Ferrari

Ferrari zbulon teknologjinë që do të fuqizojë makinën e saj të parë elektrike

Ferrari ka prezantuar teknologjinë që do të fuqizojë makinën e saj të parë krejtësisht elektrike, modelin e shumëpërfolur ‘Elettrica’. Ky është një hap historik për markën italiane, të njohur për makinat sportive luksoze me motorë të fuqishëm me djegie të brendshme.

Prezantimi i versionit përfundimtar pritet të vijë vitin e ardhshëm, i cili do të ketë një shpejtësi maksimale prej 310 km/orë dhe autonomi mbi 530 kilometra.

Modeli me katër dyer dhe mbi katër vende do të ketë një sistem zanor unik, që nuk imiton zhurmën e motorëve klasikë, por amplifikon dridhjet e sistemit të fuqisë për të krijuar një “tingull elektrik Ferrari”.

“Sot është një ditë historike për ne. Makina elektrike është një shtesë, jo një tranzicion”, deklaroi drejtori ekzekutiv Benedetto Vigna, duke theksuar se Ferrari nuk ka në plan të heqë dorë nga modelet me motor klasik.

Ferrari e sheh të ardhmen elektrike si shtesë, jo zëvendësim

‘Elettrica’ pritet të kushtojë rreth 500,000 euro, dhe do të ndërtohet kryesisht me 75% alumin të ricikluar, ndërsa bateria do të jetë e integruar në dysheme për stabilitet dhe performancë më të mirë.

Kompania synon që 20% e modeleve të saj të jenë elektrike deri në vitin 2030, ndonëse ky është një objektiv më i ulët se 40% që kishte shpallur tre vjet më parë. Ferrari është më pak i ndikuar nga afati i BE-së për ndalimin e shitjes së makinave me karburant fosil pas vitit 2035, pasi mund të përdorë karburante sintetike, të përballueshme për klientët e saj elitarë.

Një sfidë për markën legjendare

Ndryshe nga rivalët, Ferrari është treguar më i kujdesshëm në drejtim të elektrifikimit. Lamborghini ka shtyrë makinën e saj të parë elektrike deri në 2029, ndërsa Porsche po përballet me vështirësi në tregjet elektrike.

Ekspertët theksojnë se sfida e Ferrarit është të krijojë diçka më shumë se një makinë elektrike të zakonshme.

“Nëse Ferrari do të ketë sukses, duhet të sjellë një automjet që ofron ndjesinë unike të një Ferrari, jo thjesht shpejtësi apo përshpejtim”, tha Andy Palmer, ish-drejtor ekzekutiv i Aston Martin.

Edhe analisti Phil Dunne shtoi se klientët e Ferrarit kërkojnë një përvojë që markat si Tesla nuk mund ta ofrojnë:

“Tesla mund t’ju japë fuqi, por nuk ju jep ndjesinë e një Ferrari.”

Për gjeneratën e re të pasanikëve

Sipas analistëve, Ferrari ka nevojë për këtë model për të qëndruar i rëndësishëm për gjeneratën e re të blerësve të pasur, të cilët janë më të orientuar drejt teknologjisë dhe mjedisit.

“Për fëmijët e pasanikëve të sotëm, Ferrari duhet të ketë një linjë elektrike që përfaqëson kulmin e luksit dhe inovacionit,” shton Palmer.

Reuters

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top