Edhe pse presioni për të sjellë ide të reja po rritet, shumë kompani po vihen në vështirësi të vazhdueshme për t’i realizuar ato. Ky ngadalësim shpesh i atribuohet rritjes së kostove të R&D-së, afateve më të gjata të zhvillimit dhe pasigurisë së tregut. Por kërkimet tregojnë se organizatat tashmë i kanë idetë që u nevojiten. Sfida e vërtetë qëndron tek mënyra se si këto ide zbulohen dhe lidhen me vendimmarrësit atë që studiuesit e quajnë “treg i ideve”, ku sistemet shpesh nuk funksionojnë siç duhet.
Problemet u zbuluan për herë të parë gjatë një studimi tetëvjeçar mbi intrapreneurship-in, ku morën pjesë mbi 150 inovatorë të brendshëm punonjës që kishin lançuar ose udhëhequr produkte, shërbime apo iniciativa të reja brenda kompanive të tyre, ashtu edhe rreth 100 drejtues strategjie nga industri të ndryshme. Studiuesit gjetën se, edhe kur punonjësit kishin zgjidhje inovative për sfidat e biznesit, disa barriera i pengonin drejtuesit e lartë t’i vinin re.
Kjo ngriti pyetje më të thella: Nëse kompanitë deklarojnë se duan të nxisin inovacionin, pse ua bëjnë kaq të vështirë punonjësve me ide premtuese të ecin përpara?
A janë këto barriera thjesht pasojë e një lidershipi të pakujdesshëm, apo simptoma të mangësive më të thella sistemike, të cilat shumë firma i kanë pranuar si normale?
Çfarë treguan studimet
Për të gjetur përgjigje, u realizua një studim i ri mbi mënyrat se si organizatat ndajnë dhe zbatojnë ide. U zhvilluan intervista të hapura me 25 drejtues inovacioni (CIO) në korporata të mëdha shumëkombëshe me struktura dhe procese vendimmarrëse komplekse, përfshirë Microsoft, LEGO, Coca-Cola, Cisco, si dhe institucione si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kryqi i Kuq. Folën gjithashtu me 35 drejtues programesh të kapitalit sipërmarrës korporativ.
Disa nga pyetjet kryesore përfshinin:
-
A lidh kompania nevojat me zgjidhjet në mënyrë efektive?
-
Çfarë praktika po përdoren për të përmirësuar këtë lidhje?
-
Kur identifikohet një nevojë premtuese, sa shpesh rezulton që një zgjidhje ekziston tashmë brenda organizatës?
Drejtuesit pranuan se kur ekipet kishin hapësirë për të eksploruar një sfidë brenda organizatës, zgjidhja ekzistonte rreth 70% të rasteve, shpesh e fshehur në kodin e një inxhinieri të mbingarkuar, në mendimet e paplotësuara të një operatori call-center-i, ose në një bazë të dhënash me teknologji të papërdorura. Megjithatë, vetëm rreth 10% e ideve të ndara shqyrtohen në mënyrë formale.
Sipas këtyre gjetjeve, studiuesit përdorën metaforën e “tregut të ideve”. Tregu i ideve përkufizohet si sistemet formale dhe informale brenda organizatave që lidhin njerëzit që identifikojnë nevoja të reja me ata që mund të kenë zgjidhje. Në teori, një sistem i tillë duhet të përshpejtojë zhvillimin e ideve. Në praktikë, sipas drejtuesve, ai shpesh është i ngathët ose mungon fare.
Një anketë shtesë me 250 punonjës nga profesione të ndryshme konfirmoi këtë: pjesëmarrësit gjenerojnë mesatarisht 75 ide në vit, por ndajnë më pak se 30% të tyre, ndërsa 70% e lidhën këtë me kulturën e kompanisë.
Çfarë është në rrezik
Korporatat që nuk kanë një treg idesh funksional e vendosin veten në disavantazh. Pa një mënyrë të organizuar për të nxjerrë në pah nevojat dhe për t’i lidhur me zgjidhjet e mundshme, shumë kompani përfundojnë duke riprodhuar inovacionet e rivalëve më të suksesshëm ose duke shpenzuar para për të “rishpikur rrotën” praktika që ngadalësojnë rritjen dhe dëmtojnë performancën financiare.
Për shembull, një kompani me vlerë 1 miliard dollarë dhe rreth 5,000 punonjës, ku çdo punonjës gjeneron rreth 75 ide në vit, humb shumicën e potencialit krijues nëse ndahen vetëm 30% dhe drejtuesit veprojnë mbi vetëm 10%. Nëse punonjësit ndajnë gjysmën e ideve dhe drejtuesit veprojnë mbi 20% të tyre edhe me vetëm 15% shkallë suksesi dhe vlerë mesatare 25,000–50,000 dollarë për ide të suksesshme kompania mund të fitonte 70–140 milionë dollarë shtesë në vit. Mos-përmirësimi i ndarjes dhe zbatuarjes së ideve do të thotë humbje e dhjetëra milionave dollarë çdo vit.
Si ta përmirësojnë kompanitë tregun e ideve
Nga intervistat dhe anketat, u identifikuan pengesat kryesore: silo-t dhe burokracia, kapacitet i kufizuar për shqyrtim dhe veprim mbi ide, angazhim i dobët i drejtuesve për të ndjekur inovacionin deri në fund, dhe mungesë stimujsh afatgjatë për punonjësit që të vazhdojnë të kontribuojnë.
Rekomandimet e ekspertëve përfshijnë:
-
Nxitja e nxjerrjes në pah të nevojave të paplotësuara
-
Lidhja e nevojave me zgjidhje të realizueshme për të krijuar ide të qëndrueshme
-
Vlerësimi i ideve për të kuptuar potencialin e tyre të plotë
-
Prioritizimi i ideve më premtuese
-
Vendosja se cilat ide meritojnë investim
Tre qasje kryesore për implementimin e tregut të ideve:
-
Përmirësimi i procesit të inovacionit: Krijimi i një procesi të qartë që ndihmon punonjësit të identifikojnë nevoja, t’i lidhin me zgjidhje dhe të drejtojnë idetë më premtuese drejt investimit. Shumë organizata përdorin fushata ideje, “stage-gates” dhe panele ndër-funksionale për të vetë-shtuar programet e inovacionit.
-
Ristrukturimi organizativ: Lehtësimi i rrjedhës së ideve ndërmjet ekipeve dhe vendimmarrësve. Disa kompani “sheshojnë” strukturën dhe decentralizojnë vendimmarrjen; të tjera krijojnë rrugë të dedikuara për eksplorimin e mundësive të reja, duke përfshirë bordet këshillimore dhe partneritetet me palë të jashtme.
-
Ndërtimi i një kulture mbështetëse: Inovacioni bëhet pjesë e përditshme e punës, me shpërblime dhe stimuj për kontributin e vazhdueshëm. Kompani si Amazon, Microsoft dhe 3M e lidhin aftësinë teknike të punonjësve me njohuritë e klientëve dhe krijojnë mundësi për “lidhje të pazakonta” mes ekipeve për të përshpejtuar zhvillimin e ideve.
Të gjitha organizatat duan të zbulojnë idenë e madhe që u jep prestigj dhe fitim. Por kërkimet tregojnë se shpesh këto ide, ose farat e tyre, ekzistojnë tashmë brenda organizatës. Zgjidhja e mangësive të tregut të ideve mund të kthejë këto njohuri të fshehura në avantazh konkurrues dhe të çlirojë miliarda dollarë vlerë të pashfrytëzuar. Frymëzimi nga praktikat dhe shembujt e përshkruar mund të ndihmojë çdo organizatë të forcojë tregun e ideve dhe të shndërrojë potencialin e fshehur në epërsi të qëndrueshme.