molekula

James Webb zbulon përbërës të jetës jashtë galaktikës sonë

Një zbulim mahnitës nga Teleskopi Hapësinor James Webb ka treguar për herë të parë praninë e molekulave organike komplekse të njohura si “fara të jetës”  jashtë galaktikës sonë.

Shkencëtarët kanë identifikuar këto molekula në akullin që rrethon një yll të ri, të quajtur ST6, në një galaktikë të largët. Këto substanca, mes të cilave gjenden edhe metanoli, etanoli dhe acidi acetik (përbërësi kryesor i uthullës), janë ndër blloqet themelore të jetës në Tokë.

Ky zbulim është bërë falë instrumentit MIRI të teleskopit James Webb, që vështron universin në rrezet infra të kuqe. Ekipi i udhëhequr nga Marta Sewilo, shkencëtare në Universitetin e Maryland-it, analizoi një re të madhe pluhuri e akulli në Re e Madhe e Magelanit  galaktika më e afërt me Rrugën e Qumështit, rreth 160 mijë vite dritë larg.

Gjatë vëzhgimit, ata identifikuan gjurmë kimike të disa molekulave organike komplekse, përfshirë etanolin, metil formatin, acetaldehidin dhe acidin acetik. Po ashtu, u vunë re sinjale që ngjajnë me një tjetër përbërës interesant ,glikolaldehidin, një molekulë e lidhur me sheqernat dhe pararendëse e elementeve të rëndësishme biologjike si ato të ARN-së.

Sipas kërkuesve, ky është zbulimi i parë i konfirmuar i këtyre molekulave në akull përtej galaktikës sonë. Ajo që e bën edhe më të jashtëzakonshme është fakti se galaktika ku ndodhen ka shumë më pak elementë të rëndë,si karboni, azoti e oksigjeni dhe është e ekspozuar ndaj një rrezatimi ultravjollcë ekstrem, një ambient ku zakonisht molekulat e tilla nuk do të mbijetonin.

“Ky zbulim tregon se kimia organike komplekse mund të zhvillohet edhe në kushte shumë të ashpra,” – shpjegon bashkëautori Will Rocha nga Universiteti Leiden në Holandë.

Ai shton se këto molekula formohen mbi grimcat e pluhurit ndërstelar dhe më pas çlirohen në hapësirë, duke u bërë pjesë e proceseve që krijojnë sisteme planetare.

Marta Sewilo thekson se studimi i këtyre përbërjeve në Re e Madhe të Magelanit është veçanërisht i vlefshëm, pasi ajo galaktikë i ngjan shumë atyre të universit të hershëm:“Kushtet e vështira atje na tregojnë se si kimia e jetës mund të lindë edhe në mjedise primitive, ku ka më pak elementë të rëndë për të ndihmuar reaksionet kimike.”

Edhe pse ky zbulim nuk dëshmon ekzistencën e jetës jashtë Tokës, ai tregon se “blloqet ndërtuese” të saj mund të mbijetojnë gjatë formimit të sistemeve planetare duke rritur mundësinë që diku, në ndonjë planet të ri, jeta të ketë pasur një fillim të ngjashëm me tonin.

euronews

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top