Dua Lipa ka zbuluar projektin e saj më të ri ‘DUA’, një linjë e re kujdesi për lëkurën e krijuar në bashkëpunim me markën luksoze Augustinus Bader. Linja përfaqëson gjithçka që artistja ka mësuar ndër vite mbi kujdesin efektiv të lëkurës, të kombinuar me elegancë dhe thjeshtësi.
“Doja të krijoja diçka që të ndihmonte në rikthimin dhe mbrojtjen e lëkurës sime,” tha Lipa për British Vogue. “Kam shpesh thatësi dhe irritime nga fluturimet e gjata dhe gjatë viteve kam mësuar si ta përballoj ritmin e ngjeshur pa e lënë pas dore kujdesin ndaj vetes.”
Koleksioni i parë ‘DUA’ është i vogël, përbëhet nga vetëm tre produkte: një pastrues kremoz, një serum i pasur me antioksidantë dhe një krem ushqyes. “Një linjë me tre hapa më duket shumë e menaxhueshme dhe jo e frikshme,” shpjegon ajo. “Është e lehtë për ta marrë kudo dhe është e fuqishme.”
Sekreti që e dallon këtë bashkëpunim është TFC5, një version i ri i përbërësit të patentuar Trigger Factor Complex të Augustinus Bader. Kjo formulë, e zhvilluar posaçërisht për linjën e Dua Lipës, është krijuar për mirëmbajtjen e përditshme të lëkurës, për të parandaluar thatësinë, zbehtësinë dhe për t’i rikthyer elasticitetin natyror.
Sipas Augustinus Bader, TFC5 është evolucioni i pestë i teknologjisë së tyre revolucionare dhe fokusohet në rigjenerimin e qelizave përmes një përzierjeje aminoacidesh, vitaminash dhe peptidësh.
Duke e përshkruar koleksionin si një “trifektë të përsosur”, Lipa thotë se e ka krijuar për ta bërë kujdesin ndaj lëkurës më të thjeshtë, më të qëndrueshëm dhe më elegant.
