Shqipëria ndan nga buxheti publik shumë më pak fonde për mbrojtjen sociale në raport në PBB-në se sa vendet e tjera të Europës.
Sipas një krahasimi të Eurostat që i takon vitit 2023 vendet e Bashkimit Europian shpenzojnë mesatarisht mbi 25% të PBB-së për mbrojtje sociale, ndërsa Shqipëria vetëm rreth 11%, duke u pozicionuar në fund të listës, duke lënë pas vetëm Turqinë.
Kontrasti me mesataren europiane është i theksuar me vendet si Franca, Gjermania, Belgjika apo edhe mesatarja e eurozonës shpenzojnë afërsisht dy deri në tre herë më shumë për skemat e pensioneve, ndihmës ekonomike, politikat e papunësisë apo përfitime të tjera sociale se sa Shqipëria.
Edhe vendet e rajonit, si Bosnja apo Mali i Zi, raportojnë përqindje dukshëm më të larta se Shqipëria, duke e thelluar më tej hendekun rajonal.
Këto të dhëna ngrenë pikëpyetje mbi mbështetjen që sistemet sociale në Shqipëri arrijnë të ofrojnë, sidomos në një periudhë me rritje të kostove të jetesës dhe presion të shtuar mbi familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët.
Hendeku i madh me mesataren europiane sugjeron se sistemi aktual i mbrojtjes sociale vijon të mbetet i dobët krahasuar me standardet e BE-së, ndërsa nevojat sociale të popullsisë rriten nga viti në vit.
Në vitin 2023, shpenzimet totale për përfitimet e mbrojtjes sociale në BE arritën në 4,607 miliardë euro, që ishte ekuivalente me 26.7% të produktit të brendshëm bruto (PBB).
Një analizë sipas funksionit zbulon se niveli më i lartë i shpenzimeve në BE u regjistrua për pensionet të cilat përbënin gati gjysmën (46.9%) të shpenzimeve totale për përfitimet e mbrojtjes sociale në vitin 2023.
Pjesa tjetër, kompensimi për kujdesin shëndetësor zuri 29.6% të shpenzimeve të BE-së nga përfitimet e mbrojtjes sociale, ndërsa funksionet e mbetura janë në nivele më të ulta.
Në Shqipëri gati 88 % e shpenzimeve për mbrojtjen sociale dhe vetëm 12 për qind shpërndahen për zërat e tjerë, si shëndeti, ndihma ekonomike etj.
