Nga Ardian Lekaj, Kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare
Ajo që ne po shikojmë në ditët e sotme në ekonominë botërore nuk është gjë tjetër veçse një “fragmentim gjeoekonomik”. Tensionet e vazhdueshme gjeopolitike, Rusi-Ukrainë, Lindje e Mesme, zgjerimi i aleancës BRICS po përshpejtojnë këtë fragmentim më 2024-ën. Si rezultat, humbja në prodhimin ekonomik global nga rritja e kufizimeve tregtare mund të arrijë deri në 7% në ekonomitë e vendeve më pak të zhvilluara dhe 4% në ekonomitë e vendeve të përparuara.
Inteligjenca Artificiale Gjeneruese, apo siç njihet me emrin e shkurtuar AI, i ka tronditur të gjithë parametrat ekonomikë dhe socialë. Që kur Inteligjenca Artificiale Gjeneruese mori hov në fund të vitit 2022, rastet e përdorimit të mundshëm të teknologjisë janë shumëfishuar me shpejtësi. AI do të shkaktojë ndryshime të rëndësishme dhe sfida të reja për bizneset dhe politikëbërësit. Kjo prurje do të jetë nga njëra anë, çorientuese e ekuilibrave ekonomikë edhe politikë dhe nga ana tjetër, do të ndihmojë ekonomitë ne vendet e përparuara të kompensojnë mungesën e fuqisë punëtore dhe rritjen e produktivitetit.
Unë mendoj se sot Shqipëria është në udhëkryqin që duhet të bëjë zgjedhjen e duhur për të ardhmen!
Në një nga trainimet që kam zhvilluar gjatë masterit nga McKinzey në Universitetin e Helsinkit rreth 20 vite më parë, tema ishte “Mëso të thuash Jo”. Nuk e imagjnoja dot se mund të ishte aq e vështirë të merrje vendime dhe t’i thoshe:“JO, nuk do të vazhdojmë në këtë drejtim” skuadrës që drejtoje.
Pse ishte kaq e vështirë një “Jo”?
Që të thuash “Jo” duhet të kesh analizuar, studiuar, menduar dhe përvetësuar mirë çështjen. JO-ja kërkon të njohësh mirë legjislacionin, të kesh rreth teje specialistët e fushave përkatëse, të krijosh shpirtin e një skuadre me një vizion të qartë dhe mbi të gjitha, të kesh dikë që mund të të dëgjojë dhe të të këshillojë pa interes, përpara se të kalosh në vendimmarrje, për të mos harruar momentin e zbatimit.
Le ta konkretizojmë me një rast nga futbolli, duke qenë se i kemi ende të freskëta emocionet e Kampionatit Europian, me Juventusin e Trapatonit në fillim të viteve 1980. Të gjithë sot thonë që Trapatoni bëri revolucion. Ajo që Trapatoni arriti të bënte, ishte krijimi i ekuilibrit në skuadër midis yjeve, si Paltini, Boniek dhe Paolo Rossi dhe lojtarëve punëtorë, si Tardelli, Bonini dhe Scirea, të cilët ruanin kulturën e Catenaccios Italiane. Me këtë ekuilibër, ai arriti të fitojë trofetë më të mëdhenj dhe do të kujtohet gjatë në mendjet e tifozëve juventinas (Bianconeri).
Lexo: “Rikthimi i Dallëndyshes” sjell Ermonela Jahon më 4 gusht në Tiranë
Sot, ekonomia shqiptare po njeh periudhën më të mirë, të paktën në 100-vjeçarin e fundit të historisë së saj.
Askush nuk duhet të harrojë që vetëm në 5 vitet e fundit që kemi lënë pas, na u desh të përballemi me tërmetet dhe pandeminë më të madhe të njerëzimit. Ritmet e rritjes së ekonomisë janë të kënaqshme, kryesisht falë ecurisë së sektorit të turizmit, por edhe nga përballjet me mundësitë e reja, që gjithashtu, nuk janë të pakta.
Por, vlen të theksohet se në disa elementë kryesorë të ekonomisë, megjithëse po punohet, po hasen vështirësi dhe nuk janë gjetur ende zgjidhjet, si për burokracitë administrative dhe ndryshimin e vazhdueshëm të rregullave të lojës për bizneset, ekonominë informale, fuqinë punëtore dhe cilësinë e saj që t’i përshtatet tregut të ri të zhvillimit, monopolizimit të disa nga fushave të veprimtarive ekonomike, gjë që ka eleminuar konkurrencën dhe ka sjellë rritjen e vazhdueshme te çmimeve për konsumatorin apo përdoruesin final.
Kjo besoj se është dhe një nga detyrat më të rëndësishme të kabinetit Rama. Një përgatitje për të ardhmen sfiduese kërkon që sot të zgjedhësh udhëtimin që do të ndëmarrësh.
Ekonomisë shqiptare i nevojitet një model i ri rritjeje ekonomike, nje model që balancon nxitësit e rritjes dhe produktivitetit me kompleksitetin e inovacionit, qëndrueshmërisë dhe të qenit fleksibël. Mendoj dhe këshilloj që politikëbërësit dhe ekonomistët të hartojnë një iniciativë apo startegji, me kohëzgjatje jo më shumë se 2 vjet për t’iu përshtatur asaj që sot po ndodh në ekonominë botërore. Kjo strategji e re duhet parë si vazhdimësi e realitetit të ri, politikave monetare botërore, perspektivës së vendeve të punës dhe kapacitetit njerëzor, natyrisht mbështetur në modelet më të mira ndërkombëtare dhe pse jo, duke marrë shembujt më të mirë nga vendet që kanë ndjekur të njëjtën praktikë.
Natyrisht, një nga vështirësitë më të mëdha është gjetja e ekuilibrit midis planeve afatgjata dhe atyre afatshkurtëra, ku pikësynimi duhet të jetë zhvillimi ekonomik, mirëqenia dhe rritja e nivelit të jetesës. Ndaj dhe kjo kërkon që sot ti të zgjedhësh midis mundësive që të jepen, rreziqeve që ekzistojnë dhe kapacitetit të investimeve të përballueshme.
Nga ana tjetër, nuk duhet të qëndrojmë vetëm në kërkesat ndaj qeverisë, pasi ne kemi plot sipërmarrës të guximshëm dhe me vizion, të cilët kërkojnë shtigje të reja në labirintet e ekonomisë botërore.
Në vitin 2023, Shqipëria u vizitua nga më shumë se 10 milionë turistë, një fluks që askush nuk mund ta imagjinonte disa vite më parë. Edhe këtë vit, të dhënat zyrtare tregojnë për një ecuri të mbarë të sektorit të turizmit. Padyshim që ky është një lajm shume i mirë, por nuk duhet harruar në asnjë çast se turizmi shoqërohet edhe me dëme, që kanë kosto. Turistët harxhojnë energji, por edhe prodhojnë mbeturina që shkaktojnë dëme ekologjike. Ajo që ne me siguri duam, është që plazhet, liqenet, lumenjtë e malet tona të mbeten të bukura, por dhe flora dhe fauna të mos cënohen për asnjë çast. Ato janë pjesë e trashëgimisë sonë, janë shtëpia jonë dhe si të tilla, nuk duhen nënvlerësuar.
Në këndvështrimin tim, diversifikimi i ekonomisë, thënë ndryshe zhvillimi edhe i sektorëve të tjerë, është shumë i rëndësishëm, pasi në këtë mënyrë ekonomia do të përballojë më me lehtësi konjukturat ndërkombëtare dhe zhvillimet social-ekonomike botërore.
Mjafton të rikujtojmë se gjatë pandemisë së fundit u izoluam plotësisht në mënyrë të papritur brenda një jave.
Një nga drejtimet e diversifikimit është investimi në fushën e energjisë së gjelbër. Në këtë sektor kemi bërë hapa të rëndësishëm dhe me siguri, që do të vazhdojmë. Teknologjitë e prodhimit të energjisë diellore, apo energjisë nga mullinjtë me erë avancojnë çdo ditë. Kuptohet që kjo është një fushë e re dhe kërkon kohë, kapital finaciar dhe njerëzor. Por, bashkëpunimi qeveri -sipërmarrje do të jetë zgjidhja më e mirë për zhvillimin e këtyre investimeve.
Besoj se tregu europian e ka kuptuar që Shqipëria është “The Gateway to South East Europe”. Tani është detyra jonë të kuptojmë se çfarë duan ata dhe si mund t’i plotësojmë këto kërkesa!