Tregjet globale të aksioneve po përjetojnë rënie të forta, ndërsa shqetësimet për një flluskë të mundshme të inteligjencës artificiale po shtohen dita-ditës. Paralajmërimi më i fundit dhe më i fortë vjen nga Sundar Pichai, shefi ekzekutiv i Alphabet, kompania mëmë e Google, i cili tha se asnjë kompani, përfshirë vetë Google, nuk do të jetë e imunizuar nëse kjo flluskë financiare shpërthen.
Investimet rekord në IA ndezin alarmin në tregje.
Pichai, në një intervistë, deklaroi se rritja e investimeve në teknologjinë e IA ka krijuar një moment “të jashtëzakonshëm”, por paralajmëroi se “ka edhe iracionalitet dhe teprime të dukshme”. Këto komente vijnë në një moment kur bursat po shënojnë humbje të ndjeshme.
Indeksi britanik FTSE 100 ra me 115 pikë vetëm në hapjen e ditës, ndërsa brenda katër ditësh ka humbur mbi 300 pikë. E njëjta gjendje pasqyrohet edhe në tregjet e tjera botërore, ku rëniet e njëpasnjëshme janë bërë një sinjal serioz paniku.
Edhe Bitcoin është goditur rëndë, duke humbur të gjitha fitimet e vitit pasi ra nën 93 mijë dollarë, shumë larg rekordit prej 126 mijë dollarësh të shënuar vetëm gjashtë javë më parë.
Victoria Scholar nga Interactive Investor e përshkroi situatën si “det të kuq” në tregjet globale, ndërsa theksoi se investitorët po largohen nga asetet spekulative në kërkim të sigurisë.
Silicon Valley në dilemë: rritje reale apo mbivlerësim?
Në qendrën botërore të teknologjisë, Silicon Valley, po zhvillohet një debat i fortë rreth mbivlerësimit të kompanive të AI. Alphabet ka më shumë se dyfishuar vlerën e saj brenda shtatë muajsh, ndërsa Nvidia ka arritur vlerësim rekord prej 5 trilion dollarësh.
Ndërkohë, investitorë të mëdhenj si miliarderi Peter Thiel dhe kompania SoftBank kanë shitur paketat e tyre të mëdha në Nvidia, duke shtuar frikën se sektori mund të jetë futur në territor flluske.
Paralajmërimet e hershme nga figura si Sam Altman, shefi i OpenAI, dhe Jamie Dimon, kreu i JP Morgan, se “shumë para do të humbasin” në investimet e pakontrolluara të IA po duken sot më aktuale se kurrë.
Google mbështetet te baza e saj e gjerë teknologjike
Pavarësisht paralajmërimeve, Pichai nënvizoi se Google është në një pozicion më të qëndrueshëm në krahasim me shumë kompani të tjera, pasi kontrollon të gjithë “full stack”-un: çipat e zhvilluar vetë, infrastrukturën cloud, të dhënat nga YouTube dhe modelet e avancuara të IA.
Por edhe ai pranon se nëse vjen një krisje në tregun e IA, “asnjë kompani nuk do të jetë e paprekur”.
Tregu pret raportin e Nvidia-s: një moment kritik
Analistët paralajmërojnë se presioni mbi gjigantët e teknologjisë është më i lartë se kurrë. Richard Hunter nga Interactive Investor deklaroi se komentet e Pichai-t reflektojnë pikërisht pasiguritë e investitorëve për çmimet e larta të aksioneve të IA.
Lotaria e vërtetë për tregjet do të jetë raporti financiar i Nvidia-s, i cili pritet të publikojë rezultatet ditën e nesërme. Ky raport shihet si testi më i rëndësishëm për të kuptuar nëse rritja marramendëse e IA është e qëndrueshme apo thjesht rezultat i një optimizmi të tepruar.
