A të ka ndodhur ndonjëherë që mendja të mos pushojë së analizuar një bisedë të paqartë, apo të shpikë dhjetë skenarë të ndryshëm për një situatë që ende s’ka zgjidhje? Shpesh, kjo ndodh sepse truri ynë përpiqet të kontrollojë të panjohurën.
Mendja mund të jetë aleati ynë më i fuqishëm, por edhe kundërshtari më i vështirë, edhe pse mbi-mendimi lodh, ai në fakt është i lidhur me instinktin tonë për mbijetesë. Kur jemi në situata të paqarta, truri përpiqet të na mbajë të gatshëm dhe vigjilentë, si një roje i kujdesshëm që sheh rrezik kudo.
Por kur nuk e kontrollojmë, i njëjti sistem mbrojtës mund të na prishë qetësinë, të ndikojë gjumin ose të na bëjë të dyshojmë në vendimet tona. Megjithatë, kërkimet tregojnë se mbi-mendimi mund të kthehet në një aftësi të dobishme psikologjike, nëse dimë si ta kanalizojmë.
Në thelb, mbi-mendimi është një kombinim i dy zakoneve që përsëriten vazhdimisht, rishikimi i së kaluarës dhe parashikimi i së ardhmes.
Këto dy sjellje lidhen me një sistem nervor që nuk mund të qetësohet pa një ndjenjë sigurie. Kështu, mendja vazhdon të analizojë edhe pasi ngjarja ka kaluar, si të kërkonte një zgjidhje përfundimtare.
Shpesh, në rrënjë të këtij modeli qëndron një ndjesi e brendshme se “diçka ka mbetur pezull”. Në vend që të përjetojmë emocionin, ne zgjedhim të mendojmë tepër, sepse mendimi duket më i sigurt se përballja me ndjenjën.
Njerëzit që janë rritur në ambiente ku gabimet ndëshkoheshin, ose ku pasiguria ishte e frikshme, mësojnë të përgatiten mendërisht për çdo mundësi. Me kohën, kjo mbrojtje kthehet në një zakon të përhershëm të rishikimit dhe shqetësimit.
Thjesht kuptimi i origjinës së këtij modeli, sidomos tek vetja fëmijërore, mund të ulë fajësimin dhe ashpërsinë me veten. Kur e kupton pse ndodh mbi-mendimi, mund ta udhëzosh mendjen, jo ta luftosh.
Mbi-mendimi shfaqet ndryshe tek njerëz të ndryshëm. Zakonisht vihen re tre modele:
-
Rregulluesi (Fixer): kthehet pas në mendime për të gjetur gabime dhe për të mos i përsëritur.
-
Shqetësuesi (Worrier): mendon skenarët më të këqinj për t’u ndier i përgatitur.
-
Hiper-analizuesi (Overanalyzer): s’vendos dot pa shqyrtuar çdo detaj.
Secili prej tyre ka edhe anët e veta të forta: rregulluesi është proaktiv, shqetësuesi vëmendshëm, hiper-analizuesi reflektiv. Qëllimi është t’i drejtojë këto prirje drejt qartësisë, jo vetë-kritikës.
Nëse ndihesh i bllokuar në ndonjërin prej këtyre tre modeleve, këto janë tre mënyra të mbështetura nga kërkimet për ta përdorur mbi-mendimin në mënyrë të dobishme.
1. Organizio mendimet e tepërta në kokën tënde
Kur mendimet sillen rrotull pa pushim, mënyra më e shpejtë për t’i qetësuar është t’i nxjerrësh jashtë. Shkruaji në letër, strukturoji në pyetje të thjeshta si:
-
“Çfarë po përpiqem të kuptoj në të vërtetë?”
-
“Cili është një hap i vogël që mund të bëj?”
Kjo quhet “cognitive defusion”, që do të thotë të largohesh pak nga mendimet për t’i parë si informacione, jo si urdhra.
Një studim i fundit tregoi se njerëzit që arrijnë të distancohen nga mendimet e tyre i përdorin më mirë kujtimet, vetëdijen dhe arsyetimin për të zgjidhur probleme. Kjo praktikë e thjeshtë mund të shndërrojë “zhurmën mendore” në qartësi.
2. Kundërshto “Po sikur…?” me pyetjen “Po pastaj?”
Mendja i përsërit pyetjet e frikshme sepse diçka mbetet e papërfunduar. Pyetja “Po sikur të dështoj?” ushqen frikën. Por pyetja “Po pastaj çfarë do bëj?” e ndërpret ciklin.
Ky ndryshim i vogël ndihmon sepse:
-
na lejon të përjetojmë frikën,
-
por edhe të shohim përtej saj, tek zgjidhja.
Kjo e zhvendos mendimin nga katastrofa te zgjidhja, dhe i jep trurit mundësinë të kërkojë rrugëdaljen, jo rrezikun.
Një studim i vitit 2023 zbuloi se momenti kur dikush “më në fund vendos” nuk vjen nga siguria absolute, por nga zgjedhja për t’i dhënë fund arsyetimit të tepërt. Pyetja “Po pastaj?” e ndihmon pikërisisht këtë proces.
3. Shfrytëzo ngarkesën me mendime për një parashikim të zgjuar
Mbingarkesa me mendime bëhet e dëmshme kur qarkullon rreth të njëjtit ankth. Por kur mendja lëviz përpara, ai bëhet një aftësi e dobishme: “anticipatory thinking” (parashikim i situatave).
P.sh., sheh retë e shiut, mendon për shiun që afron dhe merr çadrën. Kjo është një aftësi që e kemi të ndërtuar biologjikisht.
Pyetja që duhet bërë është:
“Po më ndihmon ky mendim të përgatitem, apo po e dëmtoj veten?”
Nëse mendimi të çon drejt një hapi të arsyeshëm, atëherë është i vlefshëm. Nëse të sjell vetëm frikë, atëherë është koha të marrësh kontrollin.
Dallimi mes mbi-mendimit të dobishëm dhe atij të dëmshëm është qëllimi:
-
Mendimi që synon kontrollin, krijon kaos.
-
Mendimi që synon kuptimin, sjell qartësi.
Ata që e përdorin mbi-mendimin në mënyrë konstruktive arrijnë të dallojnë sinjalet nga zhurma dhe i përgjigjen mendjes së tyre me mirëkuptim, jo me luftë.
