Nga Glevin Dervishi: Shqipëri – Serbi, tetori i dytë?!

  • Nga Glevin Dervishi

Për mua dhe kolegët e mi drama e 14 tetorit 2014 që u luajt në stadiumin e Partizanit në Beograd i njohur si stadiumi i ish Ushtris Popullore të Jugosllavisë, është ende shumë e freskët. Një ndeshje futbolli që u kthye në aren përleshjesh dhe më pas në një operacion evakuimi masiv të ekipit kombëtar dhe shtetasve tanë nga Beogradi, një sipërmarrje politike, diplomatike dhe konsullore tejet e vështirë që vijoi deri rreth orës 04:00 të datës 15 tetor.

Tensionet historike etnike, Kosova, shqiptarët e Luginës dhe e shkuara tragjike kanë dominuar për fat të keq raportet tona, tensione të cilat janë shfaqur dhunshëm edhe në eventet sportive. Por ka dhe një element kyç që vlen më shumë të përmendet në apektin sportiv, ata janë tifozeria ultrase serbe. Tifozeria me një reputacionin tejet të dhunshmëm, e cila nuk ka shërbyer si një përçues i kulturës sportive, por si një sipërmarrje ultra nacionaliste tejet e strukturuar që në fund të viteve 80.

Në 13 maj 1990, në stadiumin Maksimir të Zagrebit, do të luhej ndeshja kryesore e kampionatit jugosllav ajo mes Dinamos së Zagrebit dhe Yllit të Kuq të Beogradit. Kjo ndeshje që po luhej në një situatë të nxehtë të zhvillimeve politike në fillimet e dramës jugosllave e ktheu stadiumin Maksimir në një arenë gladiatorësh nacionalistësh mes ultrasve të “Bad Blue Boys” të Zagrebit, përballë “Delije” të Beogradit të udhëhequr nga Zelko Rznatoviç Arkan. Grupet ultrase të futbollit si në ish Jugosllavi apo edhe në Serbinë e sotme kanë qenë përherë kudhra e farkëtimit të nacionalizmit represivo-agresiv, të mirë strukturuara dhe të instrumentalizuara për qëllime politike, të organizuara në grupime paramilitare në funksion të mbështetjes së ushtrisë së rregullt, si dhe shumë efikas për të stimuluar veprime huliganësh dhe kryengritjesh.

Në Jugosllavinë e viteve 90, stadiumet u bënë hapësira publike të lira ku njerëzit mund të shprehnin ndjenja kombëtare që regjimi i Titos i kishte shtypur për dekada. Ato u bënë fushat ku u varros filozofia e Titos e “Bratstvo i Jedinstvo” e sjell në jetë në vitet 1943, dhe oazet ku rilindi “Samo sloga Srbina spasava” e shekullit të 14.

Në thelb, ultrasit në Serbi janë shumë më tepër se tifozë sportivë, ata përbëjnë një strukturë shoqërore me ndikim real, që ndikon në kulturën urbane, në politikë, dhe në mënyrën si perceptohet patriotizmi.
Grupet ultras si Delije (Crvena Zvezda) dhe Grobari (Partizan) janë ndër më të organizuarat në Ballkan. Ata kanë një strukturë të brendshme shumë të disiplinuar, me hierarki, financa, dhe kode të forta nderi.

Të shpresojmë që sot organizatorët vendas dhe UEFA do ja dalin me masat e marra dhe të shohim një ndeshje ndryshe nga ajo e tetorit 2014.

Suksese ekipit tonë 🇦🇱⚽️🏆

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top