Shkruan: Nermine Aliji Ademi
Për ata që nuk më njohin, jam Nermine Aliji Ademi, nga Bujanoci, Lugina e Preshevës në disa raste e quajtur Kosovë Lindore, e në disa raste Serbi Jugore, varësisht nga vendi dhe konteksti.
Kam fituar bursën Chevening nga Ambasada Britanike në Beograd dhe po studioj për International Human Rights Law në Brunel University of London. Dua t’jua shpjegoj përjetimet e mia, dhimbjen shpirtërore dhe ndjenjën e mos-përkatësisë midis tre shteteve, ku nga asnjëri nuk ndjehem e përfaqësuar plotësisht.
Më 26 tetor 2025 pjesë në Orientation Event për Cheveners në Londër. Ishte një event madhështor me rreth 1400 bursistë nga 140 shtete të botës.
Në këtë event, bursistët inkurajohen të veshin kostume tradicionale dhe të mbajnë flamujt që përfaqësojnë identitetin e tyre. Por unë u ndjeva në një udhëkryq të papërshkruar.
Jam shqiptare nga Bujanoci, Lugina e Preshevës. Nuk kemi një flamur të veçantë si pakicë, dhe përdorimi i flamurit shqiptar shpesh konsiderohet provokim. Në një event ndërkombëtar si ai ku unë isha, ku çdo shtet kishte përfaqësuesit e vet zyrtarë, nuk ishte e mundur të përdorja flamurin e Shqipërisë apo të Kosovës. Ndjeva se nuk i përkas asnjërit shtet.
Kjo ndjenjë e mos-përkatësisë nuk është thjesht një moment: është reflektim i realitetit politik dhe social ku shqiptarët e Luginës shpesh nuk trajtohen si qytetarë me të drejta të barabarta.
Flamuri nuk është thjesht një copë letre; është një mënyrë për t’u parë dhe pranuar. Kur nuk mund ta mbash atë që të përfaqëson ty, ndjenja e përkatësisë dobësohet.
Serbia shpesh na diskriminon, Shqipëria ka pak mundësi praktike për ndihmë dhe Kosova përballet me sfida të mëdha brenda vendit të saj, duke e bërë të vështirë mbështetjen e shqiptarëve të Luginës. Kjo e bën boshllëkun identitar edhe më të thellë.
Megjithatë, nga kjo përvojë mora diçka pozitive: krijova miqësi me bursistë nga Serbia, Shqipëria dhe Kosova. Miqësitë ndërkombëtare janë mënyra për të ndjerë përkatësinë në një nivel personal, edhe kur ai nivel institucional nuk ekziston.
Në thelb, ajo që përjetova është një “identitet i ndërmjetëm”, gjendje që shpesh quhet edhe liminality, të jesh mes vendeve, mes identiteteve, pa të ndjerë se përfaqësohesh plotësisht.
Është një ndjesi e dhimbshme, por gjithashtu është një realitet që shpesh lidhet me shqiptarët e Luginës dhe minoritete të tjera që jetojnë në territore të debatueshme.
Do doja shumë që një ditë të kem një simbol personal që të më përfaqësojë mua si shqiptare e Luginës, diçka që të shprehet sigurt dhe me krenari për identitetin tim, pa e humbur lidhjen me flamurin kombëtar shqiptar. Ky simbol do të ishte mënyra ime për të shprehur identitetin tim unik, duke ruajtur krenarinë për historinë dhe kulturën e shqiptarëve të Luginës.
