adoleshent

Rregulli i artë për të rritur adoleshentë të fortë dhe të qëndrueshëm

Nga Jennifer Breheny Wallace, autore e bestsellerit të “The New York Times”

Kam kaluar shtatë vite duke studiuar kulturën e arritjeve dhe duke intervistuar qindra fëmijë me performancë të lartë dhe familjet e tyre. Një nga temat që del vazhdimisht në pah është ndikimi që ka gara e pranimeve në universitete në marrëdhënien midis prindërve dhe fëmijëve.

Në një realitet ku garat akademike janë bërë gjithnjë e më të ashpra, të kushtueshme dhe plot pasiguri, është e natyrshme që prindërit të ndihen të shtyrë të kontrollojnë çdo hollësi. Por kjo qasje shpesh përfundon duke krijuar tension, lodhje emocionale dhe një klimë të brishtë në familje.

Pasi kam vëzhguar nga afër efektet negative të kësaj “gare arsimore”, kam vendosur një rregull të panegociueshëm në familjen time: me tre fëmijët e mi adoleshentë, nuk flasim për planet pas gjimnazit deri në pranverën e vitit të tretë të shkollës së mesme.

Kufijtë që mbrojnë marrëdhënien prind-fëmijë

Kur vjen pranvera e vitit të tretë, bisedat për universitetin i kufizojmë në vetëm një orë çdo fundjavë, në një orar që e zgjedh vetë fëmija, zakonisht të dielën pasdite. Këto kufij na ndihmojnë të mbajmë temën nën kontroll dhe të mos lejojmë që ajo të dominojë jetën tonë familjare.

Ky “rregull i artë” ka sjellë një ndryshim të vërtetë. Ai ndalon zinxhirin e pafund të pyetjeve ankthioze që prindërit shpesh bëjnë si “e mbarove ese-n shtesë” apo “i kërkove rekomandimin mësuesit?” pyetje që zakonisht prishin qetësinë e çdo udhëtimi me makinë apo darke familjare.

Në vend të kësaj, bashkëshorti im dhe unë i mbledhim pyetjet tona dhe i ruajmë për takimin e së dielës, duke i lënë pjesën tjetër të javës të lirë për gjërat e tjera që i shqetësojnë apo i gëzojnë adoleshentët tanë.

Ne duam të ruajmë këtë hapësirë të lirë, për t’u dhënë atyre mundësinë të zhvillojnë interesa e kureshtje që nuk filtrohen përmes asaj që mund të mendojë një oficer pranimi në universitet.

Sigurisht, fëmijët tanë e dinë se mund të flasin gjithmonë me ne. Por duke kufizuar pyetjet tona të ngarkuara me ankth, përpiqemi të ulim presionin e madh që ata tashmë ndiejnë.

Rreziku i presionit të tepruar

Studime të shumta tregojnë se nxënësit e shkollave “me arritje të larta”, aktivitete të shumta dhe pritshmëri për universitete elitare po përballen me shkallë më të lartë ankthi dhe depresioni sesa mesatarja kombëtare.

Akademitë Kombëtare të Shkencës, Inxhinierisë dhe Mjekësisë e kanë klasifikuar këtë grup të rinjsh si “në rrezik”, njësoj si fëmijët që jetojnë në varfëri, në kujdestari, apo me prindër të burgosur.

Edhe Fondacioni Robert Wood Johnson ka arritur në të njëjtin përfundim, duke e renditur “presionin e tepruar për të qenë të suksesshëm” ndër kërcënimet kryesore mjedisore për mirëqenien e adoleshentëve, krahas traumës dhe varfërisë.

Në pamje të parë, mund të duket e çuditshme të krahasosh nxënësit e shkollave të privilegjuara me fëmijët që përballen me kushte të vështira jetese. Por të dhënat tregojnë se të dy grupet përjetojnë stres kronik e të pandërprerë, që mund të dëmtojë shëndetin mendor dhe fizik.

Vlera e fëmijëve nuk matet me arritjet

Një nga nevojat më themelore njerëzore është “të ndihesh i vlefshëm”, të dish se ke vlerë dhe se mund të japësh vlerë. Kjo ndjenjë, është një faktor mbrojtës i fuqishëm për shëndetin mendor të të rinjve.

Fëmijët mësojnë se kanë vlerë përmes mesazheve që marrin në shtëpi. Një nga mënyrat më të thjeshta për t’ua treguar këtë është duke i bërë të ndiejnë se vlera e tyre nuk varet nga suksesi.

Një nënë që intervistova tregoi se përdorte një metaforë të bukur për ta shpjeguar këtë.Ajo mbante një kartëmonedhë 20-dollarëshe dhe e pyeste fëmijën sa vlente. Pastaj e rrudhiste, e shkelte, madje e zhyste në ujë. “Sa vlen tani?”- pyeste ajo. Dhe përgjigjja ishte e njëjtë.

Ashtu si ajo kartëmonedhë, vlera e fëmijëve tanë nuk ndryshon kur dështojnë në një provim, humbasin një garë apo nuk ftohen në një festë. Detyra jonë si prindër është t’u kujtojmë se vlera e tyre është e pandryshueshme.

Në përditshmërinë e mbushur me detyra dhe planifikime, shpesh harrojmë t’u tregojmë fëmijëve sa shumë na gëzon prania e tyre. Mund të fillojmë me një gjest të vogël: t’i përshëndesim çdo ditë me të njëjtin entuziazëm.

Këto sinjale të vogla, por të qëndrueshme, u japin atyre sigurinë se dashuria jonë nuk varet nga arritjet. Në familjen time, ky parim u kthye në “rregullin e një ore në javë” një mënyrë për ta vënë në praktikë idenë e të qënurit i rëndësishëm.

 Shtëpia duhet të jetë vendi ku nuk ke pse provon vlerën tënde.

Kur fëmijët nuk ndihen nën presion për të performuar për të fituar miratimin tonë, ata ndihen të lirë të ndjekin qëllime që kanë kuptim për ta.

Ndaj këtë vit, ndërsa vajza ime po kalon vetë procesin e aplikimeve në universitete, unë do të qëndroj e palëkundur në zbatimin e rregullit tonë të së dielës. Sepse marrëdhënia që po ndërtoj me fëmijët e mi vlen shumë më tepër sesa çdo letër pranimi.

cnbc.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top