Brian Chesky, bashkëthemelues dhe drejtues ekzekutiv (CEO) i Airbnb, platformës globale që lidh pronarët e shtëpive me udhëtarë në mbarë botën, beson se suksesi i çdo biznesi fillon me një pyetje të thjeshtë, por thelbësore: “Pse kompania jote meriton të ekzistojë?”
Kur takon sipërmarrës të rinj, Chesky ua bën gjithmonë këtë pyetje. Nuk është e ndërlikuar, por i detyron të shkojnë drejt e në thelb të asaj që përfaqëson kompania e tyre.
Ai thotë se ka dëgjuar shumë përgjigje, por më e mira që i ka mbetur në mendje është:
“Sepse nëse nuk e bëj unë, nuk do ta bëjë askush tjetër.”
Sipas Chesky, një drejtues i mirë duhet të ketë të qartë se çfarë kontributi unik mund të sjellë në botë ai, diçka që askush tjetër nuk mund ta bëjë njësoj.
Në periudhën ku inteligjenca artificiale po ndikon në çdo fushë, nga biznesi te arti, Chesky paralajmëron se e ardhmja nuk duhet të ndërtohet nga vetëm pak kompani të mëdha.
“Shqetësimi im,” thotë ai, “është që shumë pak njerëz po e ndërtojnë të ardhmen dhe shumica janë inxhinierë. Por historia tregon se përparimi i vërtetë ka ardhur nga bashkëpunimi mes teknologjisë dhe humanitetit.”
Ai vetë e nisi karrierën si artist dhe dizajner industrial, pas studimeve në Rhode Island School of Design. Pikërisht ky formim, thotë Chesky, e ndihmoi ta ndërtonte Airbnb me qasje ndryshe: përmes dizajnit të përvojës njerëzore dhe thjeshtësisë.
Në vitin 2024, Chesky foli për konceptin e tij “Founder Mode”, një mënyrë për të rishpikur mënyrën si drejtohet një kompani.
“Ne kemi nevojë për më shumë dizajn në botë,” thekson ai. “Dizajni nuk është vetëm pamja e një aplikacioni, por mënyra se si e përmirëson diçka për njerëzit. Në epokën e IA, ku shumë punë teknike kryhen nga vetë teknologjia, gjithnjë e më shumë prej nesh do të bëhen ‘dizajnerë’ dhe njerëz që krijojnë përvoja më të mira.”
Chesky përdor pyetjen e tij për të kujtuar se ndjekja e trendeve nuk është gjithmonë rruga e duhur.
“Kur diçka kthehet në trend,” thotë ai, “zakonisht është shumë vonë për të ndërtuar diçka origjinale.”
Në vend të kësaj, ai sugjeron të kërkohen mundësi duke ecur në drejtim të kundërt nga turma.
Si shembull, ai përmend vetë termin “inteligjencë artificiale”: fjala e parë është artificiale, pra e kundërta është bota reale.
“Fokusi tek përvojat e vërteta,” shpjegon Chesky, “mund të jetë mënyra më e mirë për të mos humbur në mes të valës së IA.”
Airbnb po ndjek këtë filozofi në praktikë. Kompania po zgjerohet përtej akomodimeve, duke ofruar përvoja dhe shërbime të reja për udhëtarët.
“Kompania u themelua në të njëjtin vit me iPhone-in,” thotë Chesky. “Por ndërsa teknologjia na ka lidhur, ajo gjithashtu na ka bërë më të izoluar. Dua që Airbnb të jetë kompania që të ‘largon nga telefoni’, sepse lidhjet e vërteta ndodhin në botën reale.”
Në fund, ai shton:
“Shumë njerëz e shohin Airbnb-n si një aplikacion për rezervimin e udhëtimeve dhe në thelb është kështu. Por në të ardhmen, do të jetë shumë më tepër se kaq: një mënyrë për të ndier se bën pjesë diku, për të përjetuar gjëra të vërteta dhe për t’u lidhur me botën që të rrethon.”
Inc.
