Banka e Shqipërisë

Tabloja financiare e familjeve shqiptare: Më shumë punë, më pak huamarrje

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon se rritja e të ardhurave shoqërohet me ulje të huave dhe kursimeve.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti tregon se punësimi dhe të ardhurat janë rritur, ndërsa huamarrja ka rënë dhe kursimet po shterojnë gradualisht.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, familjet shqiptare kanë shfaqur një tablo të përzier të gjendjes së tyre financiare: më shumë punë, më shumë të ardhura, por edhe më pak huamarrje dhe një prirje drejt kursimeve më të ulëta.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore të Vrojtimit mbi Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen e Familjeve, publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Sipas vrojtimit, numri i të punësuarve në kampionin e studiuar prej 1200 familjesh është rritur si krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, ashtu edhe me një vit më parë.

Punësimi është zgjeruar në sektorin privat dhe në një masë më të vogël edhe në atë shtetëror, ndërsa numri i të vetëpunësuarve ka rënë.

Kjo tregon një zhvendosje të strukturës së tregut të punës drejt punësimit formal, por edhe një ulje të pavarësisë ekonomike të individëve.

Të ardhurat dhe shpenzimet e familjeve janë rritur në terma vjetorë, megjithatë ritmi i rritjes së shpenzimeve është ngadalësuar ndjeshëm.

Në anën tjetër, vetëm 17% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të shlyer, një peshë që ka rënë si në raport me gjashtëmujorin e kaluar, ashtu edhe me një vit më parë.

Por paradoksalisht, totali i huasë së raportuar është rritur, çka sugjeron se ata që marrin hua, po marrin shuma më të mëdha.

Rreth 69% e huamarrjes vjen nga burime formale si bankat dhe institucionet financiare jobankare, ndërsa 31% nga burime joformale, si persona privatë apo huazime në mallra. Kjo tregon një zhvendosje të rëndësishme drejt sistemit financiar të rregulluar.

Në lidhje me qëllimin e huasë, 46% e saj përdoret për zhvillim biznesi dhe 20% për blerje apo riparim prone, ndërsa vetëm 2% për konsum. Familjet shqiptare duket se po e shohin kredinë gjithnjë e më pak si mjet konsumimi dhe më shumë si instrument investimi apo krijimi pasurie.

Shumica e familjeve huamarrëse raportojnë se këstet e kredive nuk janë ndryshuar, duke reflektuar zbutjen e kostove të financimit.

Për në gjashtëmujorin e dytë, 75% e tyre presin që aftësia paguese të mbetet e qëndrueshme, ndërsa pjesa tjetër parashikon përmirësim të lehtë.

Depozitat dhe llogaritë bankare mbeten forma kryesore e investimit, por pjesëmarrja në kursime ka rënë si në terma gjashtëmujorë, ashtu edhe vjetorë.

Në përfundim, tabloja financiare e familjeve shqiptare tregon stabilitet të kujdesshëm: më shumë punë dhe të ardhura, por edhe më shumë maturi në borxhe e shpenzime.

Megjithëse kërkesa për hua po zbehet, sinjalet për përmirësim të aftësisë paguese mbeten pozitive një shenjë se ekonomia e familjeve po gjen një ekuilibër të ri mes punës, konsumit dhe kursimit.

albanianpost.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top