Komisioni i Parlamentit Europian propozoi sot ndalimin e aksesit në mediat sociale dhe shërbimet online të inteligjencës artificiale për fëmijët nën 16 vjeç pa pëlqimin e prindërve të tyre, për shkak të rreziqeve që ato paraqesin për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
“Eurodeputetët propozojnë vendosjen e një moshe minimale në të gjithë BE-në prej 16 vjeç për akses në mediat sociale, platformat e videove dhe asistentët e inteligjencës artificiale (IA), përveç nëse ka pëlqimin e prindërve, dhe një moshe minimale prej 13 vjeç për akses në çdo rrjet social”, tha Parlamenti Europian në një deklaratë.
Eurodeputetët theksuan rreziqet që lidhen me varësinë, shëndetin mendor dhe ekspozimin ndaj materialeve të dëmshme dhe të paligjshme për të justifikuar propozimin e tyre.
Propozimi, i paraqitur nga eurodeputetja daneze Kristel Saldemose, u miratua me shumicë dërrmuese në Komitetin e Tregut të Brendshëm dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ai do t’u paraqitet të gjithë eurodeputetëve në fund të nëntorit.
27 shtetet anëtare të BE-së janë të ndara mbi këtë çështje, por ideja e adoptimit të një epoke dixhitale të të rriturve duket se po fiton terren.
Me iniciativën e Danimarkës, e cila mban presidencën e radhës të BE-së këtë periudhë gjashtëmujore dhe sapo ka njoftuar një plan për të vendosur moshën dixhitale të të rriturve në 15 vjeç, Ministrat Evropianë të Qeverisjes Dixhitale shprehën mbështetjen e tyre për iniciativën e Von der Leyen.