Produktiviteti është bërë një nga shqetësimet më të mëdha të kohëve moderne.
Në epokën dixhitale, lexojmë libra për rutinat e mëngjesit, ndjekim me kujdes orët e gjumit dhe kërkojmë aplikacionin “magjik” që do të na përqendrojë më shumë. Por nëse pyesni ata që arrijnë nivelet më të larta të performancës, do të dëgjoni diçka befasuese: sekreti nuk qëndron te ndryshimet dramatike, por te zgjedhjet e vogla dhe të qëllimshme që formësojnë mënyrën si punojnë, pushojnë dhe rigjenerohen.
Këto zakone, ndonëse duken të thjeshta, janë ato që ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si e përdorim kohën, energjinë dhe vëmendjen. Ja tri taktikat që njerëzit më të suksesshëm në botë përdorin për të qenë gjithmonë në formë maksimale.
Shfrytëzo rutinat, ritualet dhe pushimin në favorin tënd
Shumë flasin për rutina, por ato që funksionojnë vërtet nuk janë kopjuar nga një libër apo podcast, janë krijuar rreth ritmit personal të energjisë, mënyrës së punës dhe, mbi të gjitha, kohës së rikuperimit. Performuesit e suksesshëm ndërtojnë rituale që rifreskojnë mendjen po aq sa organizojnë ditën.
Një meditim i shkurtër, një shëtitje e qetë apo disa minuta reflektim para se të hapësh email-et, mund të sjellin më shumë produktivitet se orë të tëra pune me nxitim. Rutinat janë të fuqishme vetëm kur janë personale, të testuara, të përmirësuara dhe të ndërtuara për të ruajtur energjinë, jo për të mbushur ditën me detyra.
Shembulli i CEO-së së Google, Sundar Pichai, është domethënës. Ndryshe nga shumë drejtues që nisin ditën me takime dhe email-e, ai zgjohet rreth orës 6:30–7:00 të mëngjesit dhe e fillon ditën me qetësi: një filxhan çaji dhe gazetën. Pichai shmang rrjetet sociale apo informacionin e shpërndarë në shumë burime, duke ruajtur qartësinë e mendjes në orët e para. Edhe mëngjesi i tij është i thjeshtë, bukë e thekur, vezë dhe çaj.
Të hënave, ai i përdor këto orë për “mendim strategjik”, përcaktimin e tre deri në pesë prioriteteve që do të udhëheqin javën. Kështu, kur nis dita e ngarkuar, Pichai është tashmë në kontroll të kohës dhe fokusit të tij.
Këshillë praktike: Ndërto ditën sipas ritmit të energjisë tënde. Fillo me aktivitete të lehta dhe qetësuese në mëngjes, planifiko punët më kërkuese kur je në kulmin e përqendrimit dhe mos neglizho pushimin si pjesë të pandashme të suksesit.
Në sport, rikuperimi është gjithçka. Pa ushqim të shëndetshëm, gjumë cilësor dhe disiplinë, edhe talentet më të mëdha humbin shkëlqimin. Cristiano Ronaldo dhe LeBron James janë shembuj të shkëlqyer të kësaj filozofie ,të dy investojnë miliona çdo vit në trupin e tyre, përmes trajtimeve, stërvitjeve të personalizuara dhe pushimeve të kontrolluara me kujdes.
Ronaldo ka ndërtuar një sistem të rreptë ekuilibri mes trajnimit dhe pushimit: për çdo orë stërvitjeje, ai siguron një orë rikuperim. “Nuk është vetëm çështje performance, por edhe e cilësisë së jetës,” thotë ai. “Sekreti është konsistenca. Nëse je i qëndrueshëm, do të jesh gjithmonë një hap përpara.”
Një mësim që vlen për çdo profesion e çdo njeri.
Përdor automatizimin për të mësuar më shpejt dhe punuar më mençur
Të suksesshmit nuk punojnë më shumë ,punojnë më zgjuar. Ata eleminojnë detyrat që nuk sjellin vlerë dhe automatizojnë proceset që përsëriten. Në epokën e inteligjencës artificiale, pothuajse çdo detyrë që e bën më shumë se një herë mund të automatizohet.
Automatizimi nuk zëvendëson talentin njerëzor ,ai e fuqizon atë. Duke ia deleguar teknologjisë detyrat rutinë, profesionistët fitojnë më shumë kohë për krijim dhe mendim strategjik. Kjo aftësi për të përdorur mjetet digjitale bëhet gjithnjë e më e vlefshme, ndërsa puna e së ardhmes orientohet drejt AI-së.
Shembulli i Satya Nadella, CEO i Microsoft, është domethënës. Ai ka transformuar mënyrën si kompania punon, duke integruar inteligjencën artificiale në çdo nivel të organizatës. Mjetet si Microsoft 365 Copilot, Power Automate dhe Viva Insights ndihmojnë ekipet të automatizojnë punët rutinë, të analizojnë të dhënat dhe të menaxhojnë më mirë kohën.
Nadella beson se inteligjenca artificiale nuk është vetëm një ndihmës, por një “bashkëpunëtor i ri” që mund të përmirësojë aftësitë, shpejtësinë dhe kreativitetin njerëzor.
Këshillë praktike: Mos u mjafto vetëm me përdorimin e një mjeti. Eksperimento, testoi rezultate dhe përmirëso proceset. Aftësia për t’u përshtatur me teknologjinë do të bëhet një nga përparësitë më të mëdha të së ardhmes.
Dil jashtë rutinës për të rritur veten dhe idetë
Rritja e vërtetë shpesh ndodh kur largohesh nga rrjedha e përditshme.
Ish-CEO i Microsoft, Bill Gates, e ka bërë këtë pjesë të suksesit të tij përmes “Think Week”, një javë të izoluar në një kabinë në natyrë, ku kalon ditë të tëra duke lexuar, reflektuar dhe analizuar ide. Pa telefonata, pa takime, vetëm qetësi dhe fokus. Pikërisht gjatë këtyre javëve janë lindur disa nga idetë më të rëndësishme të tij, përfshirë edhe zhvillimin e shfletuesit të parë të internetit të Microsoft.
“Think Week më ndihmon të jem kreativ dhe të mendoj për pamjen e madhe,” është shprehur Gates. “Është një mundësi për të dalë nga rutina dhe për t’u përqendruar në të ardhmen.”
Edhe Elon Musk ndjek një metodë të ngjashme, duke ndarë ditët e javës sipas projekteve ,dy ditë për Tesla, dy për SpaceX, etj. Kështu ai arrin të përqendrohet thellësisht në çdo nismë pa e shpërndarë energjinë. Për vendimet e rëndësishme, shpesh izolohet për disa ditë në një shtëpi të vogël pranë fabrikës së SpaceX, për t’u përqendruar maksimalisht.
Këshillë praktike: Rezervo kohë për reflektim dhe qetësi, qoftë një orë në javë apo një ditë në muaj. Vetmia konstruktive ndihmon trurin të shohë modele, lidhje dhe mundësi që rutina e përditshme i mbulon.
Përfundim
Ata që arrijnë majat nuk janë robër të ditës. Ata nuk e lënë kalendarin t’i udhëheqë, por e menaxhojnë me kujdes kohën, energjinë dhe vëmendjen. Ndërtojnë rutina që ruajnë orët më të frytshme, përdorin teknologjinë për të liruar fokusin dhe krijojnë hapësira për reflektim e ide të reja.
Në fund të fundit, sekreti i produktivitetit nuk qëndron në truket e përkohshme por në filozofinë e vëmendjes. Ata që kanë mësuar të zotërojnë kohën, kanë mësuar të zotërojnë edhe veten.
