
Solar Energy Solutions Shpk aplikon një sistem të integruar për menaxhimin mjedisor, i cili është në përputhje të plotë më standardin europian të njohur EN ISO 14001:2015. Ky sistem përfshin fazën e projektimit deri tek zbatimi i sistemeve të gjenerimit të energjisë nga burime të rinovueshme duke demonstruar angazhim të palëkundur për praktikat e qëndrueshme dhe mbrojtjen e mjedisit.