start-up

Vetëm 5.7% e start-up-eve të Ballkanit Perëndimor përfitojnë nga programet evropiane të financimit

Raporti i Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit thekson se ekosistemi i start-up-eve në Ballkanin Perëndimor po shfaq një interes në rritje për programet e EIT (European Institute of Innovation and Technology) dhe të Bashkimit Evropian, të cilat ofrojnë mundësi të reja për inovacion, tregje ndërkombëtare dhe financim.

Përfituesit aktualë përfshijnë kompani si Deltahes DOO, Traken, Digital Radiography Technologies DOO (DIRATECH), Bifrost Bioplastics, Simple Mobile Solutions LLC, Pillbie dhe Neofunction, që kanë përfituar nga iniciativa si ‘EIT Manufacturing’, ‘Climate KIC’, ‘EIT Health’ dhe projektet ndër-sektoriale EIT Cross-KIC.

Nga ana tjetër, në programet e BE-së janë përfshirë Chocolab Albania (përmes ‘Challenge Fund by EU4INNOVATION’), VrapOn Taxi App (‘EU4Innovation’) dhe Orqa FPV (‘EU Funded Grants’), programe që kanë kontribuar në rritjen e inovacionit, qasjes në tregje të reja dhe zgjerimit të mundësive të financimit.

Vetëm 5.7% e start-up-eve përfitojnë nga programet evropiane

Megjithëse vërehet një interes i shtuar, vetëm 5.7% e start-up-eve të rajonit WB6 (Ballkani Perëndimor 6) marrin aktualisht pjesë në programe të EIT apo BE-së. Megjithatë, provat nga këto kompani tregojnë për rritje të fortë vjet pas viti (YoY), vlerësime pozitive nga mentorët dhe prani gjithnjë e më të fortë ndërkombëtare. Këto të dhëna sugjerojnë se nismat evropiane sjellin vlerë të shtuar reale për zhvillimin e inovacionit dhe formalizimin e tregut digjital.
Zgjerimi i aksesit do të mundësonte shfrytëzimin e mëtejshëm të fondeve, talentit dhe tregjeve ndërkombëtare, duke forcuar ekosistemin inovativ rajonal dhe afruar më tej integrimin me BE-në. Sidoqoftë, raporti thekson se nevojiten më shumë të dhëna për të konfirmuar këto trende në shkallë më të gjerë.

Start-up-et: Grantet janë “humbje kohe”, preferohet kapitali sipërmarrës

Intervistat me 10 start-up-e të rajonit zbuluan perceptimet mbi përvojat e tyre me financimet dhe mbështetjet.

Grantet përshkruhen si një proces me shumë përpjekje dhe pasiguri të lartë. Themeluesit i quajnë “humbje kohe” dhe burim të “tepërt burokracie”, me periudha vlerësimi 3–6 mujore dhe procedura të paqarta. Për start-up-et që veprojnë me ritme të shpejta, kjo qasje është e papërshtatshme dhe penguese.

Kapitali sipërmarrës (Venture Capital) shihet si një mënyrë shumë më fleksibël dhe efektive për rritje. Marrëveshjet mund të mbyllen brenda 30 ditëve, dhe themeluesit theksojnë rëndësinë e prezantimeve të drejtpërdrejta dhe rekomandimeve nga rrjeti personal, në vend të procedurave burokratike.

Mungesa e njohurive për programet mbështetëse si EIT dhe EEN është një tjetër pengesë. Start-up-et pranojnë se informacioni është i fragmentuar dhe procedurat nuk janë të përshtatura për nevojat e tyre. Kjo tregon një hendek të dukshëm midis instrumenteve të ofruara dhe aksesit real në to.

Rrjetet personale dhe profesionale mbeten thelbësore. Start-up-et mbështeten tek “miqtë dhe partnerët” për të mësuar për mundësi financimi apo bashkëpunimi, duke vërtetuar se informaliteti i rrjeteve mbetet më efektiv se sistemet formale të aplikimit.

Ekosistem në rritje, por me sfida për financime dhe shkallëzim

Analiza e 175 start-up-eve të anketuara tregon se shumica udhëhiqen nga themelues të arsimuar në të 30-at, me ekipe bashkëpunuese dhe sukses të hershëm tregtar. Megjithatë, mungesa e financimeve në faza të avancuara mbetet sfidë kryesore. Ndërsa fondet pre-seed deri në 50,000 € janë të disponueshme për zhvillimin e produkteve të para (MVP), sigurimi i raundeve të tjera (Seria A) shihet si i vështirë dhe me pak mbështetje strategjike.

Inteligjenca Artificiale po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ndërtimin e MVP-ve inteligjente, dhe po shfaqen start-up-e të reja në Biotech dhe MedTech, që sinjalizojnë trende inovative në zhvillim. Por vetëm 2% e start-up-eve arrijnë fazën scale-up, ndërsa 81% e tyre identifikojnë aksesin në treg si pengesën kryesore për shkallëzim ndërkombëtar.

Investitorët: mungesë lidhjesh me tregjet ndërkombëtare dhe aftësi biznesi

Edhe investitorët rajonalë ndajnë shqetësime të ngjashme. Rreth 86% e tyre identifikojnë mungesën e lidhjeve me tregjet e zhvilluara si sfidën kryesore, për shkak të rrjetëzimit të dobët dhe aktivitetit të kufizuar tregtar, ndërkohë 73% vërejnë se start-up-et fokusohen tepër në tregun lokal apo rajonal, duke munguar një vizion “global-first”.

Po 73% theksojnë mungesën e aftësive të mjaftueshme të menaxhimit të biznesit, ndërsa 60% raportojnë boshllëqe serioze në marketing dhe shitje, ndërsa 53% e investitorëve mendojnë se themeluesit nuk kuptojnë mjaftueshëm procesin e mbledhjes së fondeve, çka ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e tyre për të tërhequr kapital.

Një tjetër problem i përsëritur është mungesa e të dhënave të besueshme për tregun, marrëveshjet dhe historitë e suksesit, duke vështirësuar vendimmarrjen e informuar për të dy palët, investitorë dhe start-up-e.

ekofin.al

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top