biznesi

Raporti i progresit nga BE: Mjedisi i biznesit në Shqipëri mbetet sfidues

Bashkimi Europian, nëpërmjet raportit të fundit të Progresit, vlerësoi se mjedisi i biznesit në Shqipëri vazhdon të përballet me sfida të shumta, pavarësisht disa përparimeve në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Procedurat e gjata gjyqësore, informaliteti dhe qasja e kufizuar në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht për fermerët, mbeten pengesa kryesore.

Burokracia dhe proceset e licensimit, të kombinuara me  paqëndrueshmëri ligjore kanë rritur barrën për bizneset, ndërsa politikat fiskale që nxisin formalizimin dhe zvogëlojnë evazionin fiskal janë ende të pakta. Dhënia e statusit të investitorit strategjik dhe kontratat PPP/koncesionare shpesh konsiderohen jo transparente, ndërkohë që regjistrimi i pronës mbetet i paplotë dhe i paqëndrueshëm, duke dekurajuar investimet.

Edhe pse janë ndërmarrë hapa drejt dixhitalizimit të kadastrës, progresi ka qenë i ngadaltë dhe i pabarabartë, ndërsa shërbimet publike mbeten të centralizuara në Tiranë, duke lënë të pazhvilluara rajonet rurale. Efektiviteti i konsultimeve publike gjithashtu ka hapësirë për përmirësim.

Sa i takon stimujve për investimet, ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” për hotelet me katër dhe pesë yje i përjashton ato nga tatimi mbi të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare, ndërsa stimujt përfshijnë edhe përjashtime të tjera fiskale dhe normë të reduktuar TVSH-je prej 6%.

Parlamenti ka shtyrë afatin e aplikimit për këto lehtësime nga 2024 në 2026, ndërsa ligji “Për investimet strategjike” është zgjatur gjithashtu deri në vitin 2026, duke përfshirë investime mbi 50 milionë euro, me kritere miratimi nga ministria e linjës. Por, këto masa kanë ngritur shqetësime mbi transparencën dhe aksesin e barabartë për investitorët.

Në përpjekje për të përmirësuar qasjen në financa, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë, ka prezantuar një program kredie për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke përfshirë një garanci sovrane deri në 70% të principalit dhe norma interesi të ulëta, me fokus të veçantë sektorin e bujqësisë, i cili aktualisht përbën vetëm 2% të kredisë për bizneset.

Privatizimi dhe ristrukturimi i aseteve publike ka pësuar ndryshime, duke përfshirë mundësinë e blerjes së aseteve me kontrata qiraje afatgjata, si dhe transferimin e tyre te Korporata Shqiptare e Investimeve për projekte zhvillimi në partneritet me privatët.

Legjislacioni “Paketa e Maleve”, miratuar në mars 2025, synon të stimulojë investimet në rajonet malore, veçanërisht në turizëm dhe bujqësi, duke ofruar stimuj fiskalë dhe lehtësime në blerjen e tokës, me fokus mbi mbrojtjen e vlerave ekologjike dhe biodiversitetit.

Megjithatë, raporti vë në dukje se ndërmarrjet shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë, vazhdojnë të paraqesin rreziqe fiskale, duke marrë kredi nga qeveria me shlyerje të paparashikueshme dhe gjendje financiare të paqëndrueshme.

monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top