Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë sot në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare.
Takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë Kapitullin 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore).
Ky është grup-kapitulli i fundit i negociatave që vendi ynë hap me bashkimin Evropian në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
Mbrëmjen e djeshme në Bruksel u organizua ceremonia e çeljes së dyerve të godinës së misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, në vigjilje të hapjes së grupkapitullit të fundit të negociatave të anëtarësimit.
Gjatë ceremonisë, ambasadori i Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, Ferit Hoxha u shpreh se Shqipëria nuk e ka humbur kurrë besimin tek Europa.
“Është shumë komode për mua të mbroj kauzën e Shqipërisë sot, sepse përfaqësoj një vend e shoqëri që kurrë nuk e ka humbur besimin tek Europa, një qeveri me një përkushtim të patundur politik ndaj BE-së dhe e gatshme të shfrytëzojë çdo sekondë”, u shpreh ai.
Ndërsa Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos u shpreh se e ndien veten si ambasadoren e katërt të Shqipërisë në Bruksel.
“Po, ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk jua shpreh dot sa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës suaj”, u shpreh ajo.
Sipas komisioneres Kos “nuk ka asnjë proces anëtarësimi pa një udhëheqje të përkushtuar, që nuk i kthehet së shkuarës duke kërkuar të gjejë justifikime se pse diçka është e pamundur”.
“Por ju keni një udhëheqje ose keni një udhëheqës, i cili sheh nga e ardhmja që të shquajë apo të kërkojë arsyet e përgjigjet se pse diçka është e mundur. Ky është një nga dallimet më të mëdha midis Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Sigurisht, i dashur Kryeministër, i dashur Edi, e kam fjalën për ju dhe do ta mbyll duke thënë: ‘Kjo është shtëpia juaj e re’. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë”, shtoi ajo.
Ndërsa kryeministri Edi Rama vlerësoi energjinë pozitive që gjen sa herë vjen në Bruksel.
“Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme. Nuk jemi mësuar me këtë, Marta, ndaj është e jashtëzakonshme më në fund ta përjetosh këtë gjë, që është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe po bëhet e përhershme. Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht që jeni këtu dhe të falënderoj sinqerisht e me gjithë zemër për punën secilin prej jush”, u shpreh ai.
