Një studim i ri tregon se truri i meshkujve tkurret më shpejt se i grave me kalimin e moshës, por sëmundja e Alzheimerit vazhdon të prekë më shumë gratë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), në vitin 2021 kishte 57 milionë njerëz me demencë në mbarë botën, dhe çdo vit regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja. Megjithatë, ekziston një dallim i dukshëm gjinor: sëmundja e Alzheimerit është gati dy herë më e zakonshme tek gratë krahasuar me meshkujt. Një grua 45-vjeç ka një mundësi një në pesë për të zhvilluar sëmundjen gjatë jetës, ndërsa tek një burrë kjo mundësi është një në dhjetë.
Shkencëtarët kanë pyetur prej vitesh nëse mënyra se si truri plaket tek meshkujt dhe gratë mund të shpjegojë këtë dallim, por një studim i fundit i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences sugjeron se kjo nuk është arsyeja kryesore.
Çfarë zbuloi studimi
Duke analizuar mbi 12,000 imazhe të trurit nga rreth 5,000 persona të shëndetshëm, nga mosha 17 deri në 95 vjeç, studiuesit vunë re se truri i meshkujve shfaq një rënie më të shpejtë në disa zona, përfshirë ato të përfshira në kujtesë, lëvizje dhe përpunim vizual.
Për shembull, korteksi postcentral, pjesa e trurit që përpunon ndjesitë si prekja, dhimbja dhe pozicioni i trupit, tkurret 2% në vit tek meshkujt – pothuaj dy herë më shumë se 1.2% vjetore tek gratë. Nga ana tjetër, gratë shfaqin zgjerim më të dukshëm të ventrikujve të trurit, që është një shenjë e ndryshimeve të lidhura me moshën, por humbje strukturore më të vogël.
Meshkujt treguan gjithashtu hollim më të madh të korteksit, shtresa e jashtme e trurit, veçanërisht në zonat parahippokampale dhe fusiforme. Ata përjetuan gjithashtu një rënie më të shpejtë në strukturat subkortikale, si putameni dhe kaudati, të cilat luajnë role kyçe në funksionin motorik.
Pse gratë preken më shumë nga Alzheimeri pavarësisht tkurrjes më të ngadaltë të trurit?
Rezultatet sugjerojnë se ndryshimet gjinore në tkurrjen e trurit me moshën nuk shpjegojnë pse gratë diagnostikohen më shpesh me Alzheimer. Shkencëtarët përmendin një kombinim kompleks faktorësh: ndryshimet hormonale pas menopauzës, funksionet e ndryshme imune dhe vaskulare, faktorë gjenetikë si gjeni APOE ε4, dhe fakti që gratë jetojnë më gjatë se meshkujt.
Në vitin 2021, jetëgjatësia mesatare ishte 73.8 vjet për gratë dhe 68.4 vjet për meshkujt, që do të thotë se më shumë gra arrijnë moshat kur rreziku për Alzheimer është më i lartë. Sëmundja është më e zakonshme tek personat mbi 65 vjeç, sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar.
Arsyet biologjike që bëjnë gratë më të prekshme nga Alzheimeri mbeten ende të pasqaruara, por është gjithnjë e më e qartë se përgjigja nuk do të gjendet vetëm në imazhet strukturore të trurit.