Një startup në Silicon Valley, i mbështetur nga Sam Altman i OpenAI dhe Brian Armstrong i Coinbase, po kryen kërkime që disa i frikësohen se mund të çojnë në krijimin e një foshnjeje të modifikuar gjenetikisht. Një hap që është i paligjshëm nën ligjet amerikane dhe i ndaluar në shumicën e vendeve, raporton Wall Street Journal.
Kompanija, Preventive, thotë se qëllimi i saj është të eliminojë sëmundjet e trashëgueshme duke modifikuar embrionet njerëzore para lindjes, një pretendim që ka shkaktuar debat të ashpër mbi sigurinë, etikën dhe mundësinë e krijimit të “fëmijëve dizajner”. Preventive, e themeluar këtë vit nga shkencëtari i editimit gjenetik, Lucas Harrington, ka mbledhur 30 milionë dollarë dhe ka vendosur qendrën e saj në San Francisco, ku po kryen kërkime mbi modifikimin e embrioneve për të parandaluar sëmundjet trashëgimore. Kompania thotë se misioni i saj është të tregojë se teknologjia mund të bëhet e sigurt dhe transparente përpara se të bëhet ndonjë përpjekje për krijimin e një fëmije.
Altman dhe Armstrong janë ndër investitorët e hershëm të kompanisë, raporton Wall Street Journal. Oliver Mulherin, tha se ai ka udhëhequr investimin e tyre, duke e përshkruar si një përpjekje për të ndihmuar familjet të shmangin sëmundjet gjenetike. Armstrong, i cili ka promovuar publikisht editimin e embrioneve, postoi se është “i entuziazmuar” që po mbështet Preventive dhe argumentoi se është shumë më e lehtë të korrigjosh një defekt gjenetik në një embrion sesa të trajtosh sëmundjen më vonë në jetë.
Por ligji federal ndalon Agjencinë për Ushqim dhe Barnatore (FDA) të shqyrtojë aplikimet për triale njerëzore që përfshijnë embrione të modifikuara gjenetikisht për të nisur shtatzënitë. Harrington, i cili ka marrë doktoraturën nën pionieren e CRISPR, Jennifer Doudna, mohoi se Preventive po përgatitet për të implantuar një embrion të modifikuar ose po punon me ndonjë çift për ta bërë këtë. Ai tha se fokusi i kompanisë është kërkimi pre-klinik mbi mundësinë e kryerjes së editimeve të embrioneve në mënyrë të sigurt.
“Nuk po përpiqemi të nxitojmë gjërat,” tha Harrington për Journal. “Jemi të përkushtuar ndaj transparencës në kërkimet tona dhe do të publikojmë rezultatet, qoftë pozitive apo negative.”
Burime të njohura me operacionet e Preventive thanë për Journal se kompania kishte shqyrtuar juridiksione të huaja, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, ku editimi i embrioneve mund të lejohej. Harrington tha se puna jashtë SHBA-së po konsiderohej vetëm për shkak të kufizimeve rregullatore, jo për të shmangur mbikëqyrjen.
Kompania ka rekrutuar këshilltarë nga mjekësia riprodhuese dhe gjenetika. Faqja e internetit e Preventive e përshkruan si një korporatë me përfitim publik, që do të thotë se mund të vendosë ligjërisht interesin shoqëror krahas interesit për fitim. Statuti i saj përcakton këtë qëllim si “përparim i përgjegjshëm i teknologjive të editimit gjenetik të aplikuara para lindjes për të sjellë përfitime për njerëzimin.”
Ky përpjekje rikthen kujtime nga skandali i vitit 2018, kur shkencëtari kinez He Jiankui krijoi fëmijët e parë në botë me gjenetikë të modifikuar, binjakët që embrionet e të cilëve ishin ndryshuar për t’i bërë rezistent ndaj HIV-it. Ai shërbeu tre vjet burg për praktika mjekësore të paligjshme. Shkencëtarët thonë se mbetet e paqartë se si ndryshimet kanë ndikuar tek fëmijët, të cilët nuk janë identifikuar publikisht.
Rinia e Harrington vjen ndërsa paratë e Silicon Valley po derdhen në gjenetikën riprodhuese. Kompanitë Manhattan Genomics, e themeluar nga sipërmarrësja bioteknologjike Cathy Tie dhe Bootstrap Bio me bazë në Kaliforni po eksplorojnë gjithashtu editimin e embrioneve. Të dyja kanë tërhequr vëmendjen e bioetikistëve dhe rregullatorëve për diskutime mbi triale të mundshme jashtë SHBA-së.
Kritikët paralajmërojnë se editimi komercial i embrioneve rrezikon të kalojë në eugjenikë.
“Ata ose po gënjejnë, ose janë të deluzionuar ose të dyja,” tha Fyodor Urnov, drejtor në Innovative Genomics Institute në UC Berkeley, për Journal. Këta njerëz, të mbushur me para por të paaftë për t’i përdorur drejt, po tentojnë të ‘përmirësojnë fëmijët’
Mbështetësit insistojnë se qëllimi është mjekësor, jo kozmetik. Harrington dhe këshilltarët e tij thonë se rastet e përdorimit të hershëm do të targetojnë sëmundjet monogjenike shkatërruese si fibrozën cistike ose sëmundjen e qelizave të kuqe (sickle cell), ku prindërit që të dy mbajnë të njëjtin mutacion gjenetik nuk kanë shans për të konceptuar një fëmijë të shëndetshëm përmes IVF tradicionale.
