Pavarësisht se tregu i punës në Shqipëri ka shënuar përmirësime të dukshme gjatë dekadës së fundit, të dhënat e reja të Bankës Botërore në raportin “Towards Better Jobs” tregojnë se rritja e punësimit në vend mbetet e brishtë dhe e ndërtuar mbi baza jo të qëndrueshme.
Sipas raportit, në periudhën 2010–2024, krijimi i vendeve të punës në Shqipëri është nxitur kryesisht nga rritja e normave të punësimit dhe pjesëmarrjes në tregun e punës, ndërsa popullsia në moshë pune (WAP) ka kontribuar negativisht, një shenjë e qartë e tkurrjes demografike që po shtrëngon bazën e fuqisë punëtore. Me fjalë të tjera, Shqipëria po punëson më shumë njerëz nga një bazë gjithnjë e më e vogël, gjë që nuk garanton qëndrueshmëri afatgjatë.
Ndërsa vendet si Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur rritje më të fuqishme të vendeve të punës falë zgjerimit të pjesëmarrjes dhe punësimit, Shqipëria mbetet në mes të renditjes rajonale: as ndër më të dobëtat, por as ndër më të përparuarat. Rritja shqiptare nuk po shoqërohet me rritje të produktivitetit apo me zgjerim të qëndrueshëm të pjesëmarrjes në tregun e punës, çka sinjalizon një ekonomi që po punon më shumë, por jo më mirë.
Raporti thekson paradoksin se pjesëmarrja e fuqisë punëtore në Shqipëri, megjithëse është rritur që nga viti 2019, mbetet nën nivelin optimal. Me një normë rreth 60 % në vitin 2024, Shqipëria qëndron afër mesatares së rajonit (WB6), por shumë poshtë mesatares së Bashkimit Evropian, që i kalon 70 %.
Kjo tregon se, ndonëse janë krijuar më shumë vende pune, një pjesë e madhe e popullsisë mbetet jashtë tregut aktiv sidomos gratë, të rinjtë dhe punëtorët e pakualifikuar. Kjo përforcohet nga prirjet e vazhdueshme të migrimit dhe mungesës së përfshirjes në sektorët me vlerë të lartë të shtuar, si teknologjia apo shërbimet e specializuara.
Në kontrast me këtë, Kosova dhe Mali i Zi kanë shfaqur dinamizëm më të madh në aktivizimin e forcës punëtore, ndërsa Serbia po përmirëson gradualisht efikasitetin e tregut të punës përmes rritjes së produktivitetit.
Ekspertët e Bankës Botërore vërejnë se “ndonëse normat e punësimit janë rritur, pjesëmarrja mbetet e ulët dhe rritja e vendeve të punës nuk po shoqërohet me rritje të produktivitetit apo cilësisë së punës”. Kjo do të thotë se Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë, por në një drejtim që nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm.
Nëse politikat e tregut të punës nuk orientojnë energjitë drejt formimit profesional, përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes së produktivitetit, vendi rrezikon të mbetet në një spirale të “punësimit të ulët”, ku shtimi i vendeve të punës nuk sjell as rritje reale të të ardhurave, as rritje të qëndrueshme të PBB-së.

 
			 
                             
	 
	 
	