Ministria e Financave ka nisur konsultimet publike për projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” dhe projektvendimin mbi metodologjinë e re të taksimit të ndërtesave, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë takimit me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, Dhomat e Tregtisë, shoqatat e biznesit dhe kompanitë e sektorit, theksoi se këto nisma synojnë përafrimin e vlerës së pronave me çmimet aktuale të tregut, duke siguruar një sistem më transparent dhe të drejtë tatimor për qytetarët dhe bizneset.
“Metodologjia e re për llogaritjen e taksave vendore, çmimet e përditësuara të referencës dhe procesi i rivlerësimit do t’i japin individëve dhe bizneseve kohë të mjaftueshme gjatë vitit të ardhshëm për të vlerësuar pasuritë e tyre mbi bazën e vlerës reale të tregut”, u shpreh ministri Malaj.
Çmimet e referencës, të papërditësuara që nga viti 2016 (përveç Bashkisë Tiranë), do të përcaktohen mbi analizën e 16,800 transaksioneve në të gjithë vendin dhe ndarjen e territorit në 119 zona, duke reflektuar më saktë realitetin e tregut të pasurive të paluajtshme. Për çdo zonë do të hartohen edhe harta elektronike, që do të publikohen në faqen e ASIG për lehtësi në zbatim.
Sipas ministrit, projektligji i ri u jep mundësi individëve dhe subjekteve juridike të përditësojnë vlerën e pronave të tyre në përputhje me çmimet e tregut, një proces për të cilin qytetarët kanë treguar interes të lartë edhe në të kaluarën, duke gjeneruar më shumë aplikime dhe transaksione të regjistruara në Kadastrën Shtetërore.
Takimet e zhvilluara ishin pjesë e konsultimit publik të nisur që prej korrikut 2025 në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike.