turizëm

Turizmi bën kthesë në vjeshtë, të huajt u rritën me 9.9 për qind në shtator

Pavarësisht një vere të zbehtë, vjeshta ashtu sikurse edhe pritej ka shënuar një pikë kthese për turizmin me një rritje më të dukshme të të huajve përgjatë shtatorit.

Të dhënat zyrtare të lëvizjes së shtetasve publikuar nga Instituti i Statistikave tregojnë për 1.28 milionë vizitorë të huaj në muajin shtator ndërsa hyrjet e 9-mujorit shënojnë 10.22 milionë për këtë grup.

“Gjatë muajit Shtator 2025, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.965.601 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 9,5%, krahasuar me Shtator 2024. 2.127.386 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 10,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në Shtator 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 705.917, duke pësuar një rritje me 8,9%, krahasuar me Shtator 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.259.684. Ky numër është rritur me 9,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024” raportoi INSTAT.

Sipas INSTAT në muajin Shtator 2025, 772.655 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 10,7%, krahasuar me Shtator 2024. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2025, janë 1.354.731. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 10,2%.

Turizmi këtë vit mes lëkundjeve

Ky vit edhe pse në fillim të tij kishte pritshmëri të larta për ecurinë, të shprehura nga qeveria dhe turoperatorët, u zbeh pas shifrave konkrete që regjistruan muajt e parë të vitit.

Rritja ishte më e ngadaltë se muajt e vitit të shkuar kurse vera tregoi lëkundje edhe më të fortë. Sipas turoperatorëve vera ishte më e dobët se një vit më parë dhe shkaqet ishin të shumta. Së pari çmimet sërish treguan një tendencë rritëse në disa rajone duke larguar pushuesit që e kërkojnë Shqipërinë për anën e saj ekonomike.

Kjo u duk qartë në rënien e italianëve por edhe një numër më të ulët të shqiptareve e të Kosovës. Këta të fundit pas liberalizimit të vizave  vitin e shkuar kanë preferuar të testojnë tregje të reja ku Greqia ka qenë një prej atyre më tipike por nuk kanë munguar edhe udhëtimet drejt vendeve të tjera të BE-së në disa raste me transit nga Shqipëria.

Një tjetër problem ishte infrastruktura e dobët dhe mungesa e ujit në zonat bregdetare që detyroi shoqatat e biznesit por edhe turoperatorët të ngrenë disa herë zërin duke vënë në dukje se kjo do të dëmtojë imazhin e përgjithshëm të vendit.

Pritshmëria e përgjithshme është që vjeshta të rikuperojë shifrat e munguara të verës dhe në total viti 2025 të shënojë një rritje të ngjashme me vitin e kaluar por sipas turoperatorëve ky duhet të jetë një vit reflektimi për të marrë masa në mënyrë që Shqipëria të mos humbë vëmendjen e saj turistike.

Kjo kërkon jo vetëm një qasje më aktive të qeverisë por edhe ndërgjegjësim për biznesin për të qenë më i qëndrueshëm në çmime që e justifikojnë shërbimin.

Kjo e fundit lidhet më shumë me disa rajone të veçanta që u bënë virale në internet këtë vit për çmimet “kripura” dhe që krijojnë idenë e gabuar për bregdetin në tërësi. Qeveria nisi këtë vit një aksion për shezlonet duke tentuat të lejojë më shumë hapësira publike teksa Kryeministri Rama ka deklaruar se verën e ardhshme plazhet publike do të jenë dominues ndërsa bashkitë do të marrin më shumë kompetenca për menaxhimin.

h1.jpg (1038×432)

Burimi:Instat

h1.jpg (1038×432)

Burimi:Instat

h1.jpg (1038×432)

Burimi:Instat

monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top