E ardhmja ekonomike e Shqipërisë përballet me sfida serioze demografike, ndër të cilat emigracioni i vazhdueshëm i forcës punëtore dhe plakja e popullsisë përbëjnë rreziqe për potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike. Ky shqetësim u ngrit nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë Workshop-it të 19-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore.
Guvernatori nënvizoi se “zhvillimet e pafavorshme demografike dhe ndryshimet strukturore në tregun e punës po e bëjnë mjedisin ekonomik më kompleks. Të gjitha këto trende po i vënë sistemet financiare dhe politikat monetare dhe ekonomike përballë sfidave të reja dhe inovacioneve komplekse, të cilat kërkojnë analiza të thella, një kuptim më të mirë të veprimeve ndërsektoriale dhe vendimmarrje të bazuara në prova dhe rigorozitet shkencor.”
Ai gjithashtu theksoi faktorët e jashtëm që ndikojnë në ekonominë e vendit: “Pasiguritë globale si rezultat i tensioneve gjeopolitike, ndryshimeve në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimit vazhdojnë të ndikojnë në pritjet e agjentëve ekonomikë dhe kushtet tregtare të vendit. Në të njëjtën kohë, kalimi drejt një ekonomie më të gjelbër dhe dixhitale kërkon investime të mëdha publike dhe private, rritje të produktivitetit dhe përshtatje të strukturës së prodhimit. Ndryshimet demografike, të tilla si plakja e popullsisë dhe emigrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore, po kufizojnë furnizimin me burime njerëzore, duke ndikuar në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike.”
Guvernatori theksoi se për të përballuar këto sfida nevojiten politika të kujdesshme monetare dhe fiskale, reforma transformuese dhe zhvillim i mëtejshëm i tregjeve financiare. Ai nënvizoi se inovacioni, investimet, përmirësimi i klimës së biznesit dhe rritja e konkurrencës janë elemente kyçe për të mbështetur një ekonomi të qëndrueshme.
Banka e Shqipërisë pret që rritja ekonomike të vazhdojë me ritme të forta, të nxitur nga turizmi dhe investimet, por thekson se fokusi kryesor duhet të jetë tek individi si kapitali më i vlefshëm i shoqërisë, për të garantuar zhvillim afatgjatë dhe stabilitet makroekonomik.
