Suksesi i një kompanie nuk varet vetëm nga cilësia e shërbimit që ofron, por edhe nga mënyra se si ajo përfaqëson veten vizualisht. Që nga mënyra si paraqitet një logo, e deri te produktet që mbartin atë logo e deri tek çdo detaj që ndikon në perceptimin që krijon marka te klientët.
Në vitet e fundit, edhe bizneset shqiptare kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e brandimit fizik, pra përdorimin e produkteve të personalizuara si stilolapsa, bluza, gota, çanta apo fletore, që mbartin identitetin e tyre. Këto elemente nuk janë më thjesht dhurata promovuese, por pjesë e strategjisë së komunikimit të një kompanie, që ndihmojnë markën të krijojë njohje, besim dhe qëndrueshmëri.
Për të kuptuar më mirë këtë prirje, Vaspas bisedoi me kompaninë Probranding, e cila ka mbi 15 vite përvojë në personalizimin e produkteve për biznese të ndryshme në vend.
Sipas tyre, çdo objekt qoftë një bluzë, apo një stilolaps është një mënyrë për të bërë markën të jetë e pranishme në përditshmërinë e klientëve. “Çdo produkt realizohet me kujdes dhe me synimin që të pasqyrojë stilin dhe vlerat e biznesit. Çdo klient trajtohet si partner, dhe çdo projekt ka nevojë për përkushtim dhe saktësi,” theksojnë përfaqësuesit e Probranding.
Ata shpjegojnë se kërkesat e bizneseve shqiptare janë gjithnjë e në rritje dhe po shkojnë drejt produkteve më cilësore, ekologjike dhe funksionale, që nuk janë vetëm estetikisht të bukura, por edhe të dobishme në përdorim të përditshëm. “Po vëmë re që kompanitë po i kushtojnë më shumë rëndësi imazhit të tyre dhe duan që çdo produkt të pasqyrojë stilin dhe vlerat e markës së tyre,” thanë ata.
Por ndërtimi i një identiteti vizual të qëndrueshëm kërkon më shumë sesa zgjedhjen e disa objekteve për reklamim. Sipas Probranding, procesi nis që në hapat e parë të biznesit, nga logoja dhe ngjyrat, deri te materialet që përzgjidhen për produktet e personalizuara. “Bizneset e reja përfitojnë më shumë nga ky bashkëpunim, sepse ne i udhëzojmë që në fillim për mënyrën si ta ndërtojnë dhe përçojnë imazhin e tyre,” shtojnë ata.
Në fund, ata theksojnë se puna me markën e klientit është më shumë se një proces teknik është një bashkëpunim krijues. “Qëllimi ynë është që çdo klient të ndihet i sigurt dhe i vlerësuar, dhe të kuptojë se puna jonë ka vërtet vlerë për biznesin e tyre. Kur klienti mbetet i kënaqur, kjo është ajo që na motivon më shumë.”
