vendimmarrje

Pse është gabim të ngatërrojmë fatin me aftësitë dhe pse procesi i vendimmarrjes ka më shumë rëndësi sesa rezultati përfundimtar

Shumë shpesh ne i gjykojmë njerëzit, menaxherët apo edhe veten, vetëm nga rezultatet që arrijmë. Por një vendim i keq mund të ketë fat të mirë, ndërsa një vendim i mirë mund të dështojë për arsye të paparashikuara. Profesori i ekonomisë Carlos Alós-Ferrer shpjegon pse është gabim të ngatërrojmë fatin me aftësinë dhe pse procesi i vendimmarrjes ka më shumë rëndësi sesa rezultati përfundimtar.

Kur fati maskon gabimet

Imagjinoni dikush ju ofron një lojë: paguani 500 dollarë dhe nëse hidhni një gjashtë me një zare fitoni 1000 dollarë. Nëse del çdo numër tjetër, humbni gjithçka. Shanset për humbje janë 5 në 6 pra një bast i keq.

Nëse një mikeshë ju thotë se e provoi këtë lojë dhe fitoi, a ishte vendimi i saj i zgjuar? Sigurisht që jo. Ajo mori një vendim të keq dhe thjesht pati fat. Nëse qindra njerëz do ta provonin, shumica do të humbisnin.

Kështu ndodh shpesh edhe në biznes. Shumë menaxherë bëjnë investime të rrezikshme pa analizë apo planifikim. Shumica dështojnë, por disa dalin me fitim vetëm falë fatit. Media nxjerr në pah këta të fundit, i bën “histori suksesi” dhe shpesh i kthen në guru menaxhimi, duke harruar se ata mund të kenë pasur thjesht një bast me fat.

Kur vendimet e mira duken të padukshme

Nga ana tjetër, vendimet e mira shpesh janë të kujdesshme dhe nuk prodhojnë histori spektakolare. Një menaxher që kalon me sukses një krizë ekonomike pa humbje të mëdha mund të mos bëjë bujë, edhe pse ka marrë vendime të mençura.

Problemi është se vendimet e rrezikshme, kur funksionojnë, krijojnë histori të forta që admirohen, ndërsa vendimet e mira, që shmangin humbjet, shpesh injorohen.

Çfarë është “outcome bias”

Psikologët këtë e quajnë outcome bias, prirja për të gjykuar cilësinë e vendimeve vetëm nga rezultati, duke harruar se shpesh fati është përcaktues.

Studime të shumta kanë treguar këtë fenomen: njerëzit i vlerësojnë më shumë menaxherët kur kompania fiton, edhe kur fitimi vjen nga faktorë të jashtëm, si rritja e çmimeve të naftës, dhe jo nga vendimet e tyre. Madje, edhe në sport, lojtarët shpesh marrin vlerësime më të larta vetëm sepse skuadra fitoi, edhe pse ata vetë nuk kontribuan në rezultat.

Si na mashtron vetja

Ky paragjykim na prek edhe personalisht. Kur një vendim na del mirë, ndihemi të mençur. Kur dështon, ndihemi budallenj. Por kjo logjikë është e gabuar.

Nëse dikush lë një punë të sigurt për një ëndërr shumë të pasigurt dhe ia del vetëm falë fatit, kjo nuk e bën vendimin e tij të zgjuar. Po ashtu, nëse dikush bën një zgjedhje të arsyeshme dhe has pengesa të paparashikuara, kjo nuk e bën vendimin e tij të keq.

Procesi ka më shumë rëndësi se rezultati

Prandaj, më shumë se te rezultati, duhet të shohim procesin e vendimmarrjes. Vendimet e mira zakonisht përfshijnë analizë të rreziqeve, vlerësim të mundësive dhe mendim sistematik. Në të kundërt, “t’i besosh instinktit” pa argument është një sinjal i keq.

Një histori e vetme suksesi nuk është dëshmi e aftësisë mund të jetë thjesht rastësi. Ndërsa modelet e përsëritura të vendimeve të mira tregojnë vërtet aftësi.

Në fund, mos e ngatërroni fatin me mençurinë. Një orë e prishur tregon orën saktë dy herë në ditë, por mbetet e prishur.

Psychologytoday

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top