Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria shqiptare parashikon rritje të dukshme të fondeve në disa sektorë që duket se kanë në fokus përafrimin drejt tregut të BE-së, duke përfshirë infrastrukturën publike, shëndetësinë, kulturë dhe trajtimin e pensionistëve.
Investime në rrugë dhe infrastrukturë
Për ndërtimin dhe sistemimin e rrugëve pritet të shpenzohen 20.22 miliardë lekë, nga 18.53 miliardë lekë këtë vit. Projekti më i madh është ndërtimi i Korridorit VIII, me 8.4 miliardë lekë për 13 lote, aktualisht në punim. Bypassi i Tiranës, me 2.2 miliardë lekë, ku për herë të parë është përfshirë loti III, me fillim financimi në 2027.
Projekte të tjera janë rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me Korridorin VIII, zgjerimi i autostradës Tiranë – Durrës (1.93 miliardë lekë për 3 lotet aktuale), rikonstruksioni i rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa, rehabilitimi i rrugës Fier – Kthesa e Patosit – Frataj (1.2 miliardë lekë) dhe ndërtimi i bypass-it të Sarandës (720 milionë lekë). Financimi parashikohet të vijojë edhe për kontratat e partneritetit publik-privat (PPP), me 5.3 miliardë lekë për rrugët e Arbrit, Milot – Morinë, Orikum – Dukat dhe aksin Thumanë – Kashar dhe Lekaj – Fier.
Shëndetësia dhe investimet publike
Ministria e Shëndetësisë do të ketë buxhetin më të madh për vitin 2026, 820 milionë euro, me rritje 20 milionë euro nga viti i kaluar. Financimet mbulojnë kujdesin primar dhe spitalor, listën e barnave të rimbursueshme dhe shërbime të specializuara:
-
Check-up për 379 mijë pacientë në vit
-
Trajtim me recetë për 400 mijë pacientë
-
Mbështetje për diabetikët dhe pacientët me sëmundje kardiake
-
Dializë për rreth 1.435 pacientë në vit 2028
-
Analiza për Sindromën Down për 1.250 pacientë në vit
-
Fertilitet për rreth 200 përfitues në vit
-
Kirurgji rekonstruktive gjiri për 350 gra në vit
-
Transplant kornese për 50 raste në vit
-
Depistim kancer gjiri dhe qafës së mitrës, vaksinim për gripin sezonal
-
Rritje të thirrjeve për urgjencë mjekësore, nga 400 mijë në 450 mijë, me kohë reagimi të përmirësuar
Investimet kapitale përfshijnë rikonstruksion dhe ndërtim spitalesh dhe maternitetesh në Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Pogradec, Lushnjë, Shkodër dhe Fier, si dhe rehabilitimin e qendrave shëndetësore dhe ISHP-së.
Buxheti për bashkitë dhe zhvillimin lokal
Transfertat për pushtetin vendor arrijnë 47.3 miliardë lekë, me rritje 6.5% mesatare për çdo bashki. Pjesa e pakushtëzuar përbën 59% të totalit, sektoriale 30% dhe 11% për rritje pagash. Fondi i performancës për bashkitë është 200 milionë lekë. Taksa e pasurisë do të sjellë 10 miliardë lekë në vitin 2026, +1.4 miliardë nga 2025. Financimi i huaj për projekte vendore parashikohet 1.5 miliardë lekë.
Turizmi, kultura dhe sporti
Buxheti për këto sektorë rritet me 5.9%, në 7.39 miliardë lekë. Qëllimi është zhvillimi i turizmit gjithëvjetor, forcimi i pastrimit në zonat bregdetare, promovimi i produkteve vendase, rritja e punësimit në agroturizëm dhe restaurimi i 156 objekteve të trashëgimisë arkitektonike dhe muzeale (2025–2028). Numri i vizitorëve në muzetë dhe monumentet do të arrijë rreth 235 mijë deri në vitin 2028. Përveç kësaj, mbështeten aktivitetet kulturore dhe artistike, me synim 450 evente në vit dhe rritjen e përfshirjes së studentëve nga 75 në 82 studentë deri në vitin 2028.
Rritja e pagave në administratën publike
Shpenzimet për pagat në administratë arrijnë 140.1 miliardë lekë në 2026, nga 119.7 miliardë lekë në 2024 dhe 127.6 miliardë lekë aktualisht, duke përfaqësuar 5% të PBB-së. Rritja prej 20.4 miliardë lekësh reflekton përpjekjet për të përmirësuar standardin e jetesës dhe motivimin e punonjësve publikë.
Pensionistët dhe mbrojtja sociale
Projektbuxheti 2026 parashikon 100 milionë euro shtesë për pensionistët, përveç indeksimit, me plan për dyfishim në 2027 (200 milionë euro), trefishim në 2028 (300 milionë euro) dhe deri në pesëfishim në 2030 (500 milionë euro), me përfshirje të indeksimit vjetor.
